Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Berzh jep 218 mln euro për KESH

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) mbështet modernizimin e Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare (KESH), gjeneruesi më i madh i energjisë elektrike në Shqipëri, me një hua prej 218 milionë euro për të mbështetur ristrukturimin e Shoqërisë dhe zbatimin e paketës së reformave.

KESH është shoqëria shtetërore e gjenerimit të energjisë elektrike e cila siguron 70 për qind të prodhimit total në vend dhe është aktive në sektorin rajonal të gjenerimit të energjisë.

Në kuadër të strategjisë së saj për të ndihmuar vendet në të cilat investon të adresojnë sfidat e sigurisë së energjisë dhe ndryshimeve klimaterike, BERZH po asiston KESH në modernizimin dhe përmirësimin e situatës financiare si dhe në rritjen e qëndrueshmërisë ndaj ndryshimeve klimaterike.

Huaja e BERZH do të jetë me garanci sovrane dhe do t’i mundësojë KESH një financim afatgjatë duke reduktuar kostot dhe rritur likuiditetin. Kjo do të t’i bëjë të mundur shoqërisë të fokusohet në mirëmbajtjen e aseteve ekzistuese dhe në zbatimin e një programi modernizues investimesh afatgjata.

Nën një paketë gjithëpërfshirëse reformash, KESH do të përmirësojë efiçencën operacionale dhe mirëqeverisjen e korporatës. Zbatimi i këtyre ndryshimeve do të bëjë të mundur që KESH të operojë në përputhje me kërkesat e rregulloreve respektive të BE për sektorin e energjisë. Këto masa përfshijnë zhvillimin e një burse të energjisë, integrimin rajonal dhe formimin e tarifave.

BERZH gjithashtu po ofron asistencë teknike, nga fondet e donatorëve, për të ndihmuar KESH në zbatimin e komponentëve të qëndrueshmërisë klimaterike të operimit dhe manaxhimit të saj Nandita Parshad, Drejtore e BERZH për Energjinë deklaroi se “KESH është tashmë në rrugën e reformave gjithëpërfshirëse dhe BERZH është e lumtur ta mbështesë në këtë iniciativë. Në veçanti, ne jemi të lumtur të ndihmojmë Shoqërinë të përparojë drejt praktikave më të mira ndërkombëtare të qeverisjes së korporatave dhe qëndrueshmërisë klimaterike.”

Agron Hetoja, Drejtor i KESH u shpreh se “Ky është një moment shumë i rëndësishëm për shoqërinë tonë. Huaja e BERZH do të ndihmojë në përforcimin e strukturës sonë financiare dhe do të na ndihmojë të jemi lider në reformat e sektorit. Zbatimi i këtij plani ambicioz do ta transformojë KESH në të mirë të ekonomisë dhe klientëve”.

Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri shtoi se “Ky projekt, përbën një tjetër arritje në reformimin e sektorit të energjisë dhe synon të sigurojë energji të përballueshme, të sigurtë dhe të gjelbër për popullin Shqiptar.”

Ministri i Financave Arben Ahmetaj theksoi se “Ristrukturimi i KESH në bashkëpunim me BERZH forcon njëkohësisht strukturën financiare dhe atë të qeverisjes së korporatës të KESH duke reduktuar dukshëm riskun fiskal në Shqipëri.”

Investimi i BERZH është në përputhje me planin e rimëkëmbjes financiare të sektorit energjitik që qeveria shqiptare dhe KESH zhvilluan në bashkëpunim me Bankën Botërore.

Deri më sot, BERZH ka investuar rreth 1 miliardë euro në 70 projekte në sektorë të ndryshëm të ekonomisë. Rritja e qëndrueshmërisë ekonomike, promovimi i integrimit dhe adresimi global dhe rajonal i sfidave janë prioritete kyçe të BERZH në kuadër të Planit të Implementimit Strategjik të Bankës për periudhën 2016-2018.

