Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Çështja CEZ, Balla përballë Shkëlzenit në gjykatë

Kjo cështje është kthyer në ‘ping-pong’ pasi pak ditë më parë ishte Gjykata e Lartë e cila shpalli moskompetencë për çështjen Berisha-Balla, dhe dosja i kaloi Gjykatës së Krimeve të Rënda, ndërsa sot kjo gjykatë ia kaloi të Lartës. Gjyqtari Ardit Mustafa tha se Gjykata e Lartë duhet të shprehet nëse kjo cështje është kompetencë e Gjykatës së Tiranës apo e Krimeve të Rënda. Kreu i grupit parlamentar socialist është paditur për shpifje nga djali i ish-kryeministrit, lidhur me provat e publikuara nga komisionit hetimor parlamentar për çështjen ‘CEZ’.

Balla akuzon Shkëlzen Berishën se nuk ka punuar asnjë ditë dhe pasurinë e ka vendosur si sekser, ndërsa ka përfituar 350 mijë euro vetëm duke firmosur si komisione dhe se nuk ka paguar asnjë taksë në shtet për tre vite. Por Shkëlzen Berisha mohon akuzat duke deklaruar se ka të gjitha dokumentet nga organet se i ka paguar taksat.

Debati në gjykatë Balla-Berisha
Në seancën e sotme te Krimet e Rënda ka pasur edhe një përplasje mes Ballës dhe Berishës. Në momentin që filloi seanca, Balla iu drejtua trupit gjykues duke i kërkuar që të ketë në vëmendje që Shkëlzen Berisha është duke u hetuar nga prokuroria e Tiranës. Por e menjëhershme  ka qenë përgjigja e djalit të ish-kryeministrit duke e mohuar.

Replikat në gjyq
Taulant Balla: Zoti gjyqtar duhet të vendos në vëmendje se është duke u hetuar nga prokuroria e Tiranës
Shkëlzen Berisha: Nuk kam asnjë dijeni që po hetohem

Deklaratat e Shkëlzen Berishës dhe Taulant Ballës pas daljes nga gjykata

Shkëlzen Berisha: Balla shpifës me damkë, çështja CEZ shashkë e Ramës​
Jam këtu për të vendosur drejtësi. Gjykata iu përgjigj kërkesës së prokurorit dhe ia kthen sërish gjykatës së Lartë. Kjo është frikë për të vendosur drejtësi. Gjykata e Lartë është institucioni më i lartë dhe një kryeprokuror dhe gjykatës që ka frikë mund të kthejë sërish në gjykatën e Lartë. Balla e ka një damkë si shpifës, dua që të marrë një përgjigje ligjore. CEZ? Kjo është cështje e ndryshme, për të cilën Balla thotë se për tre vite nuk kam paguar asnjë taksë. Unë kam paguar mbi 50 mln lekë taksa. Përsa i përket CEZ është një shashkë dhe kam deklaruar atë që kam deklaruar para jush. Nuk kam lidhje as me privatizimin dhe as CEZ në Shqipëri. Taulant Balla ka thënë që unë nuk kam paguar asnjë taksë, unë dua transparencë, kam dokumente nga tatimet, kam paguar taksa. Balla është i vetmi kryetar grupi që nuk zbaton vendimin e Apelit si shpifës dhe fshihet pas Ramës dhe nuk paguan detyrimin. Nëse ky vend do të kishte prokurori, Balla do të ishte proceduar. Dosja CEZ? Nuk kam pritshmëri, pasi nuk lidhje me privatizimin apo privatizim

Balla: Shkëlzen Berisha 350 mijë euro pa punuar asnjë ditë Jam këtu në respekt të të gjitha gjyqeve për shpifje, trillime, që bëhen rreth 15 me familjen Berisha, babai, i biri, e bija, dhëndri e të tjerë me radhë; do jem në respekt të gjykatës së vendit tim. Dua të them shumë qartë që ju ishit prezent në sallë, ndonëse pa kamera, unë jam i gatshëm që kjo çështje të gjykohet një herë e më parë. Nuk dua të bëj sot asnjë koment për dosjen “CEZ”, të cilën e ka hartuar Komisioni Hetimor ku kam pasur nderin të jem drejtuesi. Kjo dosje, me vendim të Kuvendit të Shqipërisë me 74 vota pro, sot është një prej dosjeve që po hetohet në Prokurori. Personi i cili është kallëzuar nga Kuvendi i Shqipërisë për veprën penale të korrupsionit dhe vepra të tjera penale, së bashku me babanë e tij, me zyrtarë të lartë, tha se nuk ishte në dijeni që kjo çështje ishte nën hetim; pavarësisht se nga ju kemi marrë vesh që ky person është paraqitur në Prokurori për t’u pyetur për këtë çështje, dhe të gjithë e dimë që kjo është një çështje që duhet hetuar.

