Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Hiqet fasha e energjisë për pensionistët në fshat

Qeveria ka gjetur një zgjidhje për të gjithë ata qytetarë që kanë aplikuar për pension, por nuk iu njiheshin vitet e punës për shkak të mungesës së dokumentacionit.

Bëhet fjalë për njohjen e kontributeve të tyre para 1 janarit të vitit 1994.

Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi, teksa bëri publik vendimin e miratuar nga Këshilli IiMinistrave, tha se qytetarët nuk kanë pse të enden më dyerve të gjykatave për faj të administratës.

Klosi: Vendimi ka për qëllim që të zgjidhë disa probleme thelbësore të dokumentimit dhe vlefshmërisë së periudhave të sigurimit dhe vjetërsisë në punë të personave që kanë punuar në ish ndërmarrjet apo ish kooperativat bujqësore, përpara datës 01.01.1994,  për të cilat sot ka disa vendime gjykatash e mijëra e mijëra procese të zvarritura për të regjistruar e çregjistruar të drejtën e qytetarëve shqiptarë. Ky ligj përpiqet t’u japë fund këtyre parregullsive kaq të mëdha.

Sipas ligjit të Sigurimeve Shoqërore, të gjitha  periudhat e punës së para 1 janarit 1994 njihen për efekt të llogaritjes së pensionit kundrejt dokumentacionit, libreza pune, regjistra etj., kur këto dokumente janë të rregullta, të padëmtuara, të plotësuara sipas kritereve të ligjit.Por gjatë periudhës së tranzicionit, shumë prej këtyre dokumentacioneve janë dëmtuar, shpesh me qëllim, shpesh për paaftësi, disa nga trajtimi jo i rregullt i dokumentacionit,  janë djegur, janë bërë të pavlefshme.Në këto kushte sigurimet shoqërore nuk mund t’i njihnin këto periudha, duke i orientuar ato drejt gjykatës, e cila ishte e vetmja mënyrë për njohjen e këtij dokumentacioni.

Falë një tjetër vendimi të Qeverisë, përfitojnë edhe pensionistët në zonat rurale. Klosi njoftoi se këtyre kategorive iu hiqet fasha prej 300 kilovatësh për pagesën e energjisë.

Klosi: Pensionistët në zonat rurale do të përfshihen gjithashtu në skemën e pagesës për kompensimin e energjisë elektrike për heqjen e fashës së konsumit prej 300 kwh në muaj.Vendimi shkon në ndihmë të mijëra familjeve pensionistësh, të cilët të evidentuar edhe nga reforma e re territoriale, nuk e kishin regjistrimin e tyre në ish bashkitë e mëdha, por e kishin në komuna apo rrethina të qyteteve dhe nuk trajtoheshin, sepse konsideroheshin si pjesë e ish komunave.Me vendimin e Këshillit te Ministrave që u miratua dje u shtuan përfituesit edhe  për disa familje pensionistesh që banojnë në zonat rurale dhe  në përgjithësi në periferi të  qyteteve,  si dhe disa qendrave të banuara që nuk  merren me bujqësi.Në projektvendim janë përfshirë këto kategori të veçanta pensionistësh:

Të moshuarit që janë pensionistë e banojnë në fshat, në zona të cilat konsiderohen ende si zona rurale, por në fakt e kanë humbur kuptimin e tyre, pasi janë kthyer në qendra të banuara dhe ku familja nuk ka as tokë dhe as ndonjë mundësi tjetër për të zhvilluar prodhimin bujqësor;Rastet kur familja përbëhet nga pensionistë, por kontrata e energjisë nuk është në emër të kryefamiljarit, por në emër të bashkëshortes; Rastet e pensioneve familjare, kur kontrata vazhdon të jetë në emër të mbajtësit të familjes, i cili nuk jeton.

Bazuar në numrin e përafërt të llogaritjeve, numrit të të kompensuarve u shtohen dhe mbi 5 mijë persona, ndërkohë që efektet financiare prej rreth 45 milionë lekë do të përballohen nga vetë Fondi i Sigurimeve Shoqërore, të programuar për vitin 2016.Kjo kategori ju shtohen 203 mijë familjeve që kanë përfituar nga kompensimi i energjisë, pas heqjes së fashës prej 300 kwh në muaj,  një vit më parë.

Për herë të parë, Qeveria ka edhe një plan kombëtar të veprimit për personat me aftësi të kufizuar.

Ky dokument strategjik, ashtu siç e cilësoi Ministri Klosi, synon të bëjë integrimin e këtyre personave.

Fushat prioritsre të këtij plani janë arsimi, punësimi, aftësimi profesional si edhe kujdesi social dhe shëndetësor.

Ora News,  01.07.2016