Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Tare: Qeveria të zgjedhë, HEC-et ose turizmin

Qeveria, nga ana e saj, duhet të vendosë disa kolona të rëndësishme që do të përcaktojnë se ku do të shkojë turizmi shqiptar. Vendi duhet të ketë një strategji të qartë dhe të mirëpërcaktuar. Kur flasim për luginën e Valbonës apo të Vjosës, atëherë duhet të kuptojmë nëse do të zhvillojmë turizmin e aventurës apo hidrocentralet, të dyja bashkë nuk shkojnë. Ky është handikapi me të cilin vazhdojmë të përballemi.

Në tre muajt e parë të këtij viti, turizmi shënoi një bilanc pozitiv sa u përket të ardhurave. Banka e Shqipërisë raportoi se shqiptarët shpenzuan rreth 261 milionë euro në periudhën janar–mars, ndërsa të huajt rreth 283 milionë euro. Kjo tendencë ka ardhur kryesisht për shkak të rritjes së numrit të vizorëve jorezidentë, me rreth 27%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Megjithatë, Banka Qendrore vëren se shpenzimet dhe net-qëndrimet mesatare rezultuan në rënie për të dy grupimet kryesore të qëllimeve: biznes dhe personale.

Ajo çka do ta bënte turizmin shqiptar të kishte një dimension tjetër është pikërisht modeli, një strategji e re që do të mbështetej te pikat e forta, por pa synuar që të “shpikë rrotën”. Në një intervistë për “Monitor”, drejtori i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, thotë se ka ardhur koha që të mos përsëriten më gabimet, të krijohen modele biznesi, që do të sillnin vlerë të shtuar, që do ta bënin turizmin konkurrues e të qëndrueshëm, me standarde, të gjeneronte të ardhura, si dhe të krijonte një raport të duhur mes cilësisë dhe shërbimit.

Ne, destinacion ende në zbulim, tregu po dikton zhvillimin

 Flet Auron Tare, drejtor i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit

Ne, duke qenë të fundit, kemi mungesa të mëdha në konceptim, administrim, por kemi një avantazh që mund t’i bëjmë gjërat shumë herë më mirë. Kjo do të thotë se ne nuk duhet të shpikim modele, duke qenë se ato janë. Mund të përzgjedhim një model që i përshtatet si territorit, ashtu edhe mentalitetit dhe më pas ta zbatojmë. Për këtë, duhet disiplinë e fortë, të zbatosh penalitete nëse subjektet nuk arrijnë standardet, por gjithmonë duke i orientuar se ku duhet të shkojnë.

Tare, cili është parashikimi juaj në lidhje me këtë sezon?

Më duhet të them se sezoni po shkon në gjysmën e tij, duke qenë se ka filluar në muajin prill. Në Shqipëri vazhdon perceptimi i gabuar se sezoni nis në qershor, në një kohë kur kanë hyrë me mijëra turistë.

Në lidhje me numrin e vizitorëve, pritshmëria do të vazhdojë të jetë në të njëjtën linjë si dhe në vitet e mëparshme. Trendi rritës shpjegohet edhe me problematikat me të cilat po përballen rajonet e tjera turistike, siç është Afrika Veriore, ku shumë destinacione, si Egjipti, Tunizia, Libia kanë dalë jashtë hartës së vizitueshmërisë. Kësaj tendence këtë vit i është shtuar edhe Turqia. Për europianët, kjo ka sjellë problematika, ndërsa ai segment që është në kërkim të vendeve të panjohura po shikon me interes Shqipërinë. Vendi ynë gjatë dy–tre viteve të fundit, është futur në rrjetin e itinerareve ballkanike. Turistë nga Australia, Kina etj., po vizitojnë Shqipërinë përmes këtyre itinerareve, që përfshijnë të gjitha zonat e rajonit të Ballkanit.

A do të mund të kemi ndonjë ndikim në shifra për shkak të liberalizimit të vizave që pritet të marrë Kosova?

Unë mendoj se nuk do të ketë ndonjë ndikim, sepse shqiptarët e Kosovës që kanë të ardhura të larta, kanë mundësi edhe tani që të udhëtojnë në vende të tjera.

Pothuajse çdo ditë, ne lexojmë për media tradicionale apo edhe sociale që promovojnë turizmin në Shqipëri, përse kjo tendencë?

