Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Serbia, pengesë për tregun e përbashkët energjitik Kosovë-Shqipëri

Serbia po vazhdon të jetë barrierë kryesore për Kosovën në sektorin e përfitimit energjetik.

Nga moszbatimi i marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel, Kosovës po i pamundësohet integrimi në një treg të përbashkët energjetik me Shqipërinë.

Ky problem u theksua në forumin ndërkombëtar “Bashkimi i Tregut në Sektorin e Energjisë mes Kosovës dhe Shqipërisë”, të organizuar mes dy shteteve fqinje.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka në prezantimin e arritjeve të Kosovës në sektorin energjetik ka përmendur marrëveshjen për ndërtimin e termocentralit prej 500 megavatesh të nënshkruar me kompaninë “Contour Global”, si dhe ligjin për efiçiencë që parasheh kursimet e Kosovës.

“E kemi kaluar më Qeveri ligjin për efiçiencë të energjisë që parasheh kursimet që duhet të bëj Kosova. Rreth 20 objekte publike janë ndryshuar me një kredi nga banka botërore. Integrimi i tregut dhe bursa për energji mes Kosovës dhe Shqipërisë është arsyeja pse jemi këtu”, ka thënë ministri Lluka.

Ai ka treguar se ideja është në krijimin e një tregu sa më konkurrues në rajon.

Derisa ka përmendur tutje edhe efektet e kësaj marrëveshje të përbashkët në mes tyre përmirësimin e sigurisë së furnizimit me energji dhe rritjen e volumit të shkëmbimeve bashkë me rritjen e të hyrave

“Kemi një pengesë zbatimi i marrëveshjes së interkoneksionit me Serbinë është i pamundur integrimi i Kosovës me Shqipërinë. I kemi lëvizur disa gjëra po presim që deri në fund të këtij viti Kosova të jetë bllok i pavarur energjetik”, ka shtuar tutje ministri.

Ndërkohë për marrëveshjen e përbashkët në mungesë të ministrit te Infrastrukturës dhe Energjisë të Shqipërisë, Damian Gjiknuri, ka folur një përfaqësuese e këtij dikasteri.

“Synojmë të shtojmë 400 megavat për gjenerimin e kapaciteteve të energjisë. Po punojmë për sigurimin e furnizimit me energji. Themelimi i bursës së energjisë është aktivitet tjetër. Grupet teknike po punojnë. Shqipëria ka 6 linja të interkoneksjonit me vendet në fuqi”, ka prezantuar ajo.

Ndryshe, Konfindustria, me mbështetjen e Ministrisë të Zhvillimit Ekonomik të Kosovës dhe Ministrisë të Infrastrukturës dhe Energjisë të Shqipërisë organizuan Forumin Ndërkombëtar “Bashkimi i tregut në sektorin e energjisë mes Shqipërisë dhe Kosovës – Roli i krijimit të shkëmbimit të përbashkët të energjisë në këtë proces”.

Krahas drejtuesve  të ministrive respektive, Valdrin Lluka dhe Damian Gjiknuri,  po marrin pjesë dhe përfaqësues të TKE-së, USAID.

Zëri,  19.06.2018