Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Drejtori i SHELL: Planet tona për naftën shqiptare

Flet Jan-Henk van Konijnenburg, Menaxheri i Përgjithshëm i Shell Upstream Albania (SUA)

 

Shell Upstream Albania ka nënshkruar një marrëveshje të re me qeverinë për të shfrytëzuar Bllokun 4, i cili e përforcon pozicionin e sipërfaqes të eksplorimit të kompanisë në vend. “Pozicioni që kemi tashmë në Shqipëri, na ofron mundësi të mjaftueshme për të eksploruar në dhjetëvjeçarin e ardhshëm”, pohon në një intervistë për “Monitor”, Jan-Henk van Konijnenburg, i cili është Menaxheri i Përgjithshëm i Shell Upstream Albania (SUA) dhe është përfshirë me aktivitetet e Shell në Shqipëri që nga viti 2012. Jan-Henk ka punuar me Shell për më shumë se 20 vjet në një sërë rolesh dhe ka punuar në vende si Holanda, Malajzia, Brazili dhe Mbretëria e Bashkuar.

Z. Konijnenburg, shton se aktivitetet e vlerësimit të zbulimit në Shpirag janë duke përparuar. Ai sqaron se nënsipërfaqja në zonën e Shpiragut është e përbërë nga shkëmbinj shumë të fortë të kombinuar me seksione të vështira flishore, dhe për të arritur rezervuarin e hidrokarbureve na duhet të shpojmë në thellësinë rreth 5000 deri në 6000 metra. Këto janë disa nga puset më të thellë dhe më të ndërlikuar në botë për t’u shpuar.

Ai mbetet optimist se, nëse program i vlerësimit rezulton i suksesshëm, atëherë mund të flasim për një zhvillim që mund të prodhojë disa qindra milionë fuçi të rikuperueshme. “Këto volume do të ishin të rëndësishme për Shell, por ato do të ishin veçanërisht domethënëse për Shqipërinë dhe për të gjithë rajonin”.

Cili është investimi i Shell deri tani në Shqipëri?

Në datën 9 shkurt 2012, Shell Upstream Albania B.V., mori interesat e dy blloqeve ekzistuese kërkimi në tokë me vendndodhje në jug të Shqipërisë Qendrore (Blloqet 2-3) të mbajtura nga Petromanas. Në qershor të vitit 2013, Shell dhe Petromanas ranë dakord për një kalim të dytë interesash, i cili rezultoi në marrjen e 75% të interesave të Bllokut 2-3 nga Shell.

Në shkurt të vitit 2016, Shell fitoi 25% të interesave të mbetura të Petromanas dhe u bë operator i KNP për Blloqet 2-3 në datën 1 mars 2016. Që në atë moment, ne kemi shpuar pusin Shpirag 3 dhe para disa javësh, filluam shpimin e një pusi të ri, pusin Shpirag 4. Kështu që, nëse do të mbledhim të gjitha investimet që Shell ka bërë për këtë projekt, gjatë këtyre viteve, shifra shkon në qindra miliona dollarë.

Si po ecën faza e tanishme e eksplorimit?

Aktivitetet e vlerësimit të zbulimit në Shpirag janë duke përparuar. Operimi në mënyrë të sigurt është thelbësor për mënyrën se si ne i furnizojmë konsumatorët me energji dhe produkte. Qëllimi ynë është që, të gjitha objektet tona të funksionojnë pa dëmtuar njerëzit dhe pa shkaktuar derdhje në mjedis, këtë ne e quajmë “Qëllimi Zero”.

Sipas Manualit tonë të Kontrollit të Rregullave për Shëndetin, Sigurinë, Mjedisin dhe Performancën Sociale (HSSE & SP), të gjithë punonjësit e Shell dhe kontraktorët, si dhe të gjithë punonjësit e shoqërive me të cilat kemi marrëveshje dhe me të cilat operojmë, duhet të ndjekin rregullat tona të sigurisë, të ndërhyjnë në situata të pasigurta dhe të respektojnë fqinjët tanë dhe ambientin. Këto pritshmëri dhe kontrolle janë themelet e kulturës proaktive të sigurisë që ne e ushqejmë në fuqinë tonë punëtore dhe në komunitetet ku operojmë.

Nënsipërfaqja në zonën e Shpiragut është e përbërë nga shkëmbinj shumë të fortë të kombinuar me seksione të vështira flishore, dhe për të arritur rezervuarin e hidrokarbureve, na duhet të shpojmë në thellësinë rreth 5000 deri në 6000 metra. Këto janë disa nga puset më të thellë dhe më të ndërlikuar në botë për t’u shpuar.

