Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Rrëzohet projekti i parkut fotovoltaik në Novoselë

Në verën e vitit 2016, pranë ish-Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë, do të dorëzohej projekti i një parku fotovoltaik, që parashikonte një vlerë investimi prej 72 milionë eurosh.

Nisur nga fakti se ky ishte projekti i parë me këto përmasa, ish-Ministria e Energjisë dhe Industrisë, sot e Infrastrukturës dhe Energjisë, do të sqaronte në atë kohë se bëhej fjalë për një bashkëpunim të kompanisë Novosela Photovoltaic Power Plant me kompani gjermane. Ato parashikonin ndërtimin e një centrali me kapacitet të instaluar prej 50 MW, në një sipërfaqe 154 hektarë në zonën e Novoselës në Vlorë.

Por sot, dy vjet nga koha e dhënies së autorizimit për këtë kompani, duket se projekti i parkut është rrëzuar. Kjo pasi në të njëjtën zonë, sipas dokumenteve zyrtare, pritet që të ndërtohet aeroporti i Vlorës. “Realizmi i parkut fotovoltaik është në mospërputhje me destinacionin e parashikuar në Planin e Përgjithshëm Vendor në Vlorë, miratuar në Këshillin Bashkiak dhe në KKT me vendimin nr. 1, datë 16.10.2017. Sipas PPV Vlorë, në këtë zonë parashikohet realizimi i një aeroporti”, thuhet në dokumentet zyrtare.

Sipas të njëjtave dokumente, kompania mori një autorizim paraprak 6-mujor nga ana e MIE, por që nuk arriti që të bënte konkretisht ndonjë hap, madje ajo nuk ka paraqitur as një seri dokumentesh që janë kërkuar në hallka të ndryshme institucionale, për ta trajtuar atë si investim me rëndësi të veçantë.
Aktualisht, edhe pse pranë MIE janë dorëzuar me qindra aplikime, sot nuk ka asnjë projekt konkret për parqe fotovoltaikë. Kërkesa më e madhe ka qenë për parqe me fuqi të instaluar 2 MW, për të cilët Enti Rregullator i Energjisë ka caktuar një çmim inkurajues 100 euro/MW.

Aeroporti i Vlorës
Muajt e parë të këtij viti nisën me një seri deklaratash të bëra nga ana qeveria lidhur me projektin e një aeroporti të dytë në Vlorë, që parashikohet të ketë një kosto 100 milionë euro. Konsorciumi që ka shfaqur interes për ndërtimin ka në përbërje tre kompani turke, me të cilat qeveria miratoi një procedurë të përshpejtuar për të hyrë në negociata.

Cengiz Construction; Kalyon Construction; Kolin Construction janë kompanitë që janë bashkuar nën një të vetme për ndërtimin e aeroportit në zonën e Akërnisë, që pritet të hapë të paktën 1 mijë vende pune.

Diskutimet për aeroportin gjatë muajve të parë të vitit u ndalën tek mënyra sesi do të garantohej fitimi i turqve ku, qeveria argumentoi se rëndësia që ka një aeroport i dytë në vend dhe me ndikim në sektorin e turizmit, justifikon nismën, duke deklaruar se do të ketë garantim të fitimit nga buxheti.

Revista Monitor,  18.04.2018