Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Polakët rifunksionalizojnë minierën e magnezit

Një kompani polake është interesuar ta rifunksionalizojë njërën prej minierave më të vjetra në Kosovë, minierën e magnezitit në Dubovc të Vushtrrisë, e cila ka qenë funksionale deri në vitin 1964. Fillimisht do të punësohet 150 punëtorë, kryesisht anëtarë të familjeve, tokat e të cilave do të shpronësohen.

Një prej minierave më të vjetra në Kosovë, ajo e magnezitit në Dubovc të Vushtrrisë, ka shumë gjasa të riaktivizohet pasi që një kompani polake ka shprehur interesimin për të investuar në këtë minierë dhe për të rifilluar prodhimin e kësaj xeheje, pasi që paraprakisht kishin kryer disa hulumtime dhe kishin konstatuar se pjesa e Dubovcit dhe e Galicës janë të pasura me magnezit. Miniera e magnezitit në Dubovc të Vushtrrisë ka qenë funksionale deri në vitin 1964. Fillimisht atë e kishin mbajtur anglezet, po me largimin e tyre minierën e kishte marrë Mbretëria e Serbisë. Në Drenicë
thonë se Serbia ishte përkujdesur që pikërisht për shkak të minierës t’i ndajë Galicën dhe Dubovcin nga Drenica dhe t’ia bashkëngjisë komunës së Vushtrrisë.
Poeti dhe publicisti Bedri Tahiri, i cili është nga Dubovci, i tha “Zërit” se Serbia këtë ndarje e kishte bërë me qëllimin që ta varfërojë Drenicën, e cila gjithmonë shquhej me luftën kundër pushtuesve.

“Kjo pjesë e Drenicës është përplot xehe të magnezitit dhe Serbia ishte përkujdesur që ta mbyllë minierën me qëllimin që Drenica të varfërohet. Në kohën kur minierën e kanë pasur anglezët ka qenë një nga minierat me prodhimin më të madh të xehes së magnezitit, jo vetëm në Kosovë. Por, Serbia e kohës së Krajlit dhe ajo e pasluftës së Dytë Botërore kanë punuar kundër shqiptarëve dhe qëllimi ka qenë që ato pjesë që janë shquar me mosdurimin ndaj pushtuesve t’i varfërojë sa më shumë”, thotë Tahiri.

Në Dubovc ende shihen gjurmët ku ndodhej miniera. Një prej minierave, e cila ndodhet në afërsi të shkollës së vjetër të Dubovcit, e cila ishte djegur dhe rrënuar gjatë luftës, shihet qartë hyrja në minierë.

Gazeta Zeri,  17.12.2016