Në fund të vitit 2017, ne ndaluam operacionet e shpimit në pusin Shpirag-3, për të vlerësuar mundësitë që kemi në dispozicion, dhe vendosëm të vazhdonim me vlerësimin e perspektivës së Shpiragut, duke filluar shpimin në pusin Shpirag-4. Ne sot zotërojmë një nga sondat më të fuqishme në Europë dhe një fuqi punëtore me shumë përvojë për të mbështetur operacionet.

Ju sapo keni nënshkruar një marrëveshje të re me qeverinë shqiptare. Si ndryshon kjo marrëveshje në raport me atë të mëparshmen?

Ne besojmë në një marrëdhënie afatgjatë partneriteti me qeverinë shqiptare. Ne ju qëndrojmë fort parimeve si ndershmëria, integriteti dhe drejtësia në të gjitha aspektet e biznesit tonë dhe ne presim të njëjtën gjë në marrëdhëniet tona me të gjithë ata që bëjmë biznes.

Për ne ishte thelbësore që procesi i negocimit ishte transparent dhe unë besoj se, procesi i krijuar nga qeveria, u ndoq si duhet. Kjo gjë u arrit përgjatë gjithë procesit të ofertimit, shpalljes fitues dhe negocimit të kontratës.

Kjo është kontrata e parë që qeveria shqiptare negocioi dhe firmosi drejtpërsëdrejti me Shell dhe u deshën tre vjet diskutime përpara se të arrihej ajo që unë besoj se është një marrëveshje përfituese për të dyja palët. Qeveria arriti ta përmirësojë marrëveshjen në mënyrë domethënëse në krahasim me të gjitha kontratat ekzistuese në Shqipëri, pasi ajo siguron më shumë të ardhura për Shqipërinë që nga dita e parë. Ajo gjithashtu siguron një angazhim nga ana e Shell, që të investojë në projekte për zhvillimin e kapaciteteve të autoriteteve rregullatore në vend. Të gjitha këto kontribuojnë për të ndërtuar një marrëdhënie partneriteti afatgjatë.

Sa mendoni se janë sasitë e rezervave të naftës në zonën ku po eksploroni?

Është ende herët për të bërë një vlerësim të rezervave të zbulimit të Shpiragut. Tani jemi të përqendruar që të zbatojmë në mënyrë të sigurt dhe të suksesshme programin tonë të eksplorimit dhe të vlerësimit. Megjithatë, nëse programi i vlerësimit rezulton i suksesshëm, atëherë mund të flasim për një zhvillim që mund të prodhojë disa qindra miliona fuçi të rikuperueshme. Këto volume do të ishin të rëndësishme për Shell, por ato do të ishin veçanërisht domethënëse për Shqipërinë dhe për të gjithë rajonin.

Sipas jush, në rast të një skenari pozitiv, kur do të mund të filloni të shisni naftën e gjetur? A po synoni tregun vendas apo atë të huaj për ta shitur?

Në rast të një skenari pozitiv do të duhen disa vite që të përgatitemi për prodhim komercial, i cili presim të fillojë në pjesën e parë të dhjetëvjeçarit të ardhshëm.
Shell është një kompani globale dhe ne kemi mundësi të hyjmë në tregjet më të mira të botës. Ne gjithashtu kemi angazhime ndaj qeverisë shqiptare që ta shesim naftën me çmimin më të mirë të mundshëm, në mënyrë që të sigurojmë shkallën më të lartë të fitimit, si për qeverinë Shqiptare edhe për Shell.

Si është cilësia e naftës në zonën ku po eksploroni?

Ne kemi të dhëna që cilësia e naftës është e tillë që mund të shitet në çdo treg të mundshëm në botë.

Në një skenar pozitiv, cila do të ishte sasia e investimeve të parashikuara?

Gjatë kësaj faze të parë – eksplorim dhe vlerësim – ne do të mbledhim të dhëna, të cilat do të përcaktojnë të ardhmen e investimeve tona. Por në rast të një skenari pozitiv, e nëse ne vendosim të shkojmë në fazën tjetër, atë të zhvillimit, investimi do të jetë i konsiderueshëm si për Shell ashtu edhe për vendin. Në këtë rast do të duhet të shpojmë dhjetëra puse, të ndërtojmë disa objekte të përpunimit, një infrastrukturë të re tubacionesh, të investojmë për rrugë të transportit të naftës, e kështu me radhë. Dhe kështu mund ta imagjinoni ndikimin që do të ketë në vend. Kjo do të thotë më shumë vende pune, më shumë kontraktorë shqiptarë që punojnë me ne dhe më shumë projekte të investimeve sociale.

