Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

E ardhmja e makinave është hidrogjeni

Një dekadë pasi Tesla e la në baltë teknologjinë e hidrogjenit duke hedhur në treg makinën e saj të parë elektrike, drejtuesit e kompanive prodhuese të automjeteve ende mendojnë se makinat që emetojnë vetëm ujë janë e ardhmja.

Në një anketë ku u pyetën 100 shefa të kompanive automobilistike në të gjithë botën, 78% u shprehën se mendonin se qelizat e karburantit do të jenë forca e vërtetë në të ardhmen. Ndërkohë, vetëm 6% e kundërshtonin këtë pohim, në favor të makinave elektrike.

Por pavarësisht kësaj bindjeje të fortë, makinat me hidrogjen janë lënë pas dore. Daimler AG, kompania mëmë e Mercedes po përqendrohet në modelet me bateri elektrike, ndërsa shprehet se do të vijojë të prodhojë një numër të kufizuar modelesh me hidrogjen, në rast se do të ketë ndonjë ndryshim preferencash në treg.

Plane të ngjashme ka edhe BMW, e cila po planifikon 10 modele me bateri deri në vitin 2022, kundrejt 1 modeli me qelizë karburanti.

Kur transporti i pastër filloi të kapej nga imagjinata e publikut në vitet ’90, hidrogjeni ishte po aq premtues sa bateritë, jo vetëm për shkak se mund të udhëtojnë më gjatë pa patur nevojë të karikohen, por për faktin se elektriciteti në automjetet me hidrogjen krijohet duke e bashkuar kimikisht këtë “karburant” me oksigjenin që ndodhet në ajër.

Linde, një kompani që ofron transport në Mynih falë flotës së saj të automjeteve me hidrogjen që mund të përshkojnë 600 kilometra me një furnizim, ka njoftuar mbylljen. Në vend të saj, po mbizotëron programi DriveNow, i cili përbëhet nga një flotë prej 700 automjetesh me bateri.

Pjesë e problemit janë kostot. Investimet e mëdha në bateritë me litium po ulin çmimet shumë shpejt dhe tashmë automjetet elektrike kushtojnë shumë më pak se ato me hidrogjen.

Një tjetër problematikë e madhe është numri i kufizuar i stacioneve që ofrojnë qeliza karburanti. Në Mynih ka 4 stacione hidrogjeni, ndërsa në total në Gjermani ka vetëm 30. Kur krahasohet me qindra stacionet publike të karikimit për makinat me bateri, bën shumë sens që këto të fundit të mbizotërojnë.

Megjithatë ka ende investime për hidrogjenin. Japonia kërkon që makinat dhe autobusët që do të transportojnë atletët në Lojërat Olimpike të vitit 2020 në Tokio të jenë me hidrogjen. Edhe Kalifornia ka shpenzuar 100 milionë dollarë për të ngritur stacione shtesë furnizimi.

Megjithatë këto përpjekje zhbëhen nga Kina, tregu më i madh i automjeteve në botë, i cili po kërkon kalimin total të flotës së saj në makina me bateri elektrike.

Duket se shansi i mbetur për qelizat e karburantit është në segmentin tregtar, që përfshin furgonët, kamionët, trenat, autobusët dhe ambulancat, të cilat do të përfitonin nga rrezja më e gjatë e udhëtimit. Gjermania planifikon të fusë në shërbim 14 trena me hidrogjen deri në vitin 2021, të aftë të përshkojnë 1 mijë kilometra me vetëm një mbushje serbatori.

Parashikimet e Fondacionit Europian të Klimës tregojnë se deri në vitin 2030, automjetet me qeliza karburanti do të zënë vetëm 2% të shitjeve. Por me kalimin e kohës, përqindja e tyre në treg do të rritet duke kapur 10% në vitin 2035, 19% në vitin 2040 dhe 26% në vitin 2050.

Për këtë arsye, shumë prodhues po e mbajnë një linjë të vogël prodhimi me këtë teknologji. Në janar, Hyundai prezantoi një fuoristradë që mund të përshkojë 800 kilometra me një serbator, 40% më tepër se sa distanca maksimale e modelit X të Teslas. Edhe japonezët e Toyota dhe liderë të karburantit si Shell, shpresojnë në fitoren e hidrogjenit.

Publiku mund të mos e dijë se teknologjia e qeliza të karburantit do të jetë e ardhmja, por prodhuesit e kanë bërë të qartë se nëse do të kemi 1 milionë makina elektrike në rrugë, edhe makinat me hidrogjen do të kenë pjesën e tyre.

Scan Tv,  26.03.2018