Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Debate për ligjin e ri të energjisë së rinovueshme

Një ligj i ri për energjinë e rinovueshme, që po hartohet nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë ka hapur debat mes kësaj të fundit dhe investitorëve të energjisë, të cilët janë të shqetësuar për garancitë kontraktuale që lidhen me çmimin e shitjes. Pavarësisht se Ministria e Energjisë tentoi t’i qetësonte investitorët se do të kishte një trajtim të veçantë pёr të gjithë prodhuesit ekzistues me përparësi të energjive të rinovueshme, duke garantuar blerjen e energjisë për gjatë gjithë kohëzgjatjes së kontratës, me anë të një çmimi i cili siguron vetëshlyerjen e plotё tё impiantit ata sërish nuk janë të bindur se kjo do të ndodhë.

Në një deklaratë pas sqarimit të Ministrisë, Shoqata Shqiptare e Energjisë së Rinovueshme (AREA) thotë se mirëpret çdo garanci nga MEI dhe institucionet e tjera shtetërore që rregullojë funksionimin e prodhimit të energjisë së rinovueshme.

Por AREA dëshiron të sjellë në vëmendje faktin se investitorët e huaj dhe shqiptarë kanë kërkuar vazhdimisht zbatimin e direktivës europiane për përcaktimin e çmimit, e cila përcakton “kthim të plotë të investimeve dhe një fitim të arsyeshëm”. Ndërsa në projektligj, në paragrafin 3, të nenit 22, përcaktohet vetëm kthimi i arsyeshëm i vlerës së investimit.

“Metodologjia bazohet në çmimin e tregut të organizuar të energjisë elektrike ose deri nё krijimin e tij, në çmime të krahasueshme të tregjeve të organizuara të vendeve fqinje, plus një bonus tё caktuar pёr promovimin e këtyre burimeve, i cili merr në konsideratë një kthim të arsyeshëm të vlerës së investimeve. Në çdo rast, ky çmim nuk do të jetë më i ulët se çmimi i miratuar nga ERE në momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji”, thuhet në projektligjin që MEI ka dorëzuar në Këshillin e Ministrave.

Në ligjin ekzistues, çmimi përcaktohet nga Enti Rregullator i Energjisë, ERE, si ent i pavarur nga ekzekutivi. Ndërsa ligji i ri i hartuar nga MEI ia heq këtë kompetencë ERE–s, duke ia dhënë përcaktimin e metodologjisë së çmimit, Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë.

“Çmimi i blerjes së energjisë elektrike nga prodhuesit ekzistues llogaritet nga ERE, nё pёrputhje me metodologjinë e miratuar nga Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit”, përcaktohet në projektligj.

AREA konsideron se referencat për çmimin te tregjet e mundshme krijojnë një paqartësi që shton pasigurinë në këtë sektor.

Referenca në projektligj se ky çmim nuk do të jetë më i vogël se sa çmimi aktual në dukje është e vetmja referencë objektive dhe e qartë, por mbart dy shqetësime të rëndësishme.

  1. Ky çmim nuk garanton kthimin e investimeve, siç është kujdesur vetë MEI të mos e saktësojë në nenin e sipërcituar. AREA dëshiron të saktësojë se te çmimi aktual është arritur duke iu referuar Bursës së Hungarisë, së cilës nuk i referohet as vetë Hungaria për sa i përket energjisë së saj të rinovueshme.
  2. Ligji i mëparshëm i konceptonte prodhuesit privatë si të barabartë në prodhim me KESH sh.a., duke mos e bërë atë përgjegjës për disbalancat. Ndërsa projektligji i ri i bën prodhuesit privatë përgjegjës për disbalancat në një kohë që KESH sh.a., edhe pse disponon diga dhe liqene, nuk e ka këtë përgjegjësi.

Në prodhim këto disbalanca rëndojnë 20-25% të tërësisë së prodhimit.

Kjo është një kosto e shtuar. Për përcaktimin e saktë të kësaj kostoje i është lënë dorë e lirë Këshillit të Ministrave, për ta vendosur si dhe sa do të jetë duke rritur pasigurinë e investimeve.

AREA thekson se ajo është bërë pjesë e nënshkrimit të kontratave të reja që e transferojnë blerësin e energjisë së rinovueshme të prodhuar prej saj nga KESH sh.a. tek OSHEE. Kjo kontratë u pranua nga të gjithë anëtarët e AREA vetëm pasi u përfshinë shqetësimet e AREA-s.

Në këtë frymë, AREA kërkon nga MEI që garancitë e investimit, sigurisë juridike dhe të çmimit t’i përcaktojë në draft-ligjin që është ende në diskutim, në mënyrë të qartë dhe transparente.

Çdo përpjekje tjetër për të mos i dhënë këto garanci ligjërisht është shpenzim i kotë energjie, cenim i investimeve prej 400 milionë eurosh të bëra nga investitorët vendas e të huaj deri më sot dhe i gjithë investimeve të tjera mundshme në të ardhmen, përfundon AREA.

Revista Monitor,  17.11.2016