Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Çmimet e karburanteve në monitorim nga konkurrenca

Autoriteti i Konkurrencës do të monitorojë çmimet e shitjes me pakicë të karburanteve edhe me 2016. Sipas shpjegimeve zyrtare që ka çuar në Kuvend, konkurrenca do të “hetojë” ecurinë e çmimeve për të ndërtuar një historik tre vjeçar monitorimesh me qëllim për të arritur konkluzione të sakta të dinamikave të çmimeve nga shumica tek pakica.
Tregu i karburanteve ka qenë nën hetim për dy vitet e shkuara nga Autoriteti i Konkurrencës, porse duket se hetimet e këtij viti do të finalizojnë nëse ka spekulim me çmimet nga importi tek pakica.

Në hetimin e vitit të kaluar u konstatua se ndërmarrjet e shumicës ndjekin çmimin e blerjes (importit) të karburanteve dhe aplikojnë çmime me marzhe të ulta, ndërsa ndërmarrjet e integruara të pakicës nuk ndjekin trendin e çmimit të blerjes, duke aplikuar marzhe të larta kryesisht pas muajit qershor 2015.
Nga analiza e çmimeve mesatare mujore të blerjes dhe të shitjes me shumicë dhe pakicë të karburanteve si dhe marzheve mesatare vjetore për periudhën janar-dhjetor 2014 dhe janar- shtator 2015, vihet re se zbatimi i Udhëzimit nr. 6, datë 30.01.2015 “Për TVSH në RSH” nuk ka patur impakt në tregun e karburanteve. Udhëzimi i ri i ministrit të Financave, Shkëlqim Cani, “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH)”, vendosi hapjen e tregut, duke ua hequr të drejtën importuesve të mëdhenj që të diktojnë çmimet fundore të karburanteve edhe për pikat me pakicë.
Autoriteti i Konkurencës ka gjetur, se tregu ka ngurtësim të dinamikave të çmimit të pakicës, SHPK-të ndjekin të njëjtën politikë çmimi si ndërmarrjet SHA edhe në vitin 2015, gjë e cila tregon se ky Udhëzim nuk e ka shkëputur ndikimin e ndërmarrjeve SHA në përcaktimin e çmimit të pakicës nëpërmjet të integruarave të tyre.

Analiza e çmimeve të larta nga ndërmarrjet e pakicës e bën të nevojshëm vlerësimin e treguesve financiarë të tyre, gjë e cila duhet të vlerësohet në mbyllje të pasqyrave financiare. Për këto arsye dhe për të qenë më të saktë në periudhat krahasimore është vendosur që monitorimi të vazhdoje edhe gjatë vitit 2016, sqaroi konkurrenca.

Raportimi i rezultateve të monitorimit të vitit 2015 tregoi se, tregu i importit të dieselit paraqitet shume i përqendruar kurse tregu i importit të benzinës është në kufijtë e sipërm të një tregu mesatarisht të përqendruar.
Tregut ka karakteristika të qarta të një tregu oligopolistik me një numër të kufizuar ndërmarrjesh, me produkte homogjene dhe transparencë kostosh, me tre ndërmarrje kryesore por ku secila ndjek politikat e veta për ta zotëruar atë.

Një ndërmarrje konkurron për ekspansion si në tregun e brendshëm dhe të jashtëm (Kastrati SHA), një tjetër ndryshon vazhdimisht burimet e furnizimit me qëllim maksimizimin e fitimit (Genklaudis SHA) dhe tjetra (Europetrol SHA) përpiqet të maksimizojë fitimin duke realizuar blerje në burim (eksportues të huaj) duke shmangur kostot që do të kishte nga blerjet nga operatorë vendas, referon për kuvendin Autoriteti i Konkurrencës.

Ndër të tjera i rekomandoi Ministrisë së Ekonomisë të ndërtojë instrumentet për të kontrolluar hyrjet dhe daljet e shpeshta brenda vitit financiar të ndërmarrjeve që operojnë në tregun e tregtimit me shumicë të karburanteve, të cilët gjenerojnë konkurrencë të pandershme.

Revista Monitor,  18.03.2016