 

Fjala e Ministrit të Energjisë dhe Industrisë z. Damian Gjiknuri pas firmosjes së marrëveshjes së huasë mes Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare dhe BERZH-it:

Të nderuar pjesëmarrës,

Kjo marrëveshje që u firmos sot nga Qeveria Shqiptare dhe Korporata Elektroenergjetike Shqiptare do të thoja është një gur i rëndësishëm kilometrik i vet procesit të rimëkëmbjes energjetike. Pse? Sepse nëpërmjet kësaj kredie të butë bëhet i mundur ristrukturimi i një borxhi jashtëzakonisht të lartë, mbartur nga keqmenaxhimi i sektorit elektroenergjitik gjatë viteve të shkuara. Borxh që rëndonte në buxhetin e korporatës por njëkohësisht ekspozonte Buxhetin e Shtetit, ekspozonte Qeverinë Shqiptare në kredi të tilla që do të thoja se nuk ishin efektive. Kanë qenë kredi të marra thjesht për të mbuluar keqmenaxhimin dhe për të financuar humbjet.

Kjo kredi bën të mundur që ky borxh të shlyhet në vite, pra edhe principali i këtij borxhi. Korporata Elektroenergjetike Shqiptare por edhe njëkohësisht qeveria shqiptare do të vazhdojë të ulë ekspozimin e saj duke qenë një garanci më shumë për besimin që kanë institucionet financiare ndërkombëtare. Të mos harrojmë që është kredia më e madhe e marrë deri më tani për sektorin elektroenergjitik. Janë 218 milion euro që tregojnë besimin që është kthyer tek institucionet financiare ndërkombëtare për të bërë të mundur rritjen e këtij sektori.

Njëkohësisht është një garanci më shumë dhe për një element tjetër që dua ta them, edhe për mirëmenaxhimin e korporatave. Pse?! Sa më shumë institucione ndërkombëtare përfshihen në dhënien e garancive financiare për të gjitha korporatat elektroenergjetike, qoftë KESH-i, OST-ja, apo Operatori i Shpërndarjes tregon që këto korporata vihen më shumë në kontroll dhe shkojnë drejt linjave të menaxhimit ashtu siç duhet, një menaxhimi komercial të tyre.

Realisht ka dhe efektin e një presioni pozitiv për mirëmenaxhimin e sektorit. Pak nga pak këto borxhe do të jenë më të pakta, ekspozimi do të jetë më i pakët dhe realisht hapësirat që krijohen le të shpresojmë që të përdoren për kredi më interes më të mirë që do të thotë rritje investimesh dhe rimëkëmbje e plotë e sektorit elektroenergjetik që kërkon investime.

Unë e përgëzoj stafin e Ministrisë së Energjisë, Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare dhe mbi të gjitha Ministrinë e Financave të cilët gjatë gjithë kësaj periudhe kanë arritur të bindin këtë institucion shumë të rëndësishëm ndërkombëtar që të japë paketën më të rëndësishme financiare që ka parë sektori në këto vite.

Ju uroj sukses dhe shpresoj që të mblidhemi për ceremoni të tjera, për mbështetje të tjera financiare që jam i sigurt sektori do ti bëjë të mundur.

Faleminderit!

 

Fjala e përfaqësuesit të BERZH-it, z.Francesco Corbo:

I nderuar Ministër, kolegë dhe partnerë, jam shumë e lumtur që në emër të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim të nënshkruaj këtë marrëveshje shumë të rëndësishme huaje prej 218 milionë euro me KESH, e cila shënon një kapitull të ri në një marrëdhënie tashmë të konsoliduar siç është ajo midis KESH, Qeverisë Shqiptare dhe BERZH.

Ky është një projekt transformues për vendin dhe sektorin pasi ai mbështet axhendën ambicioze të reformave të Qeverisë për të promovuar liberalizimin e tregut dhe integrimin e Shqipërisë në tregun rajonal energjitik.

