Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Gjiknuri: Masa nxitëse për industrinë nxjerrëse

Ministri i Energjisë dhe Industrisë Z.Damian Gjiknuri zhvilloi sot një takim me përfaqësues të kompanive që veprojnë në industrinë minerare. Ministri njoftoi hapjen e një procesi dialogu, përfshirë edhe Ministrinë e Financave, që synon të adresojë disa prej problematikave të ngritura nga sipërmarrësit.

“Qëllimi ministrisë është që të hapë një diskutim me ju, pasi ne duam të ndërmarrim disa iniciativa që t’iu vijmë në ndihmë, në bashkëpunim edhe me Ministrinë e Financave. z. Cani ka qenë edhe në Bulqizë, ka pasur diskutime me subjektet minerare, në mënyrë që të bëjmë çka është e mundur si qeveri, pa dëmtuar edhe interesat e shtetit. Gjithmonë ka pasur një tendencë që të shikojmë edhe pjesën e të ardhurave për publikun, pra të ardhurat fiskale, të ardhurat për shtetin, por njëkohësisht ne nuk duam që kjo të vërë në diskutim në vetvete industrinë minerare. Në fund të fundit, pa prodhim minerar nuk do të ketë edhe të ardhura”, u shpreh Ministri Gjiknuri.

Sipas tij, qëllimi dhe roli i ministrisë është që të nxisë industrinë minerare, brenda standardeve që përcakton ligji, standarde që respektojnë jetën e punëtorëve dhe mjedisin.

Gjatë takimit, operatorët e prodhimit dhe përpunimit të mineraleve paraqitën disa kërkesa për institucionet shtetërore me synim adresimin e problematikave me të cilat ndeshen.

Sipas tyre, renta është problem kryesor që ka ndikuar negativisht në çmimin e shitjes. Sipërmarrësit pretendojnë se në ligjin minerar deri në vitin 2007 niveli i rentës ishte 2% dhe pas kësaj periudhe ajo është ndryshuar, sipas mineraleve të ndryshme nga 6% deri 10%.

Ndër çështje të tjera që ata ngritën është ndryshimi i referencave doganore për mineralin e kromit, lagështira e mineralit, vlera e transportit dhe problemet e llogaritjes së rentës.

Përfaqësuesit e kompanive kërkuan ndërhyrje edhe për çështjen e servitutit duke pretenduar se zbatimi i të drejtës së shfrytëzimit, bashkë me nevojën për leje territori nga pushteti vendor janë ende larg zbatimit në kohë. Sipërmarrësit u ndalën edhe tek çështja e garancive të investimit dhe të mjedisit.

Fjala e mbajtur nga Ministri Gjiknuri në takimin e zhvilluar me përfaqësues nga bizneset që veprojnë në industrinë minerare

Përshëndetje të gjithëve,

Qëllimi i këtij takimi është të diskutojmë disa çështje që kuptohet janë shqetësuese për industrinë minerare. Si Ministri e Energjisë dhe Industrisë, i kemi vlerësuar prioritare, nisur edhe nga situata jo e favorshme e viteve por edhe muajve të fundit, referuar konjukturës ndërkombëtare të çmimeve të mineraleve. Publiku e di tashmë se çmimet e mineraleve, kryesisht kromi, bakri etj. kanë pësuar një goditje shumë të rëndë, çka ka vënë në diskutim dhe ka ndikuar shumë në aktivitetin minerar.

Nuk mund të lëmë pa përmendur disa arritje të viteve të fundit, falë kurajos tuaj dhe të politikave të përbashkëta të bashkëpunimit në lidhje me nxitjen e industrisë minerare. Përpjekjet tona kanë dhënë rezultate për disiplinën në punë, uljen e informalitetit duke ndihmuar edhe investitorët për një garë të ndershme.

Jemi dëshmitarë se investime jashtëzakonisht të rëndësishme kanë ndodhur në këto dy vite, falë edhe kontributit të disa kompanive shumë serioze. Mund të përmend këtu rastin e fillimit të punimeve për hapjen e pusit të thellësisë në Bulqizë. Për herë të parë pas shumë vitesh, Shqipëria po investon në shtresa të reja kromi, gjë që do të ndihmojë në rritjen e prodhimit por edhe në mbylljen e ciklit të industrisë minerare të kromit.