Lidhur me pyetjen tuaj, unë dua t’ju them vetëm kaq: i bëj thirrje prokurorisë ta hetojë këtë dosje me seriozitetin më të madh. Të respektojë vendimin e Gjykatës së Krimeve të Rënda, që i ka kërkuar Prokurorisë të marrë në pyetje personat sikurse Shkëlzen Berishën, sikurse Genc Rulin, sikurse Sali Berishën, sikurse Nuel Nik Kalajn. Në rastin e këtij personi i bëj thirrje Prokurorisë që të përdoren të gjithë mekanizmat ligjorë që ky person të gjendet. Ndoshta Komisionit Hetimor iu shmang për shkak të kompetencave që ka Komisioni Hetimor Parlamentar, por ky person duhet gjetur. Është një person që ditën për diell ka tërhequr 6.8 milionë euro, dhe janë para’ tashmë të vërtetuara nga Komisioni që kanë qenë pagesë komisioni, e thënë shqip, pagesa e sekserit për një privatizim, më i dështuari dhe më i rëndi për shpinën e varfër të shqiptarëve. 414 milionë euro është dëmi që i është shkaktuar shqiptarëve.

Për sa i përket llokoçitjeve të birit të babait se paska punuar me punë të ndershme: një njeri që nuk i ka thënë një herë ‘mirëmëngjes’ punës, të çohet në orën 7:00 të mëngjesit, në orën 8:00 të jetë në punë dhe në orën 6:00 mbasdite të kthehet nga puna. Një njeri që nuk ka firmosur një herë në një vend pune, por që të vetmet të ardhura i ka të deklaruara si komisione të tipit “merrja këtij e dërgoja atij”. Merrini librin e Deklarimit të Kontrollit të Pasurisë: të vetmen punë që ka deklaruar e që ka të ardhura marramendëse, t’ju mbledh ju bashkë, 6 gazetarë e nja dhjetë kameramanë, për dhjetë vite me radhë nuk i bëni kurrë.

Cili është argumenti juaj kryesor për të rrëzuar akuzën për të cilën ju akuzon Shkëlzen Berisha, atë të shpifjes?
Kjo është një çështje shumë e sqaruar. Sot isha i përgatitur të vërtetoja dy akuzat që lidhen me vlerat e përfituara nga zotëria. Nëse doni, mund t’jua jap edhe juve; është pjesë e materialit që kanë avokatët. Zotëria thotë që është akuzuar për  200 mijë euro të ardhura, të mara nga komisioni i një shitjeje toke në fshatin Rinia, diku në bregdet. Ne kemi faturën të kryer në bankën Intesa San Paolo. Bëhet fjalë edhe për një komision tjetër apo për një transfertë tjetër 150 mijë euro; edhe për atë e kemi faturën.

Kjo çështje tashmë është rikthyer jo vetëm në vëmendjen tuaj por dhe në vëmendjen e mediave europiane, po të kemi parasysh që sot platforma multimediale më e madhe në Europë “EU Reporter” i ka kushtuar një artikull të veçantë rihapjes së kësaj dosjeje për hetim nga ana e Prokurorisë, e cila flet qartë edhe për arsyet pse është gjithë kjo histori. Arsyeja është shumë e thjeshtë: s’duan që Reforma në Drejtësi të implementohet, ndaj jemi në këtë situatë me klithma kundër Prokurorisë, kundër gjyqtarit – e paimagjinueshme. Unë po ju them shumë qartë: merrni dosjen. Dosja është e plotë, vendimi i Komisionit Hetimor Parlamentar dhe 4500 faqe materiale; studiojini dhe aty i keni të gjitha.

Por ka edhe një parim tjetër, prandaj unë e shpreha edhe në gjykatë, që duke qenë se kjo çështje sot është në hetim në Prokurori,-   sot të gjithë janë në hetim, edhe ai zotëria, edhe babai i tij, edhe Lulzim Basha, edhe Monika Kryemadhi,-  kemi detyrimin që t’i bëjmë thirrje Prokurorisë të hetojë këtë çështje në të gjitha dimensionet e veta. Ka plot persona të akuzuar nga komisioni, edhe të tjerë të cilët, nëse kjo çështje hetohet deri në fund, unë i garantoj qytetarët shqiptarë që peshqit e mëdhenj në atë rrjetë do jenë të shumtë.

Report Tv siguroi pamjet ekskluzive nga nisja e seancës gjyqësore te Krimet e Rënda në Tiranë. Fillimisht ishte Gjykata e Lartë e cila shpalli moskompetencë për çështjen Berisha-Balla, dhe dosja i kaloi Gjykatës së Krimeve të Rënda.

Ndërkaq, djali i ish-kryeministrit Berisha u thirr pak ditë më parë nga organi i akuzës për t’u pyetur për çështjen e privatizimit të OSSH te çekët e CEZ. Thirrja e Shkëlzen Berishës iu la detyrë prokurorisë disa javë më parë nga Gjykata e Tiranës, që refuzoi mbylljen e çështjes dhe e detyroi prokurorinë të rihapë hetimet për këtë privatizim.

Report Tv,  16.02.2018