Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Gazi, hapësirat që pritet të mbushë TAP

Ka kaluar pak më shumë se një vit nga fillimi i ndërtimit të Trans Adriatik Pipeline, gazsjellësit (pjesë e Korridorit Jugor të Gazit me vlerë 45 miliardë dollarë) që parashikohet të plotësojë nevojat për gaz natyror në Europë nga fushat e Azisë Qendrore. Kështu e nis artikullin e fundit Pipeline&Gas Journal, një nga revistat e rëndësishme amerikane të specializuara në këtë sektor.

Ky do të jetë një ndër gazsjellësit europianë më të mëdhenj dhe strategjikë që do të lidhë konsumatorët në Itali dhe Ballkan, me gazin që do të vijë nga fushat azere përmes Detit Kaspik. Pas përfundimit, TAP do të transportojë gaz natyror nga fushat e Shah Deniz II në Azerbajxhan për në Europë, përmes 878 km tubacione që do të lidhen me Trans Anatolian Pipeline (TANAP) në kufirin turko-grek në Kipoi.

Më pas do të përshkojë Greqinë, Italinë dhe detin Adriatik, ndërsa TANAP do të përshkojë Turqinë, Gjeorgjinë dhe Azerbajxhanin, si dhe do të shërbejë si një ndërlidhje mes Greqisë dhe Bullgarisë.

Kapaciteti fillestar do të jetë 10 miliardë metër kub gaz, sasi e cila mund të dyfishohet dhe kjo do të kërkojë ngritjen e dy stacioneve të kompresorëve.

TAP do të nisë në kufirin turko-grek. Në Shqipëri, ai do të arrijë pikën më të lartë në 1,800 metra mbi nivelin e detit, ndërsa do të futet nën ujë në Adriatik, në pikën më të ulët në 820 metra, duke dalë më pas në San Foca, afër pjesës jugore të Italisë, në Brindisi.

Në Itali, TAP do të transportojë 8 miliardë metër kub gaz, kryesisht për tregun e brendshëm, por sasi do të ofrohen edhe për Austrinë, jugun e Gjermanisë, si dhe Zvicrën.

Gazsjellësi parashikohet të ketë një jetëgjatësi prej 50 vitesh. Ndërsa kapaciteti depozitues prej 8.5 mld metër kub në Shqipëri do të ndihmojë për zhvillimin e mëtejshëm të TAP, për gazifikimin e vendit, si dhe për të rritur garancinë për diversifikimin e burimeve energjetike të Europës Juglindore.

Investitorët e TAP parashikojnë që projekti të kushtojë 5.7 miliardë euro (6.3 mld dollarë). Furnizuesi, konsorciumi Shah Deniz ka nënshkruar një marrëveshje 25-vjeçare shitjeje me tetë kompani europiane për sasinë fillestare 10 mld/m³, nga të cilat 8 mld/m³ do të transportohen në Itali, ndërsa pjesa tjetër do të ndahet në mënyrë të barabartë mes Greqisë dhe Bullgarisë.

Zbatuesit e projektit janë të vetëdijshëm për sfidat që kanë të tria vendet nga ku kalon: Shqipëria, Greqia dhe Italia.

Në Shqipëri, pika më e lartë është 1,800 metra dhe kjo është një sfidë më vete, duke qenë se në këtë lartësi do të duhet të kalojnë makinat e rënda, si dhe tubat që peshojnë më shumë se 16 tonë. I tillë do të jetë edhe ndërtimi i stacionit të kompresorëve në Fier, ku kërkohet që të vendosen më shumë se 4,000 blloqe guri në thellësi 15 metra.

Gjatë ndërtimit, si në Greqi ashtu edhe në Shqipëri janë konstatuar gjetje arkeologjike që tregojnë për vendbanime e varreza të hershme. Në Itali, një nga sfidat më të mëdha është zhvendosja dhe më pas rivendosja në vendin e origjinës së 2,000 pemëve të ullirit, si dhe ndërtimi i mikrotunelit 1.5 km.

Përfitimet e Shqipërisë

Shqipëria, rreth 90% të energjisë, e siguron nga burimet hidrike. Kur Shqipëria të lidhet me TAP, qeveria parashikon që kërkesa për gaz të arrijë në rreth 1.8 mld m³/vit, shifër e cila mund të rritet me ngritjen e rrjetit të gazit në vend.

Nga ana tjetër, Shqipëria do të jetë pika lidhëse me një gazsjellës tjetër, IAP, që do të jetë 516 km, përmes të cilit do të lidhen edhe vendet e tjera të Ballkanit, si: Bosnjë dhe Hercegovina, Serbia, Kosova, Mali i Zi dhe Kroacia. Në këtë mënyrë, këto vende do të mund të reduktojnë varësinë ndaj gazit rus dhe të plotësojnë një rrjet gazi unazor rreth Adriatikut.

Përfitimet e Greqisë

Greqia është krejtësisht e varur nga importet e gazit natyror. Rreth 60% të kërkesave i plotëson nga Gazprom, ndërsa 40% vijnë me cisterna nga Algjeria, Katari dhe Nigeria, si dhe nga gazsjellësi që e lidh me Turqinë.

Me rritjen e kërkesës për gaz, importet u rritën nga 2.4 miliardë euro në vitin 2003 në 3.6 miliardë euro në vitin 2016, sipas Eurostat. TAP do të ndihmojë në plotësimin e kërkesës që po vjen në rritje dhe do të nxisë zhvillimin ekonomik. Fondacioni i Greqisë për Kërkime Ekonomike dhe Industriale (IOBE) bën të ditur se TAP do të gjenerojë 33-36 miliardë euro për ekonominë greke gjatë jetëgjatësisë së tij. Falë TAP, Greqia mund të bëhet një qendër energjetike për një ndërlidhje të mundshme me Bullgarinë dhe Rumaninë.

Përfitimet e Italisë

Sipas Eurostat, gazi natyror plotëson 34% të konsumit total të energjisë së Italisë dhe importi arrin në 61.4 mld m³/vit, duke zënë 90% të nevojave të Italisë, e cika importon rreth 43% të gazit nga Rusia nëpërmjet Ukrainës. Furnizuesi i dytë më i madh është Algjeria, e cila e dërgon gazin në Itali nëpërmjet Tunizisë.

Paqëndrueshmëria sociale dhe ekonomike shpesh kërcënon këto furnizime, gjë e cila mund të ndodhë edhe në të ardhmen. Kërkesa për gaz parashikohet të arrijë rreth 73 mld m³/vit deri në vitin 2023. Pikërisht gazi që do të transmetohet nga TAP do të rrisë edhe konkurrencën për kompaninë kryesore në treg që është Eni dhe zotëron 83% të tregut me shumicë. Rritja e konkurrencës do të ndihmojë në uljen e çmimeve të gazit.

Në vija të përgjithshme mund të thuhet se TAP do të ofrojë burime të reja dhe të diversifikuara, rritje të konkurrencës dhe reduktim të varësisë së Europës Jugore nga gazi rus.

Revista Monitor,  07.08.2017