Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Balla-Berisha, debat mbi çështjen CEZ

Ish-kryeministri, Sali Berisha nuk është paraqitur as sot në mbledhjen e komisionit hetimor për CEZ. Kryetari i komisionit, Taulant Balla i ka dërguar një shkresë policisë për shoqërimin me forcë të Berishës në komision.

Balla deklaroi se kjo është hera e tretë që ish-kryeministri Berisha refuzon të paraqitet në komision për të dëshmuar dhe në këto kushte ligji lejon që t’i kërkohet policisë shoqërimi i tij me forcë.

Berisha është vënë në dijeni dy herë nëpërmjet shkresave zyrtare dërguar nga unë si kryetar i komisionit dhe sekretarja e përgjithshme e kuvendit. Në këto kushte, bazuar në nenin 16 të ligjit “Për Komisionet Hetimore“, i kërkojmë policisë shoqërimin e Sali Berishës për të dëshmuar”- deklaroi Balla.

Shqiptarja.com zbardhi pak ditë më parë dy letrat që i janë dërguar ish- kryeministrit për të qenë i pranishëm në komision, një nga sekretarja e përgjithshme e kuvendit Albana Shtylla dhe një nga kryetari i Komisionit Taulant Balla.

“Komisioni ju bën me dije se në rast mosparaqitjeje për të dëshmuar, do të zbatohet ligji nr 8891 datë 2.5 2002, ‘për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit, i cili në nenin 16 pika 4 përcakton: “Kur dëshmitari nuk paraqitet pa arsye të përligjuara, i kërkohet organeve të policisë të bëjnë thirrjen me forcë të tij.”- thuhej në letrën e Ballës.

Berisha: Do jem i pranishëm në mbledhjen e radhës
Zyra e shtypit e Berishës njofton shkakun pse nuk shkoi ish-kryeministri në Komision, që sipas tyre, i ishte bërë i njohur Komisionit nga Arben Ristani.

Sipas këtij njoftimi, Ristani e ka njoftuar komisionin se zoti Berisha do të jetë i pranishëm në mbledhjen e radhës së komisionit hetimor.

Ju njoftoj se zoti Berisha nuk është paraqitur sot në komisionin hetimor parlamentar për CEZ për arsye objektive, gjë e cila është bërë me dije zyrtarisht në komision nga nënkryetari i këtij komisioni, zoti Arben Ristani. Zoti Ristani ka njoftuar gjithashtu se zoti Berisha do jetë i pranishëm në mbledhjen e radhës së këtij komisioni. Çdo deklaratë e bërë nga Taulant Balla është si gjithmonë thjesht një sharlatanizëm i bërë nga një individ i pafytyrë dhe pa identitet.“- thuhet në njoftimin e shpërndarë për mediat.

Kuvendi i Shqipërisë ka ngritur komisionin hetimor  “Për të hetuar dhe verifikuar zbatimin e legjislacionit në fuqi dhe mbrojtjen e interesit të shtetit shqiptar gjatë procedurave të privatizimit të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes dhe negocimi i marrëveshjes së shitjes së Aksioneve, miratuar me ligjin nr.10/116, datë 23.4.2009, “Për miratimin e kontratës së shitjes së 76 përqind të aksioneve të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës së Republikës së Shqipërisë dhe CEZ” si dhe evidentimi i efekteve negative financiare të shkaktuara nga ndjekja e zbatimit të kësaj marrëveshjeje.

Shqiptarja.com  21.11.2016