Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Çeliku aziatik në Europë

Bashkimi Europian mund të vendosë masa paraprake në muajin Korrik,  për të mbrojtur industritë e çelikut dhe aluminit, pavarësisht se një hetim i plotë mund të kërkojë 9 muaj, sipas Komisioneres së Tregtisë, Cecilia Malmstrom. “Ne mund të ndërmarrim masa në Korrik. Ne kërkojmë të shohim rezultatet paraprake të këtij hetimi”, tha ajo, duke shtuar se ekzistojnë prova që çeliku i destinuar për tregun amerikan,  po devijon në Europë prej tarifave.

Nën rregullat e Organizatës Botërore të Tregtisë,  BE mund të caktojë tarifa provizore për deri në 200 ditë, nëse zbulon se rritja e importeve kërcënon rëndë sektorët e çelikut dhe aluminit. Komisioni Europian, që mbikëqyr politikat tregtare për unionin, ka nisur një studim në fund të muajit Mars, për të zbuluar nëse tarifat e Shteteve të Bashkuara justifikojnë veprime për të parandaluar dyndjen e çelikut aziatik në Europë.

Tarifat prej 25% për çelikun dhe 10% për aluminin kanë hyrë në efekt në datën 23 Mars dhe u bënë efektive edhe për prodhuesit europianë të Premten e kaluar.  Bashkimi Europian do të kundërpërgjigjet gjithashtu, nën rregullat e Organizatës Botërore të Tregtisë, duke vendosur tarifat e veta për një listë të mallrave amerikanë.

“Çdo gjë që bëjmë është në përputhje me Organizatën Botërore të Tregtisë,  ndryshe nga vendet e tjera”, tha Malmstrom. Sipas saj, luftërat tregtare nuk janë të lehta për t’u fituar dhe ditët e fundit kanë treguar se Donald Trump ka zgjedhur një rrugë tejet të vështirë për të ndjekur.

Scan Tv,  05.06.2018