Rritja e prodhimit të ferrokromit është një avantazh shumë i madh për vendin. Eksporti i ferrokromit është rritur, sasia e prodhuar në vend është rritur, pasi edhe tregjet janë shumë afër siç janë tregjet e Bashkimit Europian. E gjitha kjo, falë meritës së industrisë, njëkohësisht nxitjes që i ka bërë edhe qeveria që të fillojë industria minerare të punojë me cikël të plotë. Këtë qasje ne kishim që në fillimin tonë si qeveri, një synim që do të vazhdojmë ta mbajmë por patjetër duhet të krijojmë edhe lehtësirat e duhura, në bashkëpunim me industrinë. Jemi në këtë takim, që këtë cikël ta bëjmë të plotë dhe njëkohësisht të krijojmë mundësi edhe për ata që e nxjerrin, por edhe ata që e marrin mineralin, e përpunojnë për të nxjerrë produkte të gatshme, që kanë vlerë më të lartë në tregjet ndërkombëtare.

Ju i dini se cilët kanë qenë faktorët kryesorë të uljes së çmimit. Kina ka qenë thithësi kryesor i eksporteve shqiptare të kromit, pra flas për pjesën e pa përpunuar. Luhatjet ekonomike atje kanë sjelle uljen e kërkesës për kromin dhe praktikisht pasojat po ndihen edhe në tregun shqiptar. Ju jeni shumë të informuar, jeni në njëfarë mënyre të afektuar në mënyrë të drejtpërdrejtë nga rënia e çmimeve ndërkombëtare, gjë që ka vënë në diskutim edhe mbarëvajtjen e industrisë minerare.

Qëllimi ministrisë është që të hapë një diskutim me ju, pasi ne duam të ndërmarrim disa iniciativa që t’iu vijmë në ndihmë, në bashkëpunim edhe me Ministrinë e Financave. z. Cani ka qenë edhe në Bulqizë, ka pasur diskutime me subjektet minerare, në mënyrë që të bëjmë çka është e mundur si qeveri, pa dëmtuar edhe interesat e shtetit. Gjithmonë ka pasur një tendencë që të shikojmë edhe pjesën e të ardhurave për publikun, pra të ardhurat fiskale, të ardhurat për shtetin, por njëkohësisht ne nuk duam që kjo të vërë në diskutim në vetvete industrinë minerare. Në fund të fundit, pa prodhim minerar nuk do të ketë edhe të ardhura. Qëllimi dhe roli i kësaj ministrie është që të nxisë industrinë minerare, brenda këtyre standardeve që përcakton ligji, standarde që respektojnë jetën e punëtorëve, standarde që respektojnë mjedisin. Po të shikoni, ndërhyrjet në legjislacion vitet e fundit kanë qenë në këtë drejtim, por ka ardhur momenti që të kemi edhe një impuls ekonomik për ta vënë industrinë në një situatë shumë më të mirë.

Një nga temat që mund të diskutojmë se si ta adresojmë është ajo e rentës minerare,

mënyra si përllogaritet ajo. Me Ministrinë e Financave kemi një dialog në këtë drejtim, shumë shpejt do të bëjmë edhe një diskutim të përbashkët me përfaqësues tuaj pasi të kemi përpiluar disa propozime konkrete. Kjo në mënyrë që të mund të shikojmë çfarë mund të bëjmë si fazë e parë e menjëhershme dhe pak më vonë pastaj, një ndërhyrje ligjore, të cilat do të duan pak më shumë kohë.

Çështja e garancive të investimeve për të cilat ka shqetësime. Kuptohet, nisur nga interesi për të rritur seriozitetin në investimin në miniera, kemi kërkuar garanci të larta investimesh, por në momente të vështira të punës në miniera, ia vlen të shikohen dhe pikërisht ky është edhe qëllimi. Garancitë mjedisore gjithashtu, megjithëse standardet mjedisore janë shumë të rëndësishme dhe qeveria është e angazhuar që ti respektojë deri në fund këto standarde.

