Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Studimi i fizibilitetit për gazsjellësin Fier-Vlorë, brenda qershorit

Kompania shtetërore azere e naftës SOCAR bëri të ditur përmes një deklarate se synon të përgatisë një studim fizibiliteti për ndërtimin e një tubacioni 40 km në Shqipëri deri në fund të vitit 2018. Lajmi i shpërndarë ditët e fundit nga media vendase Trend citonte se kompania SOCAR, nëpërmjet degës SOCAR Balkan, gjithashtu do të ofrojë një projekt inxhinierik të frontit (FEED) për tubacionin e gazit të planifikuar për të lidhur qytetet jugperëndimore shqiptare, Fierin dhe Vlorën.

Portali Trend citoi kreun e departamentit të marrëdhënieve me investitorët pranë SOCAR, Kamran Huseinov të deklaronte se studimi i fizibilitetit mendohet të zbatohet në një fazë paraprake të projektit, e cila është duke u zhvilluar nga kompania gjermane IMPaC Offshore Engineering dhe duhet të përfundojë deri në fund të qershorit. Bazuar në rezultatet e saj SOCAR do të përgatisë një studim fizibiliteti.

Gazsjellësi, i cili do të lidhë tubacionin Trans Adriatik (TAP) me një uzinë të furnizimit me gaz që do të ndërtohet pranë qytetit të Fierit, do të ketë një kapacitet vjetor prej 1 miliard metra kub, sipas raportit.

Qeveria shqiptare tha në nëntor se miratoi një memorandum mirëkuptimi (MoU) me qeverinë e Azerbajxhanit për zhvillimin e planit master të gazit në Shqipëri. Memorandumi i Mirëkuptimit vendos bazat për ndihmë nga SOCAR në ndërtimin e infrastrukturës së nevojshme për gazifikimin e vendit, me gaz që do të ushqehet përmes TAP.

Dega TAP CP1 – Fier – Vlorë, e konsideruar si një nga projektet prioritare, mbulon një zonë me kërkesa prej rreth 250 milion m3/vit. Nga kjo sasi, rreth 190 milion m3/vit do të jenë nevojat e TEC-it ekzistues të Vlorës (100MË) dhe atij të mundshëm (200MW). Zëvendësimi i naftës me gaz natyror në TEC-in ekzistues do të shmangë ndotjen. Linja e transmetimit PIP1 do të jetë rreth 40 km e gjatë, do të kushtojë rreth 15 milion euro dhe është parashikuar të ndërtohet brenda tre vjetësh. Rrjeti i shpërndarjes së gazit në qytetin e Vlorës është parashikuar të jetë rreth 230 km i gjatë dhe do të kushtojë rreth 32 milion euro. Kjo degë transmetimi do t’i nënshtrohet studimit të fizibilitetit dhe VNM-së së plotë, me mbështetjen e projektit të asistencës teknike të ofruar nga SECO.

Trend,  19.06.2018