Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

KESH arrin rekorde historike prodhimi

Gjysma e parë të vitit ka qenë shumë pozitivë për prodhimin e energjisë në vend. Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ka publikuar treguesit për gjashtëmujorin, ku niveli i prodhimit të kaskadës arriti në 3,914 GWh, rreth 53% më shumë se mesatarja e këtyre 15 viteve të fundit.

Ndikimin kryesor e kanë patur prurjet shumë të larta, mesatarisht 621 m/s, diçka që është e krahasueshme me vitet 2010 dhe 2013. Por edhe krahasuar me këto vite, sasia e prodhimit është rreth 200 GWh më e lartë, pavarësisht faktit se kapacitetet gjeneruese në dispozicion ishin më të vogla për shkak të rehabilitimit të HEC-it të Komanit.

Kjo situatë ka favorizuar thyerjen e disa rekordeve historike, si atë të prodhimit ditor (29,121 MWh), të prodhimit mujor (848.5 GWh), dhe të rezervës energjetike në fillim të muajit Korrik (1,399 GWh).

KESH gjatë kësaj periudhe ka gjeneruar rreth 10.9 miliard lekë të ardhura, nga ku: 3 miliardë lekë si rezultat i shitjes së 1.99 TWh energji tek OSHEE, 7.13 miliardë lekë nga shitja e 1.99 TWh energji në tregun e parregulluar, 581 milionë lekë nga shitjet e shërbimeve energjetike dhe 224 milionë lekë nga shitblerjet e energjisë për optimizim ekonomik.

Fitimi neto për periudhën Janar-Qershor rezulton rreth 6.2 miliardë lekë. Pjesë e këtij fitimi është përdorur për të shlyer 100% detyrimet prej 700 milion lekësh ndaj Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për tarifën koncesionare për energjinë e prodhuar nga PPE&PVE për vitet 2012-2016. Është shlyer edhe detyrimi ndaj PPE&PVE me vlerë rreth 500 milion lekë dhe dëmshpërblimi i mbetur për banorët e Shkodrës nga përmbytjet e vitit 2010.

Për periudhën Janar-Qershor nuk ka patur import energjie, edhe falë reshjeve intensive, të cilat sipas KESH “ishin një dëshmi që jo vetëm që nuk u kompromentua siguria e digave, por u arrit të maksimizohej sasia e energjisë së shitur në raport me shkarkimet e ujit pa prodhim energjie”.

Scan Tv,  18.07.2018