Shqipëria për mediat e huaja, qofshin ato tradicionale apo sociale, vlerësohet si një tendencë e re. Ne nuk jemi një destinacion i maturuar, por një vend ende në zbulim.

Megjithatë, ky është një trend i pavarur nga politikat për zhvillimin e turizmit, pra që përcaktohet nga vetë tregu.

Qeveria, nga ana e saj, duhet të vendosë disa kolona të rëndësishme që do të përcaktojnë se ku do të shkojë turizmi shqiptar. Vendi duhet të ketë një strategji të qartë dhe të mirëpërcaktuar. Kur flasim për luginën e Valbonës apo të Vjosës, atëherë duhet të kuptojmë nëse do të zhvillojmë turizmin e aventurës apo hidrocentralet, të dyja bashkë nuk shkojnë. Ky është handikapi me të cilin vazhdojmë të përballemi.

Duhet të jetë strategjia ajo që do të përcaktojë se në këto zona do të ketë vetëm turizëm dhe jo forma të tjera zhvillimi. Shumë shpejt do të dalin vendimet e qeverisë që do të përcaktojnë se cilat do të jenë zonat me përparësi turistike që do t’i japin zgjidhje këtij problemi. Me mbarimin e planeve sektoriale të Ministrisë së Zhvillimit Urban do të përcaktohen edhe zonat me përparësi turistike që nuk do të preken nga zhvillimet e tjera.

Por, një nga problemet e vazhdueshme të turizmit shqiptar është edhe raporti i zhdrejtë mes cilësisë dhe çmimit, si mund të përmirësohet?

Ka të bëjë me një tendencë që na ndjek prej vitesh. Sot, të gjithë shqiptarët duan të merren me turizëm. Njerëz që nga blegtoria kalojnë te turizmi apo edhe pse u përkasin fushave krejt të ndryshme hapin agjenci turistike.

Gjatë dhjetë viteve të fundit është bërë një gabim shumë i madh, heqja e standardeve dhe kritereve për njerëzit që duhet të merren me turizëm, sepse kjo marrëdhënie duhet të rregullohet me certifikime dhe trajnime.

Për shembull: Me rritjen e numrit të turistëve, do të rriten edhe rastet e aksidenteve dhe Shqipëria është tërësisht e papërgatitur për situata të tilla që nuk përjashtohen për vende që presin flukse turistësh. Në to ka qendra shëndetësore që asistojnë kryesisht turistët dhe nuk merren me aspekte të tjera. Në Veri të vendit, ku numri i turistëve është rritur ndjeshëm, mungojnë qendrat e mirëfillta shëndetësore. Por, këto janë gjëra elementare. Nga ana tjetër, plazhet e Jugut të Shqipërisë nuk ofrojnë shërbimin e rojeve bregdetare. Ne si agjenci filluam një projekt pilot, trajnuam persona, por ata nuk paguhen nga njësitë vendore. Si rrjedhim i mungesës së këtij shërbimi patëm raste fataliteti. Nëse ky shërbim do të ofrohej, do të rriste sigurinë në plazhe, por do të ishte dhe një burim i mirë për punësimin sezonal. Në këto kushte, mendoj se ne nuk duhet të rendim pas numrave, por duhet të fokusohemi më shumë te cilësia. Ne duhet të përpiqemi që të krijojmë destinacione që kanë shërbim të mirë dhe këtu nuk po flas vetëm për Tiranën. Nga ana tjetër, nuk mungojnë edhe kompani serioze që kanë konstatuar mungesën e guidave të certifikuara dhe kanë sjellë ekspertë nga Anglia për të trajnuar guidat shqiptare. Gjatë dekadës së fundit, shteti shqiptar nuk ka bërë të mundur certifikimin e guidave profesionale që është një element tejet fillestar dhe i domosdoshëm, i cili mungon. Guida është ai që ka ‘çelësin’ e vendit, është personi që ka lidhje me imazhin.

Si do të realizohet këtë vit menaxhimi i hapësirave publike në plazhe?

