Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Gazi, një sektor në rindërtim

Gazsjellësi TAP është kthyer në busullën që po ndjekin politikat e qeverisë për të rindërtuar një sektor si ai i gazit. Vetë Trans Adriatik Pipeline ka avancuar sipas programit, ndoshta dhe më mirë te punimet në terren, ndërkohë që ne, jemi ende në fazë letrash që pasojnë njëra-tjetrën. Në këtë pikë, një marrëveshje mes Albgaz dhe SNAM, që krijon një Joint-Venture e cila ka në objekt operacionet e mirëmbajtjes së gazsjellësit TAP, është hapi më pozitiv i hedhur në sektor pas shumë kohësh. Pjesa tjetër, që lidhet me investime konkrete në rrjet, apo një “dritë të gjelbër” nga studimi i fizibilitetit për termocentralin e Vlorës, mbetet në vend

Nuk ishte naiv entuziazmi i Shqipërisë kur në vitin 2013, në garën mes projektit të gazsjellësit NABUCCO dhe TAP, që do të dërgonin gazin nga fushat e Shah Deniz drejt Europës, u përzgjodh i dyti. Nuk bëhej fjalë vetëm për ato mbi 1 miliard dollarë investime që përfaqëson realizimi i projektit, por për një efekt zinxhir në të gjithë ekonominë, për vende të reja pune, për zhvillimin e industrisë dhe, mbi të gjitha, Shqipëria përfiton një tjetër dimension në aspektin gjeopolitik, sepse është sot vendi ku kalon një projekt strategjik.

TAP, ashtu siç pritej, ka qenë udhëheqësi kyç në “kërcimin” e Investimeve të Huaja Direkte, duke ruajtur një nivel të kënaqshëm edhe në momente kur investitorët e kanë kritikuar klimën e të bërit biznes, por ka shtuar edhe dozat e thirrjes për përgjegjshmëri të institucioneve ndërkombëtare. Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore kanë bërë refren të tyre kërkesën që qeveria të angazhohet në nxitjen e projekteve të reja, sepse efekti TAP nuk do të zgjasë edhe shumë, të paktën jo nga ndërtimi në terren.

Për Shqipërinë, një projekt i këtyre dimensioneve kërkon angazhim të ri, në mënyrë që përfitimi të maksimalizohet, kërkon investim në terren, në ngritjen e një rrjeti gazifikimi (të paktën aty ku është fizibël), kërkon ngritjen e kapaciteteve teknike dhe njerëzore, thithjen e projekteve që mund ta shohin sektorin e gazit si avantazh.

Sot, busulla rreth së cilës po orientohen politikat dhe nismat është pikërisht projekti i gazsjellësit TAP, me të cilin qeveria është ende në bisedime për të rishikuar marrëveshjen e saj, duke kërkuar reciprocitet dhe trajtim të barabartë me vendet e tjera ku kalon gazsjellësi, si Greqia apo Italia. Paralelisht me TAP, sot ka disa nisma të reja që tregojnë për një interes drejt rindërtimit të një sektori nga e para me hapa të ngadaltë, por në disa aspekte, gjërat duket se po qëndrojnë në vendnumëro.

Marrëveshja me TAP, ndryshon pika që lidhet me TVSH

Vetëm pak javë më parë, në mbledhjen e qeverisë do të kalonte një projektligj që kishte në bazë një ndryshim në marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Trans Adriatik Pipeline AG, duke pasur si synim të rregullojnë trajtimin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), në lidhje me aktivitetet e ndërtimit gjatë fazës së ndërtimit të projektit TAP, kryesisht për të përfshirë zbatimin e skemës së autofaturimit në lidhje me TVSH-në e investitorit të projektit dhe kontraktorëve për sa i përket furnizimit të mallrave dhe shërbimeve.

