Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Investimet e KEDS në kurriz të qytetarëve

Zyra e Rregullatorit e Energjisë Elektrike (ZRRE) konfirmon se investimet që është duke i bërë KEDS-i në modernizimin e rrjetit të energjisë elektrike po i paguajnë qytetarët e Kosovës përmes faturave të energjisë elektrike.

Qytetarët e Kosovës krahas pagesës së energjisë elektrike në faturat e tyre mujore po paguajnë edhe investimet që është duke i bërë KEDS-i në modernizimin e rrjetit të shpërndarjes së energjisë elektrike. Gazeta “Zëri” ditë më parë ka raportuar se përpos investimeve qytetarët nëpër faturat e tyre janë duke paguar edhe energjinë elektrike që po shpenzojnë qytetarët serbë në veri të Kosovës e që brenda një viti është rreth 8 milionë euro. Modernizimi i rrjetit dhe ulja e humbjeve të energjisë elektrike ka qenë arsyeja kryesore e privatizimit të distribucionit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK). Por, ndonëse kanë kaluar më shumë se tre vjet humbjet e energjisë thuajse janë të njëjta, derisa ndryshimet në rrjet që po i bën KEDS-i po u faturohen qytetarëve të Kosovës.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike (ZRRE) ka konfirmuar për gazetën “Zëri” se të gjitha kostot e investimeve si në gjenerim, transmision dhe në shpërndarje të energjisë elektrike përfshihen në të hyrat e lejuara maksimale që mblidhen nga tarifat e energjisë. Por, në anën tjetër zyrtarë të KEDS-it mohojnë një gjë të tillë. Zëdhënësja e ZRRE-së, Adelina Murtezaj, thotë se rregullimi i sektorit të energjisë është i bazuar në ligjet e energjisë dhe rregullat tjera në fuqi për rregullimin e këtij sektori. Sipas saj, duke u bazuar në parimet ndërkombëtar të rregullimit ekonomik dhe legjislacionin në fuqi në vendin tonë, në çmimet finale të produktit ose shërbimit, që e ofron një entitet, duhet të përfshihen të gjitha kostot e arsyeshme operative dhe kapitale në mënyrë që ai entitet të mundë të funksionojë dhe të jetë i qëndrueshëm financiarisht. “E njëjta ndodh edhe gjatë shqyrtimit të të hyrave të lejuara maksimale të operatorëve të rregulluar në sektorin e energjisë elektrike në vendin tonë. Të gjitha kostot e investimeve si në gjenerim, transmision dhe në shpërndarje të energjisë elektrike përfshihen në të hyrat e lejuara maksimale që mblidhen nga tarifat e energjisë”, ka thënë zëdhënësja e ZRRE-së Adelina Murtezaj. Sipas saj, të gjitha kostot e arsyeshme të sistemit hyjnë në të hyrat e lejuara maksimale të operatorëve dhe mblidhen nga tarifat që paguajnë konsumatorët, të cilët i shfrytëzojnë këto shërbime.

KEDS-i: Qytetarët paguajnë vetëm shpenzimin e energjisë

Por në anën tjetër, zëdhënësi i KEDS-it Viktor Buzhala thotë se të gjitha investimet e ndërmarra deri më tash janë bërë nga KEDS-i. Sipas tij, kjo mund të verifikohet në pasqyrat tona financiare, por edhe në raportet që ne i dërgojmë në ZRRE, si autoriteti mbikëqyrës. “Çdo vit ne paraqesim në ZRRE maksimumin e të hyrave të lejuara, ku përfshihet gjithashtu edhe investimet e planifikuara dhe në bazë të aprovimit të tyre ne ndërmarrim investimet”, ka thënë Buzhala për gazetën “Zëri”. Sipas tij, faturat e qytetarëve përfshijnë vetëm shpenzimin e tyre të energjisë, të ndarë në bllok-tarifa të aprovuara nga ZRRE-ja. “Nuk ka tjetër kosto që është e përfshirë në faturat e qytetarëve”, shtoi Buzhala.

Më pak investime

Murtezaj, nga ZRRE-ja, thotë se me qëllim të përmirësimit të shërbimeve në sektorin e energjisë elektrike, sigurinë e furnizimit me energji elektrike dhe zvogëlimin e humbjeve në rrjet ZRRE-ja ka lejuar planin e investimeve për periudhën 2013-2017 për OSSH-në.

“Në vitin 2012 ZRRE-ja ka përcaktuar caqet të cilat Operatori i Shërbimit të Shpërndarjes (OSSH) duhet t’i arrijë brenda një periudhe të caktuar kohore. Për t’i përmbushur këto caqe ZRRE-ja gjatë shqyrtimit të të hyrave të lejuara maksimale për periudhën 5-vjeçare 2013-2017 ka aprovuar planin e investimeve kapitale për këtë periudhë. Sipas përcaktimit të ZRRE-së, për vitin 2014 KEDS-i është dashur të investojë 21.2 milionë euro, ndërsa ka investuar 18.0 milionë euro, në vitin 2015 është dashur të investojë 21.4 milionë euro dhe ka investuar 20.5 milionë euro, ndërsa në vitin 2016 është dashur të investojë 21.6 milionë euro dhe ka investuar 23.64 milionë euro”, ka thënë ajo.

Po ashtu edhe Buzhala, nga KEDS-i, thotë se në bazë të marrëveshjes kontraktuale KEDS-i duhet të kompletojmë investimin prej 300 milionë eurosh brenda periudhës 15-vjeçare. “Gjatë vitit të kaluar ne kemi përgatitur një masterplan, që ishte produkt i studimeve në të gjithë vendin. Ky plan parasheh investime gjithëpërfshirëse dhe në vitin 2025 ne planifikojmë të rrumbullakojmë shumën e investimeve prej 300 milionë eurosh. Rrjeti distributiv, siç jeni edhe ju në dijeni, është në gjendje shumë të rëndë dhe ne kemi ardhur në përfundim se investime të shpejta janë të nevojshme. Misioni ynë është t’u shërbejmë qytetarëve në mënyrën më të mirë të mundshme dhe kjo ishte arsyeja pse ne e kemi zhvilluar këtë masterplan, kështu që mund të sigurojmë një rrjet modern dhe që ofron besueshmëri në furnizim me energji elektrike”, ka thënë Buzhala.

Gazeta Zeri,  08.05.2017