Mbyllet samiti për klimën, SHBA nuk nënshkruan
Ministrat e G7-s publikuan të hënën një deklaratë të përbashkët mbi ndryshimet klimatike dhe planet e tyre për të financuar zhvillimin e qëndrueshëm, ndërsa Shtetet e Bashkuara nuk kanë pranuar ta nënshkruajnë marrëveshjen.
Në fund të samitit ministror dyditor për klimën të zhvilluar në Bolonjë të Italisë, ministrat e vendeve të tjera shprehën keqardhje për vendimin e ShBA-së.
Ministri italian i Mjedisit Gian Luca Calletti tha: “Ne punuam për të ndërtuar ura dhe jo për të ngritur mure. Italia, Franca, Gjermania, Japonia, Kanadaja, Mbretëria e Bashkuar dhe Bashkimi Europian deklaruan fuqimisht se Marrëveshja e Parisit është e pakthyeshme, e panegociueshme dhe i vetmi mjet i mundshëm për të luftuar ndryshimin e klimës. Ne shpresojmë se do të vazhdojmë dialogun konstruktiv mbi këtë bazë me Shtetet e Bashkuara në të ardhmen “.
Shtetet e Bashkuara kanë deklaruar se vendimi i tyre pasqyron njoftimin e fundit për t’u tërhequr nga Marrëveshja e Parisit dhe angazhimet financiare përkatëse.
Këtë muaj, presidenti i ShBA-së Donald Trump njoftoi planet për të braktisur marrëveshjen e ndryshimit të klimës të Parisit, duke thënë se ajo dëmtonte ekonominë amerikane.
Një gjë e tillë vlerësohet si një goditje e madhe ndaj përpjekjeve në mbarë botën për të luftuar ngrohjen globale dhe është kritikuar nga fuqitë kryesore të botës.
Agjensia e lajmeve ekonomia, 14.06.2017