Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Gjiknuri: Po diskutojmë dhënien e kontratave BOO

Qeveria shqiptare po shqyrton mundësinë e dhënies së kontratave koncesionare BOO, çka do të thotë se pas periudhës së ndërtimit dhe shfrytëzimit, të kalohet në pronësi. Gjithçka është bërë me dije nga ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri gjatë një tryeze mbi energjinë dhe zhvillimin e qëndrueshëm.

“Ne po punojmë atë që e kemi bërë pjesë të programit qeveritar, që edhe këto kontrata nga BOT të shkojnë në një model BOO, sepse qeveria shqiptare nuk është se ka ndërmend që të marrë mbrapsht gjithë ato hidrocentrale, të cilat në fundin e jetës së tyre të jenë të amortizuara. Ne duam që të krijojmë më shumë garanci për investitorët privatë, për t’i gëzuar në terma afatgjatë të gjitha këto investime dhe risqe të marra. Kuptohet në bazë të një formule kompensimi, që natyrshëm do të jetë jashtëzakonisht e pranueshme dhe nuk do të rëndojë fare mbi investitorët privatë, nëse ata do të pranojnë të hyjnë në këtë skemë”, tha Gjiknuri.

I pranishëm ne takim ishte dhe guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, i cili tha se ndryshimet ligjore të para disa viteve kanë rritur kreditimin në sektorin energjetik. Gjithashtu, ai bëri me dije treguesit ekonomikë për vitin 2017, ku pritet një rritje me 4%.

“Rritja ekonomike e vitit 2017 është për t’u konfirmuar, por ne presim një rritje ekonomike të mirë, afër nivelit të 4 përqindëshit. Rritja e kërkesës gjithashtu ka mundësuar rritjen e prodhimit dhe në një zinxhir virtuoz pasojash është e shoqëruar me rritjen e punësimit, përmirësimin e gjendjes financiare të familjeve dhe të bizneseve, si dhe me reduktimin e zhbalancimeve ekonomike dhe financiare. Në aspektin sektorial, zgjerimi i prodhimit ka pasqyruar kontributin pozitiv pothuajse të të gjithë sektorëve, të industrisë, të shërbimit, të ndërtimit dhe të bujqësisë. 23% e investimeve të huaja janë përqendruar në sektorin e energjetikës dhe kjo është padyshim inkurajuese përsa i takon perspektivës së këtij sektori”, tha Sejko.

Ndërkaq, ambasadori i Norvegjisë në vendin tonë konfirmoi mbështetjen financiare dhe asistencën teknike për ngritjen e bursës së energjisë.

Scan Tv,  22.02.2018