Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Arbitrazhet e Shqipërisë, nga Pantechniki tek Bankers

Qeveria vendosi në tetor të 2016 të ankimonte në arbitrazh çështjen me “Bankers Petroleum“. Një përplasje që ka kohë që vazhdon dhe që nuk po merr zgjidhje. Fillimisht u mendua se gjithçka do të zgjidhej në tavolinë mes palëve, por këtë herë, çuditërisht është hedhur një hap tjetër. Në këtë rast jemi ne ata që ankimojmë dhe kemi pretendime dhe jo ata ndaj të cilëve ka pretendime.

Por sa janë gjasat në fakt që Shqipëria të fitojë një rast arbitrazhi me një vlerë të konsiderueshme që pretendohet (57 milionë dollarë)? Studioja ligjore “Curtis” që asiston qeverinë në këtë rast është shprehur se ka shanse, por këtë do ta tregojë vetëm koha. Ndërkohë që e kaluara na tregon një tjetër panoramë.

Shqipëria mund të numërojë me gishtat e njërës dorë rastet e suksesit në arbitrazhet ndërkombëtare dhe kur themi sukses nuk i referohemi marrjes së një dëmshpërblimi, por faktit që kemi shpëtuar pa e paguar një të tillë. Rastet më pak të mira janë ato kur jemi ulur dhe kemi bërë marrëveshje tavoline dhe në këtë rast fijet i luan politika, por kostoja nuk ka qenë e vogël.

Më poshtë një përmbledhje me disa nga rastet më “pikante” të përplasjeve në arbitrazhe të vendit tonë. Është e çuditshme sesi lloj-soj kompanish kanë ngritur pretendime nga më ironiket, por mbi të gjitha kostoja reale e arbitrazheve kanë qenë “zhbërjet” e kontratave të qeverive paraardhëse. “General Elektric“ që do të ndërtonte linjën e parë për trenin elektrik Tiranë-Durrës sipas kontratës, edhe pse nuk bëri asgjë arriti të merrte jo pak, por 20 milionë euro.

“Rhode Nielsen“, kompania daneze pati një marrëdhënie me qeverinë shqiptare të denjë për një skenar filmi, por sërish iku duke marrë 2.5 milionë euro.  “Qershia mbi tortë“ e gjithë arbitrazheve vijon të mbetet “CEZ“. Kompania arriti të ulte qeverinë përballë dhe t’i merrte jo pak, por 95 milionë euro. Kjo në kohën kur të dhënat tregonin se kompania kishte shkaktuar një dëm 700 milionë euro nga keqmenaxhimi dhe abuzimet.

Në historikun e arbitrazheve nuk mungojnë as ato të shitjes së kuotave të bashkimit të kompanive, një histori që sot po shihet qartë sidomos tek pjesa e koncesioneve, të cilat janë kthyer në një treg të lirë të shitjes dhe transferimit të kuotave në afate të shkurtra. Mazhoranca e sotme, dikur në opozitë deklaroi se do të zhbënte një pjesë të mirë të koncensioneve të cilat padyshim do të përfundonin në arbitrazhe dhe me të ardhur në qeveri, nuk u ndie më për këtë pjesë.

“Qëndisja” e kontratave është bërë aq mirë nga koncesionarët sa gjasat që Shqipëria të fitojë janë minimale, duke e rritur koston që duhet paguar në mënyrë të llahtarshme. Tek e fundit nuk do shumë për të kuptuar ku çalojmë. Na e thotë fare mirë e kaluara. Bilanci ynë negativ, ku strategjia e vetme është mbrojtja, ndërsa sulmi kur nuk përmbushen detyrimet, sërish na është kthyer pas në “boomerang“ dhe kemi përfunduar duke e paguar edhe atë, madje më shtrenjtë.

“Pantechniki“ kundër Shqipërisë

Në vitin 1994 kompania greke “Pantechniki“ fitoi një tender ndërkombëtar për ndërtimin e rrugëve dhe urave në Shqiëpri,  konkretisht iu dhanë dy kontrata. Kontrata “Elbasan –Cafasan“ dhe “Mamurras-Milot“. Menjëherë pas hyrjes në fuqi të kontratës nisi puna, por ajo u shkëput në mars të vitit 1997 për shkak të trazirave dhe kompania braktisi punimet.

Në 29 maj të vitit 1997 kompania kërkoi një kompensim 4.89 milionë dollarë ndërsa më vonë një komision i ngritur nga Autoriteti Rrugor që ishte dhe kontraktori nxorri një dëm prej 1.8 milionë dollarësh. Edhe pse ishte një vlerë dukshëm më e ulët se pretendimi, kompania greke do të pranonte për të mbajtur marrëdhëniet e mira me qeverinë shqiptare.

