Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Bien të ardhurat nga renta minerare

Një nga zërat me rezultate negative në të ardhurat në buxhetin e shtetit është ai nga renta minerale.

Sipas të dhënave paraprake, të publikuara nga Ministria e Financave, rezulton se të ardhurat nga renta minerale janë realizuar në vlerën 1.4 miliard lekë, ose -36.7% krahasuar me 7-mujorin e vitit 2015 dhe -36% krahasuar me planin.

Sipas ekspertëve të Financave, këtu është reflektuar rënia drastike e çmimit të naftës bruto në tregun ndërkombëtar. Këshu në kushtet që renta llogaritet si përqindje ndaj vlerës, rezultoi se megjithëse sasia e eksportit të naftës bruto u rrit me 55 mijë ton ose +10.7%, të ardhurat nga renta u ulën me 709 milionë lekë krahasuar me vitin e kaluar.

Renta minerare paguhet nga çdo person fizik apo juridik, që është i licencuar dhe/ose vepron në industrinë minerare, sipas një marrëdhënie kontraktuale me entin publik për burimet natyrore minerare nga/mbi/dhe nëntoka e territorit të Republikës së Shqipërisë. Renta minerare është tatim si përqindje e caktuar mbi vlerën e përgjithshme të shitjes me shumicë të produktit.

Në rastin kur produktet shiten brenda vendit, ngarkohen degët e tatimeve për arkëtimin e kësaj rente. Në rastin e eksportit të produkteve minerare, renta paguhet në çastin e bërjes së deklaratës së eksportit dhe janë degët e doganave në rrethe që ngarkohen për arkëtimin e kësaj rente. 25 për qind e të ardhurave nga renta minerare i kalojnë pushtetit vendor në territorin e të cilit zhvillohet veprimtaria eksportuese.

Sipas legjislacionit në fuqi, mineralet ndaj të cilave aplikohet renta minerare janë të kategorizuar në shtatë grupe kryesore: mineralet metalike, mineralet jometalike, qymyret dhe bitumet, mineralet dhe materialet e ndërtimit, gurët e çmuar, gurët gjysëm të çmuar dhe opali, nafta dhe gazi. Rentë prej dhjetë përqind kanë minerale si argjendi dhe ari.

Po në këtë nivel qëndron edhe renta minerare për grupin e gurëve të çmuar, gjysëm të çmuar, opali, nafta dhe gazi. Grupi i mineraleve jometalike e ka rentën minerare 4%.

Qymyret dhe bitumet e kanë në nivel prej 5%, me përjashtim të pirobitumit që ka rentë minerare në vlerën 6%. Përqindja e rentës minerare tek mineralet dhe materialet e ndërtimit lëviz nga 4% në 7%.

Scan TV,  30.08.2016