Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Gjiknuri: Projektet që po ndryshojnë hartën energjitike

Ministri i Energjisë dhe Industrisë z.Damian Gjiknuri mori sot pjesë në punimet e Konferencës së Ambasadorëve, aktivitet treditor që zhvillohet në mjediset e Ministrisë së Punëve të Jashtme me titullarët e përfaqësive diplomatike dhe konsullore të Republikës së Shqipërisë në botë.

Kjo Konferencë shërben si një platformë për shkëmbimin e informacioneve dhe ideve, si dhe ngre për diskutim disa prej çështjeve më të fundit që lidhen me politiken e jashtme të vendit tonë, rajonin dhe arenën ndërkombëtare.

Në Konferencë, ishin të ftuar si panelistë për të ndërvepruar me diplomatët, anëtarë të kabinetit qeveritar, përfaqësues te shoqërisë civile, analistë dhe përfaqësues të botës akademike, nga hapësira shqiptare ashtu edhe ajo ndërkombëtare, me qëllim diversifikimin e opinioneve dhe ideve mbi zhvillimet aktuale të marrëdhënieve ndërkombëtare.

Në fjalën e tij, Ministri Gjiknuri deklaroi se Ballkani Perëndimor e Shqipëria janë futur tashmë në axhendën e interkonektivitetit dhe sigurisë energjitike. “Ndodhi ajo që përflitej me kohë, hapja e një korridori të ri për Bashkimin Evropian, për furnizimin me energji, pra Korridorin Jugor. Ballkani Perëndimor dhe Shqipëria u futën në një hartë që dikur nuk e kishin menduar”, nënvizoi z.Gjiknuri.

Në këtë projekt të rëndësishëm, vijoi z.Gjiknuri, ne shohim interesin kombëtar, të përfitojmë një burim të ri energjie.

“Shqipëria është vend i varur nga prodhimi i energjisë me hidro, kërkesa për energji është në rritje dhe vendi ka nevojë për diversifikim energjie. Qeveria mundësoi përmbylljen e Masterplanit të Gazit i cili shumë shpejt do të kthehet në një dokument zyrtar e strategjik. Do të jetë harta jonë përsa i përket zhvillimit të sektorit dhe gazit dhe gazifikimit në Shqipëri. Kjo do të pasohet me rrjetin e shpërndarjes dhe do të krijojë gjithashtu mundësi ekonomike e burim alternative energjie”, sqaroi z.Gjiknuri.

Ky burim furnizimi gazi mund ta shndërrojë vendin në një nyje të vogël energjitike duke degëzuar edhe rrjetet e tjera siç është rasti i gazsjellësit Jonian-Adriatik (IAP). “Ky gazsjellës mund të duket ëndërr por mos harroni se kështu mendohej deri vite më parë edhe gazsjellësi TAP për shkak se gazi i Rusisë është gjithmonë i lirë. Gazsjellësat janë projekte afatgjata që kërkojnë shumë para dhe nuk kthejnë menjëherë investimin. Në kohën kur investitorët kanë mbështetje edhe shtetërore bëhet e mundur që të bëhen realitet. Disa zbulime të viteve të fundit në Mesdhe kanë bërë që sasitë rezervë në Qipro, Izrael apo Egjipt të jenë të mëdha. Këto patjetër që lidhjen më natyrale e kanë me Korridorin e Jugut”, u shpreh ministri Gjiknuri.

Në këndvështrimin e ministrit Gjiknuri, do të ketë sasi gazi shtesë dhe duke qenë kjo e bën edhe më të vlefshëm gazsjellësin IAP. Sipas tij, ka investitorë të interesuar dhe vende të rajonit si Kroacia, Shqipëria e Mali i Zi shumë shpejt do të ngrenë një kompani të përbashkët, entitet juridik për ta promovuar.

“Bashkë me Kosovën po promovojmë e shumë shpejt do nisë studimi i fizibilitetit për lidhjen e TAP-it me Kosovën duke krijuar më shumë mundësi. Lidhja e IAP-it më tej krijon mundësinë e ringut të gazit për Ballkanin”, tha z.Gjiknuri.

Duke u ndalur tek energjia elektrike, ai nënvizoi se lidhja me Kosovën ka përfunduar dhe vitin e ardhshëm fillon lidhja me Maqedoninë. “Kemi filluar punën edhe për krijimin e tregut të energjisë elektrike që këto mundësi që krijon ndërlidhja të vihen në funksion edhe të burimeve tona”, theksoi ai.

energjia.al  15.07.2016