Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Ethet shqiptare të arit

Çdo bizhuteri prej ari, e blerë sot në treg, kushton minimalisht 20% më shtrenjtë krahasuar me të njëjtën periudhë të dy viteve më parë.

Sot, argjendaritë e Tiranës e shesin një gram flori nga 3,500-10,000 lekë, në varësi të karatit. Disa nga këto argjendari pohojnë se vitet e fundit po punojnë me marka të huaja, kryesisht italiane, artikujt e të cilave kanë çmim të unifikuar nga kompania mëmë. Ndërsa, argjendaritë e tjera tregojnë se çmimet kanë pësuar rritje përgjatë dy viteve të fundit. “Kjo rritje është reflektuar në uljen e numrit të blerësve. Shqiptarët mendohen disa herë përpara se të bëjnë një dhuratë floriri, madje edhe në ngjarje të rëndësishme të tyre. Sidomos këtë vit, pjesa më e madhe e tyre vijnë për të shkrirë bizhuteri të ndryshme që kanë, se sa për të blerë të reja”, – pohon një argjendar në kryeqytet.

Nga ana tjetër, qytetarët tregojnë për “Monitor” se kur kishin ngjarje të rëndësishme familjare më parë, u drejtoheshin argjendarive për të blerë bizhuteri floriri. Po sipas tyre, kjo sjellje është zbehur vitet e fundit, ku floriri është zëvendësuar ndjeshëm me argjendin apo bizhuteri të ndryshme, pasi çmimet janë rritur shumë.

Importet

Shqipëria nuk ka ndonjë vendburim të sigurt të arit. I vetmi që ka një nivel më të lartë të pranisë së arit, është vendburimi i Gjazujt, por gërmimet nuk kanë qenë kurrë aq të thella sa të japin një ide të qartë. Në këtë zonë, përmbajtja më e lartë e gjetur është 140 gramë/ton.

Ekspertët tregojnë se ka zona bakri të bashkëshoqëruara me ar, argjend, apo selen, por nuk flitet për vendburim të mirëfilltë ari. Në verën e vitit 2013, kompanisë kanadeze “Jab Resources” iu dha leja e kërkimit dhe gërmimit në vende që pretendohet se ka ar.

Nga ana tjetër të dhënat e Doganave tregojnë se importet e floririt janë rritur ndjeshëm nga viti 2014 në 2015. Sipas vlerës në lekë, në 2015 për artikullin “ar dhe ar i veshur me platin” ka pasur rritje importesh me rreth 196%. Sipas peshës, rritja është gjithashtu e konsiderueshme, duke qenë se pesha thuajse është 12-fishuar, nga 0.2 kg në 12.5 kg.

Ndërsa për artikuj si metale të çmuara, që përfshijnë jo vetëm arin e pastër, por edhe atë të përzierë, sikurse edhe argjendin, ka pasur një rënie drastike, prej ~ 106.5 kg më pak. Po sipas vlerës në lekë, rënia e importeve të këtyre metaleve, ishte me 185% më pak.

Sa i përket platinit, për të cilin argjendaritë pohojnë se është me kostot më të larta dhe se numri i klientëve që i drejtohen blerjeve të tij është i ulët, të dhënat e importeve tregojnë se këtë vit, importet e tyre kanë rënë me thuajse 45%.

Floriri si traditë

Në vitin 2014, sipas të dhënave të marra nga INSTAT u bënë thuajse 24 mijë kurorëzime.

Ndonëse nuk mungojnë edhe rastet kur ceremonitë e dasmave “shpërfillen” (pavarësisht celebrimit zyrtar, por kjo me dëshirën e çiftit), në pamundësi ekonomike për të përballuar faturën.

Elementet përbërëse të një ceremonie fejese apo martese janë të shumta, por kulmi i saj mbetet unaza. Vendi ynë ende ruan traditat në ngjarje të tilla.

Këtë e pohojnë edhe argjendarët, të cilët merren me tregtimin e tyre. Ata sqarojnë se sidomos në vitet 2011-2014, që përkon me rënien e numrit të kurorëzimeve, është ulur ndjeshëm edhe numri i blerësve të unazave prej floriri.

Disa argjendarë të vegjël në kryeqytet shtojnë se numri i blerësve të floririt ka rënë në mënyrë drastike, aq sa një pjesë e madhe e atyre që duan të marrin një dhuratë për fejesë ose dasmë, e marrin në karat të ulët floriri, si rezultat më të lirë në çmim. Nuk mungojnë as rastet, pohojnë ata, që blihen unaza argjendi si tregues i mungesës ekonomike.

“Dhe kur bie numri i blerësve të floririt për ceremoni të veçanta, siç është fejesa apo martesa, mendo ç’bëhet me një pjesë tjetër të shoqërisë që i blen ato për qejf”, – pohojnë argjendarët në kryeqytet.

Floriri “i përdorur”

“Blini çdo gjë floriri, që nga byzylykët, vathët, varëset etj., dhe nëse çmimi rritet edhe më shumë, atëherë mund t’i shisni tek ata që blejnë flori me shumicë”. Kështu këshillojnë argjendarët e vjetër në vend, të cilët pohojnë edhe se mund të përfitoni deri në 80% të vlerës aktuale të floririt për objektet e përdorura. Një fenomen interesant që është zhvilluar me rritjen e çmimit të arit është edhe shitja e bizhuterive në flori nga ana e atyre që i posedojnë. Ata që blejnë kryesisht bizhuteri janë vetë argjendaritë, për t’i përpunuar apo për t’i shitur më pas me çmim më të lartë.

