Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

HEC-et mbi Osum, ka mospërputhje të vendndodhjes me lejen

Një ditë pasi Top Channel publikoi dokumente ekskluzive të një koncesioni të fshehtë për dy hidrocentrale mbi një zonë të mbrojtur si “Monument Natyre” në Kanionet e Osumit, skandali thellohet më tej. Siç rezulton nga një dokument i Agjencisë së Zonave të Mbrojtura, hidrocentralet kanë një mospërputhje të vendndodhjes sipas koordinatave, me lejet e marra.

Skandali i hidrocentraleve mbi Kanionet e Osumit thellohet më tej. Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura deklaron se leja mjedisore për HEC-et ka parregullsi ligjore dhe madje ka ndryshuar koordinatat ku do të ndërtohen hidrocentralet. Skandali zbulohet nga një memo zyrtare që Agjencia e Zonave të Mbrojtura i dërgon Ministrisë së Mjedisit.

AKZM-ja ka vërejtur disa parregullsi ligjore që lidhen me mospërputhjen e vendndodhjes sipas koordinatave me lejet e marra.

Kjo është njësoj sikur një ndërtues të zhvendosë një pallat përtej gjurmës së lejuar apo sikur të shtojë kate shtesë mbi lejen e miratuar. Vetëm se në përmasa më të mëdha, sepse ka të bëjë me një hidrocentral në një mjedis ligjërisht të mbrojtur.

Vlerësimi i ndikimit mjedisor është një nga lejet më të rëndësishme për miratimin e një projekti. Kjo leje lëshohet nga agjencia kombëtare e mjedisit dhe duhet të certifikojë projekti për impaktin mjedisor.

Sipas dokumenteve, rezulton se leja për dy HEC-et mbi kanionin e Osumit është dhënë në mars të vitit 2015 me firmën e ish drejtorit Julian Beqiraj. Por sipas Agjencisë së zonave të mbrojtura parregullsitë ligjore në leje dhe ndërrimi i koordinatave ku do të ndërtohen HEC-et bëjnë lejen të paligjshme.

Top Channel,  09.02.2018