Ne si Agjenci Kombëtare e Bregdetit e kemi përmbushur detyrën tonë të planifikimit të plazheve, kemi bërë koordinimin dhe standardizimin. Kemi marrë modelet më të mira dhe i kemi përshtatur, kemi hartuar rregullore për plazhet kryesore dhe ua kemi dorëzuar të gjitha vendimmarrjeve. Kjo e fundit ka për detyrë që të japë orientimin për rritjen e standardeve dhe të cilësisë. Këmbëngul që modeli që ne kemi edhe sot është i dështuar. Njësitë vendore kanë regjistruar si territore të tyre hapësira plazhesh që janë administruar në mënyrën më të keqe të mundshme, si nga standardet, ashtu edhe nga mbledhja e të ardhurave. Nga të dhënat që kemi nga Velipoja deri në Ksamil, vetëm nga stacionet e plazheve mblidhen gjatë vitit rreth 50 milionë lekë, ndërkohë që mundësitë janë për të mbledhur 6-8 milionë euro. Ka shumë arsye se përse kjo shifër nuk arrihet të mblidhet. Ne kemi kërkuar që të mund të zbatojmë një model të ngjashëm mes atij të Francës dhe Malit të Zi, ku vija bregdetare administrohet nga një institucion i caktuar me kompetenca të plota dhe që menaxhon pastrimin, planifikimin, rregullimin e territorit, etj. Të ardhurat që grumbullohen, shkojnë vetëm për menaxhimin e vijës bregdetare. Deri më sot, njësitë vendore, fondet që kanë grumbulluar nga plazhet i kanë adresuar për aspekte të tjera, duke iu ndryshuar destinacionin.

Megjithatë, kemi edhe sinjale pozitive, siç është raporti i pak ditëve më parë i Agjencisë së Mjedisit, që nënvizoi se rreth 90% e plazheve në vend kanë ujë më të pastër se vitin e kaluar.

Këta janë tregues pozitivë që na rrisin shanset për të pasur edhe ne plazhe me ‘flamur blu’. Për të realizuar këtë kategorizim, kërkohet vetëm dëshirë dhe vullnet, ku vendimmarrja duhet të përcaktojë qartë modelin që duhet të ndjekim.

Ne duhet të ngremë një model të ri, kjo edhe me mbështetjen e biznesit. Nëse kriteret janë të mirëpërcaktuar, atëherë edhe biznesi do të jetë bashkëpunues.

Gjatë vëzhgimeve që kemi realizuar në dy vitet e përvojës që ka Agjencia e Bregdetit, kemi konstatuar se ‘thembra e Akilit’ në menaxhimin e plazheve tona ka të bëjë me dy aspekte: hapësira në kohë dhe hapësira në territor.

Pra, stacionet e plazhit duhet të ngrihen në hapësira të mëdha, duke shmangur krijimin e rripave. Shumë njerëz duan të bëjnë turizëm, të zënë hapësira, por nuk kanë kapacitete për t’i menaxhuar me cilësi.

Nga ana tjetër, është shtrirja në kohë, pra dhënia për menaxhim e këtyre hapësirave për një periudhë të gjatë, le të themi 5-vjeçare për t’i dhënë kohë investitorit që të hartojë plane zhvillimi. Agjencia e Bregdetit do të jetë ajo që do të kontrollojë çdo vit përmbushjen e standardeve. Nëse ato nuk përmbushen, ka penalitete dhe anasjelltas do të ketë stimulime. Menaxhimi i këtyre hapësirave nuk duhet të jetë çështje mandati pushtetarësh lokalë apo qendrorë. Nëse ne i garantojmë investitorit hapësirë në kohë dhe hapësirë në territor, atëherë do të jetë shumë e lehtë që të kemi plazhe me standarde të larta.

Ne si Agjenci, kemi hartuar edhe një model sipas të cilit mund të jepen me qira plazhet. Për këtë, kemi krijuar disa kritere dhe standarde, ku i kemi mëshuar fort idesë së ankandit. Ne besojmë se kjo formë do të nisë interesin për investime, si dhe do të zbehë tendencën e deritanishme të zënies së hapësirave dhe më pas legalizimit. Një sjellje e tillë duhet të marrë fund sepse nuk nxit konkurrencën, për ne ky është një aspekt shumë i rëndësishëm.

Si pozicionohet Shqipëria kundrejt konkurrentëve rajonalë?