Por pas disa vitesh, ende pagesa nuk u krye, duke bërë më pas që çështja të zvarritej në gjykatat shqiptare dhe arbitrazh. Duke analizuar zhvillimet, arbitrazhi do të vendoste që të dyja palët të paguanin secila kostot e gjyqit dhe tarifën e gjykatës, si dhe të rrëzoheshin pretendimet për përfitime financiare.

“General Electric“ kundër Shqipërisë 

Ambicia për trenin e parë elektrik në vend do t’i kushtonte Shqipërisë miliona dollarë nga një kontratë e firmosur nga qeveria “Nano” në 15 shtator 2003. Kompania “General Electric“, një lider global do të merrte përsipër këtë iniciativë, por me largimin e të majtëve nga pushteti detyrimet kontraktuale nuk po mbaheshin.

Në 1 qershor të vitit 2006 kompania do t’i drejtohej arbitrazhit dhe do të kërkonte dëmshpërblim. Gjykata vendosi në favor të kompanisë duke i kërkuar shtetit shqiptar që të paguante 20 milionë euro, ndërkohë që nënkontraktorëve do t’iu paguheshin interesa që shkonin në qindra mijëra dollarë. Zvarritja ishte e gjatë për shlyerjen e detyrimeve dhe në fund qeveria do të paguante vetëm një pjesë të tyre.

“Burimi srl“ dhe “Eagle Games sha“ kundër Shqipërisë 

Në 29 mars 2004 u krijua “Eagle Games“ nga dy nënshtetas shqiptarë. Secili prej tyre zotëronte 50 për qind të aksioneve dhe objektivi kryesor i kompanisë ishte organizmi i lojërave “Gërvisht dhe fito”.

Njëri prej aksionerëve hyri në marrëdhënie borxhi me kompaninë “Burimi srl“ i cili do të financonte investimet e nevojshme si dhe do të mbulonte humbjet për pjesën takuese në “Eagle Games“. Kompanitë kanë një histori të gjatë shitjesh aksionesh mes njëra-tjetrës ndërkohë që mes aksionerëve kishte lidhje familjare.

Pretendimi ndaj shtetit ishte që të paguheshin të paktën 1.03 miliardë lekë detyrime lidhur me heqjen e licencës. Gjykata në fund vendosi në favor të Shqipërisë duke e detyruar kompaninë të paguajë për koston e gjyqit dhe kostot lokale.

“Sky Petroleum“ kundër Shqipërisë 

Kompania amerikane dhe qeveria shqiptare lidhën një kontratë për ndarje prodhimi, eksplorimi dhe zhvillimi të hidrokarbureve në Bllokun 4, 5, si dhe Dumre. Por, Agjencia Kombëtare e Burimeve të Natyrës, pas inspektimit konstatoi se nuk ishin përmbushur detyrimet kontraktuale, duke e njoftuar kompaninë për zgjidhje të kontratës në 22 korrik 2011.

Kaq ka mjaftuar që “Sky Petroleum“ të kërkojë në Gjykatën e Arbitrazhit 1 miliard dollarë. Por, në fund fare, Gjykata vendosi në favor të qeverisë duke përcaktuar se zgjidhja e kontratës ishte bërë në kushte të drejta. Vendimi u dha në maj të vitit 2013.

“Mamidoil Jetoil Greek Petroleum Products Societe s.a“ kundër Shqipërisë

Historia me kompaninë greke është e hershme qysh në vitin 1995 kur erdhi një propozim për ndërtimin e depozitave të naftës në portin e Durrësit. Pas kalimit të disa fazave në vitin 1998 kompanisë iu rinovua kërkesa për depozitat, një investim fillestar 8 milionë dollarë. Por me ndryshimet e planeve për portin duket se ndryshuan dhe planet për investimin.

Autoritetet njoftuan kompaninë se duhet të pezulloheshin punimet. Kjo ndodhi pas masterplanit të parë, të hartuar nga studioja e Luis Berger që njihet edhe për strategjitë kombëtare të transportit. Në atë kohë u kërkua që zhvendosja e parkut të depozitave të bëhet në Porto Romano me paratë e vetë investitorit. Për këtë kompania kërkoi kompensim në vitin 2008 që iu refuzua.

Pavarësisht zvarritjeve, në 22 prill 2014 kompania kërkonte përveç 902 mijë eurove si kosto mbulimi të procedurave, edhe 23 milionë euro si dëm, kurse Shqipëria 528 mijë euro si kosto gjyqi. Në fund kërkuesi u cilësua përgjegjës për 495 mijë euro, kurse qeveria përgjegjëse 349 mijë euro. Shqipërisë iu kërkua në fund që të rimbursonte në favor të “Mamidoil“ 149 mijë euro.

“Petrolifera“ kundër Shqipërisë

Një ndër projektet jo pak të përfolura ka qenë ajo e “Petroliferës“ në Vlorë. Qeveria “Nano“ miratoi marrveshjen me kompanitë “La Petrolifera Italo-Rumena” dhe “La Petrolifera Italo-Albanese”, por në fakt një vendim i Komisionit të Pronave do të kthente tokën tek pronarët duke rezultuar në një revoltë të kompanisë dhe çuarjen e çështjes në arbitrazh.

