Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Të ardhurat e KESH në 6 muaj – 60 mln euro nga tregu i parregulluar

Rreth 60 milionë euro janë të ardhurat e Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare nga shitja e energjisë në tregun e parregulluar për 6-mujorin e parë të këtij viti.

Sipas raportit të treguesve për këtë periudhë rezulton se u prodhuan 3.91 TWh energji, ndërkohë që edhe 6-mujori i dytë i vitit ka nisur mirë për gjeneruesin më të madh të energjisë në vend, duke qenë se Liqeni i Fierzës është në kuotën e tij maksimale, prej 296.18 metrash mbi nivelin e detit.

Kjo është edhe një nga periudhat më optimale, duke qenë se prej 4-muajsh ka qëndruar në këto nivele, ndërkohë që rezervat e bollshme hidrike kanë lejuar tre HEC-et e kaskadës, të punojnë me kapacitet të plotë.

Sipas KESH, prurjet e fundit janë rreth 850 metër kub për sekondë, çka do të thotë se janë të mjaftueshme për të ruajtur balancën mes sasisë së ujit që del nga 4 turbinat që prodhojnë energji elektrike dhe sasisë së prurjeve që shkarkohen në liqenin e Fierzës.

Ky është një lajm i mirë për financat e korporatës, e cila për shkak të thatësirës së tejzgjatur e mbylli me humbje vitin 2017.

Sipas bilancit vjetor të kompanisë niveli i humbjeve u regjistrua në rreth 1.1 miliard lekë, ndryshe nga një vit më parë ku u regjistrua një bilanc pozitiv prej 1.7 miliard lekë.

Scan Tv,  03.07.2018