Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Kredia e BERZH për KESH, ende e padisbursuar

Në qershor të vitit të kaluar, Korporata Elektroenergjitike Shqiptare nënshkroi një kontratë huaje prej 218 milionë eurosh me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Kredia do të garantohej nga qeveria shqiptare dhe do të shërbente për ristrukturimin e borxhit të kompanisë publike të prodhimit të energjisë. Më konkretisht, kjo hua do të zëvendësonte kreditë që KESH ka marrë në bankat tregtare shqiptare, me qëllim përfitimin e kushteve më të favorshme, përmes interesave më të ulëta dhe zgjatjes së maturitetit të borxhit.

Por, e vërteta është se kjo kredi ende nuk është disbursuar ende. Kjo konfirmohet nga të dhënat e regjistrit të borxhit të Ministrisë së Financave.

Në regjistrin e garancive rezultojnë aktive si garancia e dhënë për kredinë që KESH ka marrë nga BERZH, me shënimin se kredia nuk është bërë efektive, ashtu edhe garancitë për kreditë ekzistuese në bankat shqiptare.

Këto kredi nuk janë shlyer ende dhe kanë një vlerë totale prej 30 miliardë lekësh ose rreth 225 milionë eurosh. Ndonëse ka kaluar më shumë se një vit nga nënshkrimi i kontratës, as KESH dhe as qeveria shqiptare nuk kanë bërë transparencë për arsyet e mosdisbursimit të saj.

Megjithatë, besohet se shkaku kryesor ka qenë vendimi i Entit Rregullator të Energjisë për të mos rritur çmimin e shitjes së energjisë nga KESH. Rritja e çmimit të energjisë ishte një nga kushtet e përcaktuara nga BERZH për dhënien e kredisë.

Për këtë arsye, KESH në fillim të këtij viti aplikoi për për një rritje të çmimit të energjisë që i shet OSHEE në 2.4 lekë për kwh. Por, kërkesa u refuzua nga ERE, që vendosi ta lërë atë të pandryshuar në nivelin 1.45 lekë, deri në fund të këtij viti.

Alternativat ishin që kjo rritje çmimi t’i ngarkohej OSHEE-së ose konsumatorëve, por, qeveria nuk ka dashur të marrë një kosto të tillë në një vit elektoral, duke shkelur atë që, me sa duket, ishte një angazhim i marrë kundrejt BERZH.

Rrjedhimisht, kredia ka ngelur pezull dhe KESH vazhdon të paguajë interesa të larta për kredi me kushte tregtare. Vetëm për vitin 2016, KESH shpenzoi afro 2 miliardë lekë ose 15 milionë euro për të paguar interesat e kredive.

Scan TV,  31.08.2017