Edhe pse pati vonesa në kontratë qeveria lëshoi pé duke i dhënë kompanisë disa lehtësi në detyrime. Problemi i dytë me kompaninë kishte të bënte me rimbursimin e TVSH-së. Duke u ndjerë e kërcënuar, sërish qeveria bëri lëshimin e radhës duke i dhënë “Petroliferës“ 70 hektarë tokë me një vlerë 3 milionë euro.

“Rohde Nielsen“ kundër Shqipërisë 

Edhe ky arbitrazh do të përfundonte në favor të kompanisë së huaj. Danezët e “Rohde Nielsen” dhe qeveria shqiptare lidhën një kontratë për thellimin dhe pastrimin e pjesës së portit të Durrësit, konkretisht në kalata. Gjithçka nisi në vitin 2004 dhe kompania nisi thellimin përmes mjeteve të siguruara me qira edhe pse kjo në një afat më të vonuar sesa koha e nënshkrimit të kontratës.

Palët përfunduan duke pasur pretendime mbi afatin në rastin e qeverisë, kurse kompania akuzoi se studimi teknik nuk ishte i plotë me mangësi të theksuara informacioni. Kompania gjatë punës hasi në disa predha të mbetura nga Lufta e Dytë Botërore dhe pas kësaj u tërhoq për t’i lënë vend ndërhyrjes nga ushtria.

Ngjarje të tjera do të pasonin këtë, por në finale qeveria nuk do të paguante këstin e mbetur prej 900 mijë eurosh për kontratën me vlerë totale 2 milionë euro. Palët trokitën në dyert e gjykatës, ku secila kërkoi 6 milionë euro dëmshpërblim, por në fund e fituar do të ishte kompania e huaj me një dëmshpërblim në masën 2.5 milionë euro.

“CEZ as“ kundër Shqipërisë 

Ai që u trumbetua si privatizimi më i suksesshëm, në fakt do të kthehej në telenovelën më të zgjatur të shqiptarëve dhe kjo jo për arbitrazhin, por për komisionet hetimore të ngritura në parlament. Bëhet fjalë për kontratën e qeverisë “Berisha“ me çekët e “CEZ“-it për shitjen e 76 për qind të aksioneve të kompanisë së shpërndarjes. Edhe pse gjithçka në vitin 2009, kur mori fuqi kontrata do të dukej e thjeshtë, në fakt nuk rezultoi kështu.

Në dy vite “CEZ“ arriti të ulte humbjet dhe të synonte vendosjen e rregullit në treg kurse në 2012 dhe 2013 kompania pësoi një shthurje deri në nivelet e refuzimit të importit të energjisë, duke lënë pa energji qytetarët. Në 21 janar 2013, Enti Rregullator i Energjisë vendosi edhe heqjen e licencës. Kaq mjaftoi që çekët të shkonin në arbitrazh duke pretenduar dëmshpërblim në masën 200 milionë euro.

Por qeveria shqiptare bëri një llogari të sajën dhe dëmet e pretenderuara ishin jo më pak se 700 milionë euro. Edhe në këtë rast fijet do t’i tërhiqnin të tjerë aktorë, ku Çekia bëri të qartë qëndrimin e saj kundër Shqipërisë në BE. Qeveria e majtë do të niste negociatat në dhjetor të vitit 2013 dhe vetëm në qershor të vitit 2014 do të arrihej në një marrëveshje, e cila i falte “CEZ“-it 95 milionë euro nga taksat e shqiptarëve.

Shqipëria kundër “Bankers Petroleum“ 

“Bankers Petroleum“ është një ndër kompanitë më të mëdha të huaja në vend, por marrëdhënia e saj me qeverinë shqiptare është shoqëruar vazhdimisht me probleme. Ngërçi duket se nisi me vitin 2011, kur Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore ngriti pretendimin se kompania ka deklaruar 299 milionë dollarë shpenzime të pajustifikuara duke fshehur kështu 57 milionë dollarë taksa.

Çështja do të përfundonte në arbitrazh dhe duket se qeveria dhe kompania gjetën një gjuhë të përbashkët, kur ranë dakord që ish-kanadezët tani në pronësi të një konsorciumi kinez, të paguanin me këste vlerën e taksave dhe ndërkohë të kryhej një audit i pavarur ndërkombëtar.

Në fund edhe pse kompania vazhdoi të paguante këstet, auditi ndërkombëtar i dha të drejtë kësaj të fundit. Kjo i linte dy rrugë qeverisë, ose të kthente paratë ose të shkonte në arbitrazh, dhe këtë herë është zgjedhur e dyta. Gjithsesi, është herët të flasim për një fitues.

Scan Tv,  30.01.2017