Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Largime masive në OSHE; punonjësve u kërkohet haraç për t’u rikthyer

Ka nisur të zbatohet skema e njohur në koorporatat e mëdha shtetërore, ku përpara zgjedhjeve largojnë një pjesë të punonjësve të aftë për t’i zëvënedësuar me militantë, të cilët më pas qëndrojnë apo largohen sipas pagesës.

Burime të “Pamfleti”, bëjnë të ditur se në OSHE por edhe në koorporata të ndryshme ka nisur një fushatë e madhe pezullimesh nga puna.

Ky fenomen ka ndodhur sidomos në OSHE, një skemë e përdorur edhe në zgjedhjet e kaluara.

Siç mësohet, në OSHE, disa nga punonjësit që kanë qenë pjesë e divizioneve në territor kanë marrë këto ditë letrën e pezullimit, pa pasur një argumentim.

Po siç mësojmë nga këto persona që kanë marrë letrën e pezullimit, kemi të bëjmë me një skemë të njohur në prag të të gjitha zgjedhjeve në Shqipëri, kur administrata e koorporatave shtetërore, fryhet me militantë, në bazë të nevojave për të afruar persona që influencojnë tek votat.

Më pas, ndaj këtyre personave të larguar, zbatohet sërish një skemë e njohur. Disa nga personat që kanë bërë shkresat, i bëjnë të ditur se i duhet nja “një mijë euro ose më shumë për ta rregulluar këtë punë”.

“Është një skemë e pastër rryshfeti, apo haraç që më shumë se gjysma e punëtorëve të OSHE ka paguar gjithë këto vite”, thekson njëri prej të pezulluarve për “Pamfleti”-n.

Edhe pse insistojmë të mësojmë, ose të nxisim nga ai, apo shokët e tij se pse nuk vijon një betejë administrative apo gjyqësore, ai ta kthen se është e kotë.

“Kështu ka ndodhur gjithmonë, unë jam larguar në 2007 nga Albtelekom me të njëtën skemë, më pas erdha nga PD në OSHE në vitin 2010, dhe në 2015 u largova po kështu. U detyrova të paguaja 1 mijë euro për tu kthyer”, thotë ai.

“Po si ka mundësi, rroga juaj është vërtetë aq e larta sa të justifikojë pagesën”, ishte pyetja jonë dhe përgjigja nuk vonoi.

“Rroga nuk është shumë e lartë kap rreth 80 mijë lekë në muaj, por mund të themi që kemi pasur mundësi të lëvizim, pra që të marrim para në punët paralele me privatin. Duke qenë se jemi pjesë e OSHE edhe e kemi marrë ndonjë bakshish. Të cilat na e përmendin non stop, madje sapo ne e kemi marrë. Ky është një haraç që do të duhet të paguajmë. Sot e paguaj unë, nesër një shok i imi. Lista është preçize, thuajse e saktë. Kështu ka ndodhur gjithmonë”, thotë punonjësi i OSHE.

Ai madje shton se kjo furtunë nuk ka kapur vetëm punonjës që janë që nga koha e PD-së, por edhe militantë socialistë, të cilit kanë punuar gjatë në terren.

“Ka militantë të PS-së, që kanë punuar që nga 2013, por që janë larguar e kthyer dy herë gjatë këtyre 7 viteve, duke paguar ‘faturën”, thotë ai për “Pamfeti”-n.

I pyetur se sa mund të shkojë numri i personave të pezulluar këto ditë në OSHE, ai thotë me siguri që bëhet fjalë për një numër të konsiderueshëm, por thekson se nuk ka një dijeni të plotë.

“Është një skemë e njohur tashmë. Ka disa pushtete që e përdorin. Pjesa më e madhe e mëditësve paguajnë haraç, ndryshe nuk mbijeton dot, pushohesh fishek”, thotë ai. I cili shton se ka mjaft emra që figurojnë si punonjës prej vitesh që janë në punë pa qenë asnjë ditë në punë.

“Këto vijnë nga lart, nga emra të mëdhenj në PS, kush e ka pushtetin më të fortë. Disa herë ka qenë Gjylameti në krye, disa herë Ervin Bushati, sot ai që ka “carta bianca” është Ulsi Manja. Nëse ke shok Ulsiun punësohesh në OSHE”, shton i sapopezulluari, që tregon se ka dijeni që situata të ngjashme kanë ndodhur edhe në ndërmarrje të tjera si Posta apo edhe UKT.

Pamfleti, 15.08.2020