Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Zhvillohet në Tiranë panairi “Energjia dhe ndërtimi”

Ministri i Energjisë dhe Industrisë z. Damian Gjiknuri ishte i pranishëm në ceremoninë e hapjes së panairit “Energjia & Ndërtimi 2016”, organizuar nga “Tirana Expo Centre” në bashkëpunim me Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë.

Inovacione në produkte, projekte me rëndësi kombëtare, kompani të reja, janë prezantuar në edicionin e tretë të këtij eventi, në një mjedis që promovon marrëdhëniet bilaterale të biznesit. Në axhendën e këtij panairi gjithashtu janë planifikuar disa takime, seminare si dhe aktivitete sociale nga organizata jo-qeveritare. Me anë të këtyre aktiviteteve u jepet mundësinë ekspertëve të fushës të ndajnë eksperiencën e tyre dhe të shkëmbejnë mendime.

Ministri Gjiknuri duke shprehur falenderimet për organizimin, deklaroi se është krijuar një profil unik në gamën e panaireve të shumta në Shqipëri. Duku u ndalur tek sektori elektroenergjetik, Gjiknuri tha se një nga sfidat që ka pasur kjo ministri ka qenë stabilizimi i këtij sektori, i cili ka qenë një gropë e madhe financiare për shtetin.

“Pas kësaj faze të stabilizimit financiar ka ardhur momenti që edhe Shqipëria të fillojë të mendojë por edhe të aplikojë politika si gjithë Europa. Këtu e kam fjalën për eficencën dhe për energjitë alternative. Shikoj shumë produkte që realisht nëqoftëse njerëzit do të jenë të ndjeshëm dhe sensibiliteti do të rritet, do të kenë një interes jashtëzakonisht të madh ekonomik. Qeveria shqiptare po miraton edhe disa ligje të rëndësishme që do ta promovojë këtë fushë, siç është ligji për performancën energjitike në ndërtesa. Këto patjetër do të përcaktojnë nevojën që të gjitha ndërtesat në të ardhmen të jenë të ndërtuara sipas parimit të eficiencës,” u shpreh z. Gjiknuri.

Ministri Gjiknuri tha se po shikohet mundësia e krijimit të fondit të eficiencës energjetike. “Pse e bëjmë këtë? Siç kanë aplikuar edhe vende të tjera edhe ne duam të fillojmë skemat e financimit, mikrofinancimit, për shumë biznese të vogla për të pasur investime në fushën e eficiencës së energjisë në godinat e tyre dhe interesi ekonomik do të jetë i lartë pasi kursimi do të jetë i lartë. Vetëm nga disa projekte që ne kemi bërë në fushën e eficencës së energjisë në godinat publike, në shkolla, apo në disa godina të tjera me mbështetje të programeve nga BE-ja apo KFV-ja kursimi ka qenë mbi 40-50%. Do të thotë që investimi në 4-5 vjet ishte i larë duke reduktuar faturën e energjisë elektrike dhe mundësitë janë të mëdha,” theksoi ai.

energjia.al  29.10.2016