Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Italianët i tremben gazsjellësit TAP

Ndryshe nga vendet e tjera të përfshirë në projektin e Korridorit Jugor të Gazit, ku TAP është pritur si një investim madhor jo vetëm për gazifikimin, por mbi të gjitha për ekonominë, në Itali ky projekt ka hasur gjithmonë kundërshtime.

Duke filluar nga shkulja e ullinjve, ndotja e mundshme e plazhit, ndalimi i punimeve gjatë sezonit veror, TAP është shoqëruar me kundërshtimet e italianëve në çdo hap.

“Rreziqe jashtëzakonisht të mëdha. Shpërthime e zjarre. Sidomos në zonat fortësisht të prekura nga dora e njeriut, siç është vendi ku synohet të ndërtohet terminali”, kështu shkruante një nga ekspertët më të rëndësishëm ndërkombëtar në fushën e inxhinierisë energjitike, në lidhje me shkarkimet në terminalin pritës që TAP ka projektuar në marrëveshje me qeverinë italiane.

“Imazhi mediatik fillestar kundër TAP në parime, nga ambientalistë të ekzaltuar për të mbrojtur disa pemë nuk gjen më baza”, shkruan ‘L’Espresso’, pjesë e grupit ‘Repubblica’. “Sepse ta kthesh çfarë po ndodh në Melendugno në një çështje ullinjsh të cilët do të shkulen e do të rimbillen, është e barabartë me të bërit të pakuptueshëm. Në lojë janë demokracia, shëndeti dhe siguria”, shkruan artikulli.

Shkrimi i gjatë i të përjavshmes vijon duke përshkruar hap pas hapi procesin që projekti i TAP ka ndjekur deri në miratim, duke përmendur se falë bashkëpunimit të katër qeverive (duke nisur nga Monti e deri tek Renzi), gazsjellësi ka evituar së paku një referendum publik.

Artikulli, që mban qëndrim kundër ndërtimit, pretendon se rreziqet lidhur me stacionin pritës të gazsjellësit janë katastrofike. “Më pak katastrofikja, në rast mirëmbajtjeje, konsiston në një re avulli të paizoluar, e cila mund të shpërthejë. Më katastrofikja ka të bëjë me disa re avujsh të paizoluara, të cilat duke u përzier me ajrin do të formonin një mishelë eksplozive, e cila mund të ndizet edhe me një shkëndijë cigareje”.

Sipas “L’Espresso”, TAP gjithsesi do të përpiqet të ndërtojë konsensusin duke financiar ndërmarrjet lokale duke ftuar qytetarët të dialogojnë përmes telefonit dhe duke blerë hapësira publicitare në radio dhe gazeta. Qeveria, e ndalur në vendimin për ta ndërtuar atje, kërkon gjithsesi të dialogojë duke organizuar një tavolinë ndërinstitucionale mbi TAP. Megjithatë, kryetari i bashkisë së Melendugnos deklaron se nuk është ftuar kurrë.

“Siç e ka thënë shpesh Renzi, ‘bëhet fjalë vetëm për një tub’. Për t’u ndërtuar në emër të Europës, por sipas mënyrës italiane”, përfundon artikulli.

Scan Tv,  09.05.2017