Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

“Curti” i kërkon AKBN të ankimojë vendimin ndaj Bankers

Studio ligjore “Curti” i ka kërkuar Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore (AKBN ) të ankimojë raportin e ekspertit të pavarur Price Waterhouse Cooper, i cili i dha të drejtë Bankers Petroleum, ndryshe qeveria shqiptare do të paguajë ndaj  Bankers shumën prej 65 milionë eurosh, në të cilën përfshihet refuzimi i Bankers për t’i paguar qeverisë 57 milionë dollarë taksa dhe 8 milionë të tjera penalitete.

“Ne rekomandojmë me forcë që të paraqiteni për një sfidë të vendimit të Panelit të Ekspertëve në Gjykatën Tribunale të Arbitrazhit Ndërkombëtar. Termat e referencës të rënë dakord nga palët përfshijnë shprehimisht të drejtën për të kundërshtuar vendimin e ekspertit, kjo e drejtë është për të dyja palët! Në qoftë se Bankers do të kishte qenë i pakënaqur me vendimin, ju mund të jeni i sigurt se do të ushtronte të drejtat e tij për ta sfiduar vendimin në arbitrazh”, sipas një email-i që studio ligjore “Curti” i ka çuar AKBN, i zbardhur nga Vizion Plus.

Studio ligjore e ka argumetuar kërkesën e saj për ankim me faktin se, të mos ankimosh është gjest i papjekur thjesht të ndalesh dhe të mos ndjekësh mekanizmat ligjorë që ke në dispozicion, kur praktikat kanë treguar se mund të dalësh fitimtar.

Sipas studios ligjore, mundësitë e palës shqiptare për të fituar nëse apelon janë shumë më të mëdha nëse kemi parasysh faktin se raporti i ekspertit të pavarur ka gabime të dukshme.

Ndërkohë AKBN dhe Ministria e Energjetikës kanë vetëm 5 ditë kohë të apelojnë vendimin në Gjykatën e Arbitrazhit.

Pak kohë më parë, Bankers Petroleum Ltd., ka njoftuar se raporti auditues i palës së tretë mbi mosmarrëveshjen e taksave për vitin 2011 është lëshuar, duke vendosur se Bankers i ka deklaruar të sakta shpenzimet e tij si kosto të rimbursueshme në vitin 2011, bazuar në licencë-marrëveshjen hidrokarbure.

Siç është rënë dakord më parë me Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore (AKBN), Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë dhe Bankers, vendimi është një zgjidhje përfundimtare dhe si e tillë autoritetet e taksave në Shqipëri do të rillogarisin detyrimet e taksave për vitin 2011 dhe do të përcaktojnë mekanizmin e duhur për të zgjidhur ose për të rimbursuar Bankers-in për pagesat e bëra deri më tani. Kompania i ka paguar në total 37 milionë dollarë deri më 30 qershor 2016 zyrës së taksave si derdhje për tatiminfitimin e vlerësuar për vitin 2011.

bankers petroleumPala e tretë audituese është përbërë nga një panel i përbashkët me ekspertë të Pricewaterhouse Coopers dhe kompanisë konsultuese Navigant, bazuar në termat e referencës të firmosura dhe deklaruara më 24 shkurt, 2016. Të gjitha palët janë angazhuar për të përdorur këto rezultate të palës së tretë audituese si bazat për përcaktimin e kostove të rimbursueshme hidrokarbure për vitet në vijim.

Konflikti mes Bankers Petroleum dhe tatimeve ka lindur në mesin e vitit të kaluar, pasi Albpetrol nuk i ka njohur Bankers Petroleum 220 milionë dollarë shpenzime të vitit 2011. Në bazë të raportit të Albpetrol, Tatimet iniciuan një pagesë prej 57 milionë dollarësh, që Bankers u detyrohej tatimeve, shumë që ka arritur në 75 milionë dollarë së bashku me gjobat dhe kamatat.

Ky është një detytrim që shteti shqiptar pretendon se kompania e ka shmangur, duke raportuar shpenzime më të larta se ato reale, për të ulur normën e fitimit dhe rrjedhimsiht duke shmangur pagesën e taksasve, sikundër parashikohet në marrëveshjen koncesionare. Sipas marrëveshjes në fjalë, kompania, në momentin që rikuperon shpenzimet kapitale, duhet të paguajë 50% tatim fitimi.

Konflikti kulmoi më 25 nëntor kur Tatimet bllokuan llogaritë bankare të kësaj kompanie, pasi kishin marrë autorizimin nga gjykatat shqiptare për të mbledhur me forcë 57 milionë dollarë. Llogaritë u zhbllokuan pas ndërhyrjes nga Gjykaka e Arbitrazhit, ndërsa po në dhjetor, Bankers njoftoi se kishte arritur marrëveshje me tatimet. Sipas marrëveshjes, Bankers ra dakord të paguajë të plotë detyrimin tatimor prej 57 milionë dollarësh, të cilin qeveria pretendon se është shmangur nga kompania. Skema e rënë dakord parashikon që grupi kanadez të paguajë menjëherë 10 për qind të kësaj shume dhe pastaj nga 4.2 milionë dollarë çdo muaj deri në shlyerjen e plotë të detyrimit. Por nëse Arbitrazhi do të vendosë në favor të Bankers, atëherë këto para do t’i kthehen mbrapsht kësaj kompanie.

Tashmë që auditori ka vendosur në favor të Bankers, tatimet duhet të kthejnë shumën prej 37 milionë dollarë që ka marrë deri tani, ose të bjerë dakord që kjo shumë të kompensohet nga pagesat që Bankers duhet të bëjë në të ardhmen.

Revista Monitor,  20.09.2016