Shqipëria është vendi i fundit i futur në “ligën” e turizmit, edhe pse jemi një vend afër qendrave botërore, siç është Greqia apo Turqia, por edhe vendeve të tjera të Ballkanit që ka fituar përvojë tepër të madhe në kohën kur funksiononte si Jugosllavi.

Ne, duke qenë të fundit, kemi mungesa të mëdha në konceptim, administrim, por kemi një avantazh që mund t’i bëjmë gjërat shumë herë më mirë. Kjo do të thotë se ne nuk duhet të shpikim modele, duke qenë se ato janë. Mund të përzgjedhim një model që i përshtatet si territorit, ashtu edhe mentalitetit dhe më pas ta zbatojmë. Për këtë duhet disiplinë e fortë, të zbatosh penalitete nëse subjektet nuk arrijnë standardet, por gjithmonë duke i orientuar se ku duhet të shkojnë. Ne ende nuk e dimë se ku do të shkojmë, cilën rrugë do të ndjekim. Për këtë, Agjencia është duke bashkëpunuar me vendimmarrjen.

Po përse ne nuk arrijmë dot të zhvillojmë modele si ai i resorteve, duke hequr dorë nga krijimi i njësive sporadike të akomodimit?

Ky është një debat më i gjerë. Personalisht nuk jam në favor të fokusimit te resortet, sepse mendoj se nuk është më ky trend. Turqia sigurisht e zbaton në mënyrë të suksesshme.

Unë besoj se në rastin e Shqipërisë, modeli duhet të jetë një kombinim mes detit dhe malit. Turisti që zgjedh të pushojë në Shqipëri nuk është ai i vetëm ‘det dhe rërë’. Në këtë fushë, fqinjët tanë na konkurrojnë përmes strukturave të konsoliduara dhe shërbimit cilësor.

Në Shqipëri, vjen ai turist i huaj që kërkon aventurën, por të kombinuar mes detit dhe malit. Ky duhet të jetë fokusi ynë, trendi, veçantia ose “niche”. Kur themi Greqi, ne menjëherë mendojmë kulturën antike apo ishujt; kur themi Itali, kulturën e vjetër, ndërsa për Shqipërinë duhet të jetë kombinimi i turizmit të detit dhe malit. Ky model do të sjellë zhvillim edhe për ekonominë rurale, pasi do të nxiste agroturizmin. Ne jemi duke zhvilluar itineraret e Via Egnatia, duke dërguar grupe turistësh edhe në Librazhd, vende që nuk janë dëgjuar më parë.

Për fat të keq, nuk arrijmë dot të monitorojmë flukset, por vëmë re se ka shumë interes. Në muajin korrik pritet që të vizitojnë këtë itinerar rreth 150 turistë spanjollë.

Megjithatë duhet të përmend që njerëzit po vizitojnë destinacione si Miraka apo Polisi, të padëgjuara më parë dhe po kontribuojnë duke zhvilluar ekonomitë lokale. Ndaj dhe idealja do të ishte: një sfond i fort turistik me një prapavijë po kaq të fortë të agroturizmit.

Po revokimi i së kaluarës, a mund të shërbejë si pikë e fortë në tërheqjen e turistëve të huaj, kam parasysh këtu ishullin e Sazanit…

Ky është një destinacion që do të zhvillojë turizmin në rajonin e Vlorës, për t’i dhënë më shumë diversifikim. Ishulli i Sazanit do të bëjë të mundur që turistët të kalojnë më shumë kohë dhe si rrjedhim, të shpenzojnë më shumë gjatë qëndrimit në këtë rajon.

Duhet ta kuptojmë që sot, vendet turistike, përfshi këtu edhe Shqipërinë, kanë sfidë rritjen e net-qëndrimeve. Këtu bëhet edhe ‘lufta’. Një ofertë e mirë e josh turistin e huaj.

Në planifikimin më të mirë, a na penalizon mungesa e statistikave?

Ne shpresojmë që të ketë një fokus më të madh te statistikat e turizmit, pasi ato ndihmojnë në planifikim. Personalisht, më kanë ndihmuar në hartimin e politikave gjatë kohës që kam drejtuar Parkun e Butrintit. Ishin pikërisht statistikat që na jepnin një panoramë të qartë të vendeve nga vinin turistët e huaj dhe mbi bazën e tyre, ne orientonim promovimin.