Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Studimi i Oxford për furnizimin e Shqipërisë me gaz

Deri në vitin 2025, Shqipëria parashikon që furnizimin me gaz ta dedikojë kryesisht për industrinë dhe transportin, por jo për banesat apo godinat tregtare dhe publike.

Instituti i Oxford-it për Studimet Energjetike “Drejt një Ballkani, si shpërndarës gazi” e shikon Shqipërinë si një vend me kapacitete të ulëta të furnizimit me gaz.

Sipas studimit, Shqipëria së bashku me Kosovën dhe Malin e Zi renditen në vendet pa infrastrukturë gazi dhe poshtë nivelit 1% të TEPS (Total Primary Energy Supply).

Ajo shihet si një pikë strategjike sa i përket kalimit të të ashtuquajturit Korridori turk i gazit që ofron dy mundësi furnizimi për Ballkanin: flukset mes Turqisë dhe Bullgarisë dhe lidhja mes TANAP e TAP. Ky gazsjellës do të transportojë gaz azer drejt vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe Italisë. TAP parashikohet që të lidhet me gazsjellësin Adriatic-Ionian në Shqipëri për të shkuar më pas deri në Kroaci.

Të dy projektet tashmë janë në një fazë të avancuar dhe në momente të ndryshme të zbatimit. Qeveria e Shqipërisë, Malit të Zi, Bosnjës dhe Kroacisë kanë rënë dakord për angazhimin e tyre në gazsjellësin IAP. Kompania shtetërore SOCAR e Azerbajxhanit ka fituar të drejtën për të qenë një nga aksionerët kontrollues të kompanisë greke të gazit DESFA.

Megjithatë, studimi i Oxford nënvizon se nuk dikton detyrime, por jep vetëm sugjerime sesi mund të funksionojë një treg më i hapur i gazit në vendet e Ballkanit Perëndimor. Sipas këtij studimi, është e nevojshme që Bashkimi Europian të mbështesë krijimin e infrastrukturave të reja të energjisë përtej projekteve, ku tashmë është angazhuar; të rritet norma e shfrytëzimit në infrastrukturën ekzistuese; hapja drejt tregjeve të tilla si BE-ja; SHBA-ja apo Koreja e Jugut duhet të bëhet përmes marrëveshjeve të tregtisë së lirë; të ndihmohen vendet e rajonit që të ndjekin format koncesionare të Partneritetit Publik Privat për investimet në energji; qeveritë të konsiderojnë ristrukturimin e kompanive të tyre të energjisë në mënyrë që të lehtësohet përballja me konkurrencën e cila është e fortë, por edhe me çmimet që ofron sot tregu europian.

Revista Monitor,  21.02.2017