Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Gazsjellësit TAP i ndryshohet skema e TVSH-së në Shqipëri

Në Kuvend është paraqitur për shqyrtim e votim një projektligj që në thelb ndryshon skemën e TVSH-së për gazsjellësin Trans Adriatic Pipeline (TAP).  Sistemi i ri i aplikimit të TVSH-së për furnizimet e materialet që futen në vend në kuadër të këtij projekti madhor, është në thelb një kombinim i sistemit të autofaturimit dhe sistemit tradicional të aplikimit të TVSH-së.

Në këtë mënyrë, synohet të ulet fluksi i kërkesave për rimbursimin e TVSH-së gjatë këtij viti e gjatë vitit të ardhshëm.

Duke marrë në konsideratë jo vetëm rimbursimin e përshpejtuar të TVSH-së për kërkesat e paraqitura tashmë nga projekti TAP, por dhe fluksin në rritje të tyre që pritet të vijojë në vitet 2018 e 2019, mendohet se është i nevojshëm rishikimi i skemës së TVSH-së dhe kalimi në skemën e sipërcituar. Pra, ky propozim, synon të ulë në parametra të menaxhueshëm shumën e kërkesave për rimbursime të TVSH-së, duke bërë të mundur që projekti TAP të mos vihet në vështirësi për financimin e punimeve.

Kjo skemë nënkupton se gjatë fazës së ndërtimit (sikurse përcaktohet në marrëveshjen me qeverinë pritëse), të gjitha furnizimet e nevojshme ndërkombëtare/të huaja dhe vendase të lidhura me projektin TAP, në nivelin e parë dhe të dytë të furnizimeve për projektin TAP do t’i nënshtrohen TVSH-së, nëpërmjet sistemit të autofaturimit. Ky sistem nënkupton që edhe pse në përgjithësi është furnizuesi i një malli apo shërbimi, personi që duhet të llogaritë dhe t’u paguajë autoriteteve tatimore çdo detyrim TVSH-je, në rrethana të caktuara, mund të jetë dhe përfituesi i furnizimit ai që është përgjegjës dhe paguan TVSH-në. Ky kalim i përgjegjësisë për të llogaritur dhe paguar TVSH-në nga furnizuesi te përfituesi i furnizimit quhet mekanizmi i reversecharge.

Sipas kësaj skeme specifike, investitori i projektit identifikon kontraktorët e nivelit të parë dhe të dytë, të cilët më pas i komunikohen Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave. Nga niveli 3 i kontraktorëve e në vazhdim, parashikohet aplikimi i sistemit tradicional të TVSH-së” shkruhet në relacionin e nismës.

Importet e kryera nga investitori i projektit ose çdo kontraktor i nivelit 1 gjatë fazës së ndërtimit, për furnizimet e mallrave që lidhen me projektin janë të përjashtuara nga TVSH-ja. Ato trajtohen si furnizime mallrash të kryera nga importuesi për veten e tij, si pjesë e veprimtarisë së tij ekonomike,

Për sa u përket funizimeve të mallrave dhe shërbimeve brenda vendit nga një kontraktor i nivelit të parë ose i nivelit të dytë, vetëm përfituesi i mallrave/shërbimeve do të jetë i detyruar të paguajë TVSH-në dhe ka të drejtën e zbritjes së kësaj TVSH-je sipas rregullave të përcaktuara.

Zgjidhja konsiderohet se është efektive në aspektin kohor dhe barra administrative kufizohet te kontrolli i kontraktorëve.

“Burimet që do të përdoreshin nga autoritetet tatimore shqiptare për kontrollin e kërkesave për rimbursim mund të përdoren për kontrollin e kontraktorëve të TAP. TAP do të ndajë informacionin mbi kontraktorët me autoritetet përkatëse” vijon relacioni.

Marrëveshja është miratuar në parim në qershor të këtij viti dhe është nënshkruar nga përfaqësuesit e autorizuar të palëve.

Zbatimi i projektligjit nuk shoqërohet me shpenzime financiare në buxhetin e shtetit.

Scan Tv,  06.07.2018