Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

OSHEE, Rama: Revolucion në sektor

OSHEE prezanton një tjetër shërbim të ri për abonentët, sistemin e menaxhimit të radhës, ku në prezantimin e këtij shërbimi ka qenë i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama i cili e ka konsideruar atë si një revolucion i cili e ka zanafillën tek ndalja e hemoragjisë së sektorit.

Reformat e ndërmarra në këtë sektor, për Kryeministrin, jo vetëm kanë transformuar marrëdhënien e kompanisë me konsumatorin, por po u kthehet atyre në shërbime të reja.

Krahasuar me nga e nisëm besoj se është një revolucion që ka filluar me ndaljen e hemoragjisë së madhe në sektor, ka vazhduar me gjithë procesin e transformimit të marrëdhënieve mes konsumatorëve dhe kompanisë dhe tani është në rrugën e një përshkallëzimi të investimeve që vijnë si rezultat i kontributeve të të gjithëve. Këto investime faktikisht kthehen përsëri tek ata që kontribuojnë, tek konsumatorët, me një shërbim më të mirë, që ka ende vend për shumë përmirësim; me investime që praktikisht po na çojnë në heqjen përfundimtare të afrofeve dhe në vendosjen e kushtit themelor që të paguash aq sa konsumon. Unë e di që nuk ka qenë e lehtë, ka pasur dhimbje, sepse ka qenë një zgjim i dhimbshëm pas periudhe agonie, ku ishim as të vdekur dhe as të gjallë në këtë sektor. Teoria që varfëria luftohet me lëmosha është tërësisht e gabuar, sepse lëmoshat vetëm e riciklojnë varfërinë. Ndërkohë që reformat kanë një dhimbje në momentin e parë, por pastaj patjetër që sjellin një shërim dhe një zhvillim të qëndrueshëm social dhe të ekonomive familjare dhe të atyre që janë më dobët,” – u shpreh Kryeministri.

Falë këtij sistemi, çdo abonent i OSHEE nuk zvarritet në radhë në sportele për të paguar faturën e energjisë elektrike. Është vet sistemi që menaxhon radhën e klientëve, me marrjen e numrit përmes kioskës së informacionit, ndjekjen e radhës deri në kryerjen e pagesës. Sistemi i ri po implementohet në 14 qendrat e para të Kujdesit ndaj Klientit në qytetet kryesore të vendit.

Abonenti që nga momenti që hyn pajiset me një ticket për radhën. Ndahet sipas procesit të aplikimit apo ankimimit që ka në sportelin e caktuar dhe monitorohet gjithë ky proces me sistem kamerash,” – tha Çela.

Pas kërkesës dhe ankimit online, liberalizimit të pagesave jo vetëm në sportele, në postë apo banka, por edhe përmes celularit, OSHEE së fundmi ka ardhur edhe me një tjetër shërbim të ri që modernizon marrëdhënien mes kompanisë dhe abonentëve, infokioskën ose sportelet elektronike online.

Hapat e tjerë janë sportelet alternativë që kemi filluar që nga muaji Shkurt. Janë kryer 950 mijë aplikime pagesash për një vlerë 3 miliardë lekë, të vendosur në 18 qendra biznesi në qytete të ndryshme, info-kioska ose smart-kioskat, ku qytetarët aplikojnë ankimime apo ankesa të ndryshme dhe mund t’i ndjekin online të gjithë ecurinë ku dhe si duhet të veprojnë. Do lançojmë një hap, një aplikim nëpërmjet smart phone-ve. Të gjithë qytetarët mund të bëjnë pagesën dhe përsëri mund të marrin informacione e mund të bëjnë aplikime nëpërmjet smart phone-ve. Përmirësimi i kujdesit ndaj klientit, pra, jo vetëm investime, por qytetarët të prekin dhe këtë pikë tjetër që ka qenë një çështje problematike për gjithë Shqipërinë,” – informoi drejtori i OSHEE.

Kryeministri Edi Rama, shoqëruar nga Ministri i Energjisë Damian Gjiknuri dhe administratori i OSHEE Adrian Çela, ishte në një nga Qendrat e Kujdesit ndaj Klientit në Durrës, ku është vënë në përdorim shërbimi i ri.

Shqiptarja.com  27.06.2016