Huaja e akorduar do të përdoret për të rifinancuar dhe zgjatur afatet e overdrafteve afatshkurtër me garanci sovrane për të cilat KESH ka hyrë në marrëveshje me bankat tregtare për të mbuluar boshllëqet financiare te trashëguara. Rifinancimi i bilancit të KESH për zgjatjen e afatit të huave do të mundësojë për KESH arritjen e një situate të qëndrueshme financiare dhe aplikimin e praktikave më të mira tregtare.

BERZH do të ofrojë gjithashtu asistencë teknike përmes fondeve të saj të donatorëve për ta ndihmuar KESH në krijimin dhe zbatimin e një strukture të qeverisjes së korporatave dhe ngritjes së elementeve të qëndrueshmërisë klimaterike në operacionet dhe në menaxhimin e kapaciteteve.

Më lejoni ta mbyll duke falenderuar mikpritësit tanë sot, Qeverinë Shqiptare dhe KESH si dhe skuadrën e BERZH e cila ka punuar vërtetë shumë dhe në bashkëpunim në zhvillimin e këtij projekti. Ne do te mirëpresim bashkëpunime të tjera të suksesshme në vitet ne vijim.

Faleminderit!

 

Fjala e Ministrit të Financave z.Arben Ahmetaj:

Përshëndetje të gjithëve,

Besoj se është një nga momentet më të mira për sektorin elektroenergjitik shqiptar. Pas një ristrukturimi dhe një reforme tejet të thellë, të domosdoshme dhe shumë të suksesshme, situata në sektorin elektroenergjitik dhe në të tre kompanitë shfaqet tejet e përmirësuar. Sigurisht që është momenti të kujtojmë që e morëm sektorin energjitik me 1.2 miliard borxhe në kurriz. Jo vetëm borxhe në kurriz të sektorit por një rrezik eminent dhe i lartë për Buxhetin e Shtetit dhe gjithë kuadrin makrofiskal.

Dua t’ju kthej gati tre vjet prapa për të ju rikujtuar që sektori elektroenergjitik po e merrte me vete Buxhetin e Shtetit drejt greminës. Sot dua të theksoj se sektori elektroenergjitik nuk është më një ngarkesë dhe një barrë për Buxhetin e Shtetit por përkundrazi ka filluar të ulë që nga viti 2014 e në vazhdim presionin mbi Buxhetin e Shtetit në mënyrë të konsiderueshme. Kjo është falë punës së tre korporatave, falë punës së ministrit dhe të Ministrisë së Energjisë ashtu sikurse mbështetjes së gjithë qeverisë. Sot nuk flasim më për borxhe të cilat kanë mbytur sistemin elektroenergjitik por flasim vetëm për zhvillim.

Të sqarojmë qytetarët se çfarë kemi bërë me këtë kredi 218 milion euro. Këto janë para të marra në vitet e shkuara dhe nuk kanë lidhje me formatin e kësaj qeverie. Kanë qenë kredi që janë marrë për të mbuluar gropën, atë gropë për të cilën ne kemi folur gjithmonë. Kanë qëndruar në kurriz të korporatës dhe në kurriz të sistemit me një kosto tejet të lartë. Sot, ne konvertojmë të gjithë këtë borxh afatshkurtër që është marrë në vitet e shkuara nga bankat e nivelit të dytë, me një kosto shumë të lartë. Po e konvertojmë tashmë në një borxh afatgjatë në 15 vite, me një kosto shumë më të ulët. Kjo do të lejojë menaxhimin e KESH-it dhe gjithë sektorit elektroenergjitik të planifikohet më mirë, të menaxhojë dhe të mos ketë atë presion që ka patur për ripagesat.

Gjej rastin sërish që të falënderoj BERZH-in, të falenderoj ministrin dhe tre korporatatpër punën e shkëlqyer në këto vite dhe tu uroj suksese të mëtejshme.

Faleminderit!

energjia.al  02.07.2016