Sipas relacionit, ky është një propozim i ri sa i përket skemës së TVSH, në lidhje me projektin TAP. Duke marrë në konsideratë jo vetëm rimbursimin e përshpejtuar të TVSH-së për kërkesat e paraqitura tashmë nga projekti TAP, por dhe fluksin në rritje të tyre që pritet të vijojë në vitet 2018 e 2019, mendohet se është i nevojshëm rishikimi i skemës së TVSH-së dhe kalimi në skemën e sipërcituar. Pra, ky propozim, synon të ulë në parametra të menaxhueshëm shumën e kërkesave për rimbursime të TVSH-së, duke bërë të mundur që projekti TAP të mos vihet në vështirësi për financimin e punimeve”, thuhet në relacion.

Kjo skemë nënkupton që, gjatë fazës së ndërtimit (sikurse përcaktohet në marrëveshjen me qeverinë pritëse), të gjitha furnizimet e nevojshme ndërkombëtare/të huaja dhe vendase, të lidhura me projektin TAP, në nivelin e parë dhe të dytë të furnizimeve për projektin TAP, do t’i nënshtrohen TVSH-së, nëpërmjet sistemit të autofaturimit. Ky sistem nënkupton që, edhe pse në përgjithësi është furnizuesi i një malli apo shërbimi, personi që duhet të llogaritë dhe t’u paguajë autoriteteve tatimore çdo detyrim TVSH-je, në rrethana të caktuara, mund të jetë dhe përfituesi i furnizimit ai që është përgjegjës dhe paguan TVSH-në.

“Sipas kësaj skeme specifike, investitori i projektit identifikon kontraktorët e nivelit të parë dhe të dytë, të cilët më pas i komunikohen Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave. Nga niveli 3 i kontraktorëve e në vazhdim, parashikohet aplikimi i sistemit tradicional të TVSH-së. Importet e kryera nga investitori i projektit ose çdo kontraktor i nivelit 1 gjatë fazës së ndërtimit, për furnizimet e mallrave që lidhen me projektin janë të përjashtuara nga TVSH-ja. Ato trajtohen si furnizime mallrash të kryera nga importuesi për veten, si pjesë e veprimtarisë së tij ekonomike. Për sa u përket furnizimeve të mallrave dhe shërbimeve brenda vendit nga një kontraktor i nivelit të parë ose i nivelit të dytë, vetëm përfituesi i mallrave/shërbimeve do të jetë i detyruar të paguajë TVSH-në dhe ka të drejtën e zbritjes së kësaj TVSH-je, sipas rregullave të përcaktuara”, sqarohet në relacionin që shoqëron ndryshimin e marrëveshjes.

 

Ku ndodhet sot me ndërtimin gazsjellësi TAP

Referuar rifreskimeve të fundit të bëra në faqen zyrtare të Trans Adriatic Pipeline, kompania raporton se, deri në shkurt 2018 u përfundua 2/3 e projektit, duke përfshirë të gjithë pjesën e punimeve inxhinierike, prokurimeve dhe ndërtimit. Në Shqipëri, puna më intensive është përqendruar te stacioni i kompresorëve në Fier ku, deri në mes të qershorit, ishte përfunduar 30% e punimeve të përgjithshme. Vetëm pak ditë më parë, BERZH njoftoi se miratoi kredinë 500 milionë euro, një vendim që vinte pas atij të Bankës Europiane të Investimeve, e cila miratoi në fillim të vitit një kredi 1.5 miliardë euro për TAP-in. Të gjitha këto para do të shkojnë për çuarjen para të projektit, i cili pritet që edhe vitin 2019 ta ketë aktiv, pasi është menduar që ky vit të shënojë nisjen e shtrimit të tubacioneve në detin Adriatik. Bëhet fjalë për një seksion prej 105 kilometrash, që do të kalojnë në det, ku pika më e thellë do të jetë në 820 metra.

 

Albgaz, tarifë transmetimi 28 lekë/m³, investimet prioritare në linja

Enti Rregullator i Energjisë, në vitin 2017, do të vendoste që kompania Albgaz të kishte një tarifë zyrtare për transmetimin prej 25 lekësh. Këtë tarifë do ta linte në fuqi deri në mars 2018. Pas aplikimit të kompanisë për një tjetër tarifë dhe caktimit të një metodologjie të re, ERE do të vendoste që për vitin 2018, tarifa e transmetimit të jetë 28 lekë/m³.

