Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Rama: Të prerë kundër çdo HEC-i në zona turistike

Kryeministri Edi Rama është shprehur edhe njëherë i prerë për moslejimin e ndërtimit të hidrocentraleve të reja në zonat me rëndësi turistike. Duke folur gjatë prezantimit të planit të zhvillimit për Beratin, Rama siguroi qytetarët se qeveria do të garantojë mbrojtjen e mjedisit.

“Ashtu si ne do të jemi jashtëzakonisht të prerë dhe refuzues ndaj çdo kërkese për të ndërtuar hidrocentrale në pika kaq të rëndësishme, me potencial kaq të madh zhvillimi turistik, po ashtu do jemi po aq të prerë për vendosjen e masave drastike për shfrytëzuesit e guroreve”, tha Rama.

Sipas kryeministrit, arsyeja për ashpërsimin e masave ndaj guroreve është abuzimi me lejet si dhe mosrespektimi i pjesëve detyruese të kontratave, të cilat kërkojnë rehabilitimin e zonës duke mbjellë pemë. Rama tha se do të nisë një projekt i rehabilitimit të këtyre guroreve, projekt i cili do të nisë nga Kruja, sipas një plani të përcaktuar nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore.

Duke folur për turizmin në qark, Rama theksoi se në vitin 2017 u shënua një shifër rekord turistësh për Beratin, një shifër që sipas tij do të shkojë në rritje.

“Sot jemi në kushtet kur shohim një rritje të konsiderueshme, e cila dua që ta dinë të gjithë banorët e kësaj zone, edhe ata që janë në emigrim, do të vijë në një rritje të vazhdueshme për më shumë e më shumë e më shumë infrastrukturë mikpritjeje e shtretër për turistët. Po shohim shenja shumë inkurajuese të transformimit të shtëpive trashëgimi kulturore në bujtina, por duhet shumë më tepër dhe do të shohim shumë më tepër”, tha kryeministri.

Rama u bëri thirrje fermerëve të zonës të përfitojnë nga Skema Kombëtare e Subvencioneve në Bujqësi, në mënyrë që të kenë mundësi të investojnë dhe rrisin prodhimin.

Scan Tv,  23.02.2018