Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Rritet akciza për gazin e lëngshëm

Qeveria ka planifikuar që në janar të vitit të ardhshëm të aplikojë akcizë për gazin e lëngshëm në nivelin 3 lekë për litër. Ministria e Financave ka arsyetuar se kjo masë ka qëllim përafrimin me standardet e BE-së dhe të vendeve të rajonit që e taksojnë këtë produkt.

Duke llogaritur që importi vjetor i gazit të lëngshëm është rreth 100 mijë tonë në vit, efekti në të ardhurat buxhetore do të jetë 540 milionë lekë nga akciza dhe 107 milionë lekë nga TVSH. Në total, 647 milionë lekë.

Diferencimi i këtij produkti, në raport me nënproduktet e tjera të naftës, bie ndesh me politikat e përafrimit gradual me nivelin e detyrueshëm minimal të taksimit që aplikohet në BE ku aplikohet akcizë në nivelin e detyrueshëm sipas direktivës, argumenton Ministria e Financave në relacionin përkatës për Paketën Fiskale të 2017-s.

Për të mos ndikuar në rritjen e shpenzimeve nga përdoruesit familjarë të industrisë dhe për të shmangur abuzimet që mund të ndodhin, duke aplikuar nivele të diferencuara, me qëllim inicimin e procesit të përafrimit siç edhe ka ndodhur me produktet e tjera të akcizës, është propozuar një nivel minimal taksimi 3 lekë për litër.

Paketa Fiskale 2017 më së shumti është bazuar te masat lehtësuese. Ligji kryesor pritet të jetë ai i faljes së gjobave.

Amnistia e pjesshme fiskale që qeveria ka nisur ta ndërmarrë këtë vit pritet të sjellë në buxhetin e vitit 2017 rreth 4.3 miliardë lekë më shumë. Ministria e Financave ka programuar se ligji për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme, pritet të ketë efekte pozitive në të ardhurat për vitin 2017, rreth 2.1 miliardë lekë.

Ndërsa efektet e pritshme të projektligjit për faljen e një pjese të gjobave me kusht pagimin e detyrimit tatimor rreth 2.5 miliardë lekë. Qeveria duket se është duke i dhënë dorën e fundit një projektligji që fillimisht u trajtua si amnistia më e madhe fiskle e ndërmarrë ndonjëherë në vend, por për shkak të kushtëzimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar, do të finalizohet si një falje e pjesshme e gjobave.

Revista Monitor,  04.11.2016