Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Marrëveshja me CEZ, kësti i fundit këtë gusht

Qeveria pritet që të mbyllë këtë vit pagesat ndaj çekëve të CEZ  sipas një marrëveshje të arritur pas negociatave në vitin 2014 çka u shoqërua me tërheqjen përfundimtare të palëve nga Arbitrazhi. Kësti i fundit i shumës prej 95 milionë euro pritet që të paguhet në gusht ndërkohe që referuar dokumenteve zyrtare në vitin 2017 kompania e shpërndarjes OSHEE pagoi për llogari të çekëve 21 milionë euro.

Marrëveshja mes qeverisë dhe kompanisë çeke u arrit në kulmin e debatit për statusin e Shqipërisë në Bashkimin Europian por edhe nevojën e ndërhyrjeve në sektorin energjetik i zhytur në borxhe dhe që nuk mund të kreditohej nga institucionet ndërkombëtare financiare pa mbyllur “llogaritë e vjetra”.

Marrëveshja që u arrit mes qeverisë dhe CEZ në vitin 2014 kishte në bazë të saj tre pika. Së pari transferimin e menjëhershëm të aksioneve në favor të shtetit shqiptar 76 % që zotëroheshin nga CEZ duke i dhënë shtetit shqiptar pronësi të plotë të shoqërisë.

Së dyti pala çeke hiqte dorë nga kërkimi i vlerës prej 103 milionë euro të paguar për blerjen e aksioneve në vitin 2009 si dhe nga çdo pretendim tjetër financiar që lidhet me vlerën e blerjes dhe investimeve fillestare.

Së treti shoqëria e re e shpërndarjes e energjisë, pra shoqëria e re që merr aksionet nga pala çeke e kontrolluar nga shteti merrte përsipër t’i paguajë palës çeke një vlerë prej 87.1 milionë euro. Kjo vlerë u dakortësua të paguhej me këste deri në vitin 2018 me një vlerë të përgjithshme interesi 7.9 milionë euro mbi principalin e dakortësuar. Ky principal përfaqëson kreditë e mara dhe shumat e faturuara dhe të kërkueshme në çdo kohë nga CEZ s.a.

Privatizimi i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes u bë në vitin 2008 nga qeveria Berisha kur çekëve të CEZ i’u dha kontrolli i 76 për qind të aksioneve kundrejt shumës 103 milionë euro. Kompania pas privatizimit u përfshi në një cikël problemesh që më pas do të kulmonte me heqjen e licencës nga ana e ERE çka detyroi çekët të braktisnin Shqipërinë dhe t’i drejtoheshin arbitrazhit.

Revista Monitor,  22.05.2018