 

Skenari pozitiv

Në rast të një skenari pozitiv, e nëse ne vendosim të shkojmë në fazën tjetër, atë të zhvillimit, investimi do të jetë i konsiderueshëm si për Shell ashtu edhe për vendin. Në këtë rast do të duhet të shpojmë dhjetëra puse, të ndërtojmë disa objekte të përpunimit, një infrastrukturë të re tubacionesh, të investojmë për rrugë të transportit të naftës, e kështu me radhë.

 

Cili do të ishte ndikimi i zbulimit të Shell në ekonominë shqiptare, në mundësitë për punësim, taksa, ndikimin lokal (rreth zonës ku operoni), etj.?

Partneriteti ynë me qeverinë shqiptare është më i gjerë se sa thjesht ndarja e përfitimeve të një përpjekjeje të suksesshme eksplorimi. Në partneritet me qeverinë, ne duam të ndihmojmë të ndërtohet një industri e frytshme e energjisë në vend.

Aktualisht, synojmë të analizojmë prodhueshmërinë dhe madhësinë e këtij zbulimi, duke shpuar disa puse vlerësues. Nëse pas këtij vlerësimi, fusha e zbulimit rezulton komercialisht e qëndrueshme, potencialisht ndikimi i saj do të rigjallëronte ndjeshëm industrinë shqiptare të naftës dhe gazit e do të krijonte hapësira për zhvillim të tregut të kualifikuar të punës, të aftësive të industrisë dhe të sektorit specifik të shërbimeve.

Ndikimi direkt do të shihet fillimisht në zonën ku ne operojmë. Ne kemi një marrëdhënie shumë të mirë me komunitetet lokale. Në të gjitha aktivitetet tona, ne investojmë në projekte që u shërbejnë komuniteteve. Ne synojmë që projektet tona sociale të jenë të dobishme për shoqërinë vendore, në mënyra të matshme dhe që shkojnë përtej kontributit të Shell. Ne i përcaktojmë strategjitë tona të investimeve sociale në kontekst të zhvillimeve dhe nevojave lokale. Qëllimi është që ta rrisim kontributin tonë të programit social, në raport të drejtë me zhvillimin e biznesit tonë në vend.

Në gjithë këtë është e rëndësishme të kuptohet se Shell i vendos të gjitha paratë e investimeve që në fillim dhe pa garanci se do të arrijë të shohë kthimin e këtij investimi. Eksplorimi është një biznes me rrezik; nëse nuk arrihet të gjenden volume hidrokarbure komerciale, ne e humbasim gjithë investimin e kryer.

 

Potenciali

Aktualisht, synojmë të analizojmë prodhueshmërinë dhe madhësinë e këtij zbulimi, duke shpuar disa puse vlerësues. Nëse pas këtij vlerësimi, fusha e zbulimit rezulton komercialisht e qëndrueshme, potencialisht ndikimi i saj do të rigjallëronte ndjeshëm industrinë shqiptare të naftës dhe gazit e do të krijonte hapësira për zhvillim të tregut të kualifikuar të punës, të aftësive të industrisë dhe të sektorit specifik të shërbimeve.

 

A keni interes të eksploroni në zona të tjera në Shqipëri?

Ne sapo nënshkruam një marrëveshje të re, Bllokun 4, i cili na e përforcon pozicionin e sipërfaqes sonë të eksplorimit në vend. Pozicioni që kemi tashmë në Shqipëri na ofron mundësi të mjaftueshme për të eksploruar në dhjetëvjeçarin e ardhshëm.

Si e gjykoni klimën e të bërit biznes për sa i përket kuadrit rregullator të industrisë ku bëni pjesë?

Si investitorë të kahershëm, ne kemi përjetuar një kulturë mikpritëse dhe bashkëpunuese nga të gjitha autoritetet dhe institucionet qeverisëse. Ne do të vazhdojmë të ndajmë përvojën tonë, në mënyrë që prej saj të përfitojnë edhe partnerë të tjerë dhe e gjithë industria.

Dua të theksoj se arritja e përfitimeve të plota nga nafta dhe gazi në ekonominë e gjerë do të kërkojë politika (fiskale) dhe struktura rregullatore të fuqishme dhe të qëndrueshme, që sigurojnë kuadrin në të cilin mund të bazohen vendime potenciale për investime të mëdha. Ne e nxisim qeverinë shqiptare që të vazhdojë përpjekjet për të krijuar një klimë pozitive për investimet e huaja, të bazuar në transparencë, shtet ligjor dhe politika të qëndrueshme.

Revista Monitor,  04.03.2018