Kjo tarifë është larg pritshmërive të kompanisë Albgaz, e cila në planin e saj të investimeve do të parashtronte se do të negocionte me ERE-n një tarifë në nivelet e 40 lekëve/m³. Aktualisht, kompania publike e transmetimit dhe shpërndarjes së gazit ofron shërbimin e saj për Albpetrol, ndërkohë ka deklaruar se ka pasur edhe interes nga Phoenix Petroleum, që kërkonte bashkëpunim për transmetimin mesatarisht të 2 mijë nm³ në ditë të gazit natyror nga burimi i Frakullës.

Kompania ka bërë publike, në aplikimin e saj për çmimin në shkurt të këtij viti, se janë disa projekte që duhet të shihen me përparësi, për ndërhyrje në terren, të lidhura këto me identifikimin që ka bërë masterplani i gazit. Koha e ndërhyrjes në këto linja është përcaktuar në 2018-2019.
Por cilat janë në fakt këto linja. “Rinovimi dhe plotësimi me komponentë i linjës Drenovë – Ballsh, 5.5 km. Rinovimi dhe plotësimi me komponentë i linjës Fier – Ballsh, 24 km. Rehabilitimi, plotësimi me komponentë dhe vënia në gjendje pune e linjës Delvinë – Ballsh, 101.5 kilometra. Rikonstruksioni i plotë i stacionit të kompresorëve, si dhe njësive mbështetëse të këtij stacioni, si dhe rivitalizimi i separatorëve. Së fundmi, riparimi dhe kompletimi i rrjeteve ekzistuese të hidrantëve në Ballsh dhe Fier”, – thuhet në shkresën e Albgaz.

Asgjë e re nga TEC Vlora, projekti i Korçës merr status strategjik

Qeveria ka lakuar shpesh se klienti i parë dhe më i madh i gazit në vend, me shumë gjasa do të jetë Termocentrali i Vlorës, gjithmonë nëse studimi i fizibilitetit i tij do të rezultojë me rezultate ekonomike pozitive. Por, nga koha kur u njoftua nisja e punës për studimin e deri më sot, ende nuk ka asnjë të dhënë sesi ka rezultuar projekti për kalimin e TEC Vlorës në prodhim me gaz. Qeveria është kujdesur që, ashtu sikurse ishte parashikuar në masterplanin e gazit, t’i japë priroritet ndërtimit të një tjetër termocentrali. Në muajin prill të këtij viti, Gas Power Plant Korça, një projekt me vlerë 350 milionë euro, kaloi provën në Komitetin e Investimeve Strategjike, duke përfituar lehtësitë që garanton ky status.

Impianti synon të furnizohet me gaz nga projekti i gazsjellësit TAP në sasi 6.36 x 108 m³/vit (distanca 2 kilometra në Veri) sipas një kontrate që vetë subjekti propozues do të negociojë me kompaninë TAP AG dhe furnizuesit e gazit. Energjia elektrike e prodhuar synohet të transmetohet te nënstacioni elektrik Zëmblak, duke dalë në treg të lirë me një qasje treg rajonal, pa parashikuar si kusht nënshkrimin e një marrëveshjeje (PPA) me qeverinë shqiptare. Uji për kondensim (në sasinë 460 m³/orë) (128 l/s) parashikohet të merret nga impianti i pastrimit të ujërave të qytetit të Korçës, ashtu sikundër parashikohet edhe hapja e dy puseve me kapacitet 20-30 litra/s secili.

Projekti, në një fazë të dytë, zhvillon konceptin e ngrohjes qendrore të qytetit të Korçës deri në 80 megavat energji termike, për ngrohje dhe 6 MW për ujë sanitar. Zhvillimi i rrjetit të ujit të nxehtë në të gjithë qytetin synohet të bëhet nga Partneriteti Publik Privat, që do të vendoset ndërmjet subjektit GPP Korçë dhe Bashkisë së Korçës”, thuhet në dokumentet zyrtare.

Revista Monitor,  23.07.2018