Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Ndryshojnë taksat për hidrokarburet – Jo më sistem hibrid

Regjimi fiskal në sektorin hidrokarbur do të përcaktohet me një ligj të veçantë, duke ndryshuar sistemin e taksave për kompanitë që kryejnë operacionet e kërkim-zbulimit dhe nxjerrjes së naftës dhe gazit në vend. Përmes një projektligji të mbërritur në Kuvend për diskutim, qeveria thekson se sistemi ekzistues është i një natyre hibride përmes së cilës taksa vendoset nga ligji, por baza e taksës mbështetet kryesisht në marrëveshjet hidrokarbure. Për këtë arsye, drafti i paraqitur për diskutim synon t’i japë përparësi ligjit dhe më pas marrëveshjeve të lidhura me kompanitë. Referuar dokumentit, një nga taksat kryesore që paguhet sot nga kompanitë që kryejnë operacione hidrokarbure e që është renta minerare, do të rregullohet vetëm me këtë ligj. Kështu, renta llogaritet duke aplikuar një normë prej 10% të vlerës së tregut të hidrokarbureve të nxjerra.

Kjo vlerë është çmimi me të cilin nafta apo gazi shitet në pikën e lëvrimit. Ndërkaq, sa i takon tatim-fitimit aktualisht aplikohet norma e tatimfitimit mbi bazën e tatueshme të përcaktuar nga marrëveshja përkatëse hidrokarbure, çka krijon natyrën hibride të sistemit aktual. Kjo do të thotë që baza e saktë e taksës ndryshon nga marrëveshja në marrëveshje dhe duke qenë se marrëveshja është e negociuar, sipas relacionit mund të krijojë probleme pasigurie. Për këtë arsye, projektligji parashikon se tatimi mbi fitimin i vendosur për operacionet hidrokarbure në parim është i njëjtë me atë të vendosur në ligjin e tatimit mbi të ardhurat, por mbi një bazë të veçantë tatimore dhe me një normë të veçantë tatimi.

Projektligji sqaron se operatorët e hidrokarbureve mbeten përgjegjës për tatimin mbi fitimin në normën 15% të tatimit mbi fitimin për operacionet johidrokarbure. Ndërkohë që, tatimi mbi fitimin nga operacionet hidrokarbure, për një periudhë tatimore, llogaritet duke aplikuar shkallën tatimore 50% të fitimit të tatueshëm nga operacionet hidrokarbure për këtë periudhë. Ndryshimet parashikohen të hyjnë në fuqi me nisjen e vitit që vjen, por për marrëveshjet hidrokarbure që tashmë janë nënshkruar thuhet se administrata tatimore do të zbatojë legjislacionin fiscal, pasi merr në konsideratë çdo mbrojtje specifike apo përjashtim fiskal të parashikuar në marrëveshje.

Scan,  27.06.2020