Nga ana tjetër, duam që të shikojmë lehtësira nga pikëpamja financiare, për këto garanci që kanë qenë, në mënyrë që të mos ndikohet industria e kromit. Ka probleme me heqjen e tokave nga fondi pyjor pasi e di që ka vonesa në këtë drejtim. Me Ministrinë e Mjedisit jemi në një bashkëbisedim, pse jo ky takim duhet të vlejë për të dhënë disa mesazhe për të rritur bashkëpunimin me ta, për të gjetur mënyra më të thjeshtuara, më standarde, në mënyrë që këto veprime procedurale dhe administrative nga ana e shtetit të bëhen sa më shpejt, në mënyrë që investimet të mos vonohen.

Industria minerare është e rëndësishme për Shqipërinë, jo vetëm përsa i përket peshës së rëndësishme që zë në prodhimin kombëtar. Mjafton t’iu jap shifrat e çertifikuara tashmë nga Nisma për Transparencë në Industrinë Nxjerrëse. Në vitin 2014, volumi ka qenë tek 175 milion dollarë, pra një volum i rëndësishëm biznesi, që nuk është vetëm kontribut për Buxhetin e Shtetit, është kontribut për ekonominë kombëtare, për zinxhirin e prodhimit dhe zinxhirin e të gjithë nënkontraktorëve të cilët punojnë në industrinë minerare.

Nëse kalojmë tek bakri, është në një situatë të vështirë për shkak të rënieve të theksuara të çmimit të tregjeve ndërkombëtare. E dini, çmimi mesatar i gjithë mineraleve metalore ka një rënie gati mbi 30% krahasuar me vitin 2013. Dy vitet e fundit kemi një rënie që patjetër ka ndikuar të gjithë proceset e prodhimit dhe kostot përsa i përket industrisë minerare. Në vetvete, konsiderojeni këtë një bashkëbisedim, nisur nga interesi ynë i vazhdueshëm si Ministri, për zhvillimin e sektorit dhe marrjen e masave për të adresuar problemet. Lëvizja e çmimeve në tregjet ndërkombëtare ka dhënë goditje tek industria e kromit kryesisht, tek ajo e bakrit dhe mineraleve të tjera pasi nuk dua të bëj dallime këtu. Qeveria ka një interes të njëjtë, të zhvillojnë të gjitha grupet e mineraleve dhe pikërisht ky bashkëbisedim ka këtë synim.

Duam të dëgjojmë disa propozime dhe mendime tuaja të përmbledhura, shumë racionale, në mënyrë që të na japin mundësinë që të dialogojmë për zgjidhjen e problemeve. Kjo konsultë nuk do të jetë e fundit, përkundrazi do të hapë siparin e një bashkëbisedimi, i cili do të jetë shumë intensiv gjatë këtij muaji. Duhet të kemi mundësi që brenda këtij muaji, mundësisht deri në Shkurt të dalim me masa konkrete, propozime për t’ju ardhur në ndihmë.

Në kushtet e dëborës dhe vështirësive edhe puna bie. Le ta shfrytëzojmë këtë kohë për të rregulluar disa aspekte që patjetër do t’iu vijnë në ndihmë si industri minerare. Ne si Ministri jemi të hapur. Unë në njëfarë mënyre e ndjej veten si përfaqësues i mbrojtjes së interesave të industrisë, kuptohet në harmoni edhe me interesat e tjera të shtetit, se nuk është e thjeshtë të thuash që do ndihmoj këtë industri dhe do harroj interesat publike. E rëndësishme është të gjejmë një ekuilibër ku dhe industrisë ti japim mundësi, bazuar në logjikë racionale, por edhe krahasuar me politikat që nxjerrin vendet e tjera në këto situata krizash. Por, nga ana tjetër, edhe shteti të mos dëmtohet nga parametrat financiar-fiskal që i ka vënë vetes dhe që kemi detyrime karshi institucioneve ndërkombëtare.

Biseda do të jetë e hapur mes nesh. Qëllimi është që ne të dalim me disa konkluzione, me disa rekomandime konkrete për masat që mund të merren tani, për të kaluar pastaj tek aktet më të rëndësishme, siç janë ligjet që duan një kohë më të gjatë. Këto janë çështje që zgjidhen nga pikëpamja administrative me vendime qeverie, udhëzime, urdhëresa ministri, të cilat shkojnë për të ndihmuar rritjen e prodhimit dhe për të ulur kostot për kompanitë që po kalojnë momente të vështira.

Faleminderit!

energjia.al 19.01.2016