Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Rritet aktiviteti i shpim-kërkimit në SHBA

Çmimet e naftës e kanë nisur javën në rënie të lehtë, për shkak të rritjes së aktivitetit të shpim-kërkimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që ka rikthyer frikën për mbifurnizim të tregut.

Nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 62 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 66 dollarë për fuçi. Ndërkohë, në sesionin e fundit të javës së kaluar, çmimet u rritën ndjeshëm për shkak të shqetësimeve që kanë të bëjnë me tensionet në Lindjen e Mesme.

Megjithatë, tregu i naftës po përballet me mundësinë e mbifurnizimit, pas një deficiti në lehtë në vitin 2017. Kompanitë amerikane të energjisë e rritën me 4 njësi numrin e puseve aktive, gjatë javës që u mbyll më 16 mars, në totalin e 800 puseve.

Ky aktivitet, që është një tregues për prodhimin në të ardhmen afatshkurtër, është shumë më i lartë se një vit më parë, duke bërë që prodhimi në SHBA të rritet me rreth 23%, që nga mesi i vitit 2016, në një total prej 10.38 milionë fuçi në ditë.

Tashmë, SHBA ka tejkaluar Arabinë Saudite, përsa i përket prodhimit, dhe qëndron prapa Rusisë që prodhon rreth 11 milionë fuçi në ditë. Rritja e prodhimit në SHBA, Kanada dhe Brazil po dëmton përpjekjet e OPEC dhe Rusisë për të ulur prodhimin me 1.8 milionë fuçi në ditë.

Investitorët janë të fokusuar edhe te zhvillimet gjeopolitike, si sanksionet e perëndimit ndaj Iranit dhe kriza diplomatike mes Britanisë dhe Rusisë.

Scan Tv,  20.03.2018