Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Bankers i ndalohet injektimi i ujit gëlqeror

Ministria e Energjisë dhe Industrisë, MEI, ka bërë të ditur se do t’i kërkojë kompanisë Bankers të ndalojë operacionet e injektimit të ujit gëlqeror në zonën e Zharrëzës dhe të përdorë alternativa të tjera për trajtimin e ujit teknologjik pa dëmtuar mjedisin, si dhe masa riparuese të nëntokës dhe mbitokës, sipas standardeve ndërkombëtare, në mënyrë që të shmangen në të ardhmen pasojat negative për komunitetin. Kjo është masa e dytë, në vazhdim të urdhrit të lëshuar MEI për ndalimin e injektimit të ujit teknologjik në puset gëlqerorë në Zharrëz, të datës 26.12.2017.

Vendimi erdhi, teksa në dhjetor të vitit të kaluar, u ngrit një grup pune “Për vlerësimin e situatës së krijuar nga lëkundjet e tokës në zonën e fshatit Zharrëz dhe për përcaktimin e masave që duhet të merren në varësi të shkaqeve të ndodhjes së fenomenit të lëkundjeve të tokës”.

Sipas MEI, Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile, në bashkëpunim me Institucionin e Prefektit të Qarkut të Fierit dhe me Bashkinë e Patosit do të marrë masa të menjëhershme për sistemimin e përkohshëm të banorëve, banesat e të cilëve janë vlerësuar si të pabanueshme dhe riparimin e shtëpive me dëmtime të rënda, deri sa të konkludohet me pranim nga të dy palët, qeveria dhe Bankers, përgjegjësia për shkaktimin e lëkundjeve sizmike, ose të disponohet një vendim i formës së prerë nga një palë e tretë e pranuar për zgjidhjen e mosmarrëveshjes apo nga arbitrazhi për këtë çështje.

Albpetrol do të finalizojë blerjen dhe instalimin e 3 sizmomarrësve shtesë dhe 6 akseleromarrësve, si dhe pajiset përkatëse në bashkëpunim me IGJEUM.

MEI do të angazhojë, në përputhje me parashikimet në Marrëveshjen Hidrokarbure dhe Licencë Marrëveshjen për shfrytëzimin e vendburimit të Patos-Marinzës nga Bankers Petroleum, një ekspert teknik ndërkombëtar të pavarur për të përcaktuar në mënyrë objektive dhe asnjanëse shkakun e lëkundjeve, por edhe për të propozuar zgjidhjen më optimale për teknologjinë e trajtimit të ujit dhe mbetjeve teknologjike që shoqërojnë nxjerrjen e naftës nga nëntoka, sipas standardeve më të mira ndërkombëtare.

Revista Monitor,  09.02.2017