Në çdo rrugë, kudo ku ka argjendari, nuk mungon shënimi: “Blejmë flori të përdorur”. Etiketa të tilla kanë ekzistuar edhe më parë, por asnjëherë si në këto kohë. Të njëjtin mendim ndajnë edhe argjendarët, të cilët thonë se më tepër riciklohet floriri se sa blihet i ri.

Drejtuesja e markës “Pirro Argjendari”, Alba Ruço, tregon se klientët që u drejtohen argjendarisë për të blerë flori përbëjnë 60% të klientëve totalë të argjendarisë së saj, duke përfshirë edhe ata të cilët vijnë për të ricikluar floririn e vjetër.

Agron Gjikondi, drejtues i argjendarisë “Gjikondi” thotë se tregu në këtë drejtim është rritur ndjeshëm, për shkak të shtrenjtimit të çmimit të floririt. “Sot njerëzit po shesin bizhuteri të tyre, duke përfituar nga çmimi 30-40% më i lartë se ai i disa viteve më parë”,- pohon z. Gjikondi.

Tregu informal i floririt

Në rrugët e Tiranës ende shikojmë shitës “informalë”, të cilët shesin nën duar bizhuteri të ndryshme floriri të përdorur, çmimet e të cilëve janë më të ulëta se sa në argjendaritë e kryeqytetit. Një gjë që mbetet për verifikim është cilësia e floririt që shitet, sikurse edhe ato që blihen nga vetë shitësit në rrugë.

Dorela Kastrati nga “Kastrati Jewellery” tregon për “Monitor” se tregu informal në Shqipëri dhe sidomos në kryeqytet është një ndër problemet kryesore me të cilat përballen bizneset e rregullta. Ajo pohon se blerësit “gënjehen” nga çmimet e ulëta që ofrojnë shitës të tillë dorazi, pa pasur mundësinë për të verifikuar cilësinë e floririt apo edhe të gurëve të çmuar dhe bëjnë blerje të tilla, në kohën ku argjendaritë e mëdha në vend i ofrojnë këta artikuj edhe me certifikatë sigurie.

Drejtuesit e “Pirro Argjendari” tregojnë se përballen me klientë, të cilët u drejtohen për të përpunuar floririn e marrë në “tregun e zi” dhe është shumë e vështirë t’i bindësh për cilësinë e ulët të blerjeve të tyre. Ata tregojnë se përveçse cilësia e aksesorëve që blihen në këtë treg nuk arrihet të kontrollohet, por nuk mungojnë edhe rastet ku numrat serialë të shënuar në flori janë të rremë (ata që tregojnë karatin).

Një tjetër problematikë e tregut informal, sipas argjendarëve është se këta njerëz janë ata që u drejtohen vetë klientëve, në rrugë etj., duke “çrregulluar” skemën që klienti i drejtohet argjendarit.

Argjendaritë e vogla tregojnë se ky treg informal konsiderohet problematik edhe për çështjen e çmimit, pasi, kur çmimi i floririt rritet në bursë, argjendaritë e vogla nuk mund ta reflektojnë këtë rritje çmimi, pasi “tregu i zi” i mban çmimet shumë të ulëta, për shumë arsye. “Cilësia e ulët e floririt apo edhe vjedhja e produkteve janë dy arsye kryesore që në këtë treg ka çmime më të ulëta, për të cilat njerëzit nga pamundësia ekonomike, u drejtohen atyre, duke dëmtuar biznese si ne”, – pohojnë argjendarët.

Shqipëria, e parafundit për rezerva ari

Shqipëria renditet e parafundit, në listën e 100 vendeve të botës, për sa u përket rezervave të arit. Në raportin e fundit të “World Gold Council” për muajin shtator 2015, thuhet se Shqipëria zotëron 1.6 tonë flori, duke u renditur para vendit të fundit, Jemenit. Shifrat konfirmohen edhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, në këtë raport.

Sipas të dhënave të publikuara për shtatorin, rezervat më të mëdha në rajon i ka Greqia, me 112.6 tonë ar, me rritje të një niveli renditjeje krahasuar me një vit më parë.

Krahasuar me vitin 2014, edhe rezervat tona të arit janë rritur, duke pasur në konsideratë që kemi qenë vendi i fundit në botë për rezervat.

Kosova, Mali i Zi dhe Kroacia nuk rezultojnë të jenë pjesë e kësaj liste, ndërsa Bosnje -Hercegovina, renditet e 91-ta, me 3,0 tonë ar.

Tregu botëror

Shumica e floririt në botë prodhohet nga një numër i vogël shtetesh: Kina, Afrika e Jugut, SHBA, Australia, Rusia, Kanadaja, Peruja dhe Indonezia.

Minierat e arit prodhojnë “ar të përafërt”, tregojnë ekspertët, të quajtura shufra ari. Këto përbëhen nga rreth 80% ar të kulluar. Ari dërgohet më pas në një rafineri, ku ajo rafinohet dhe ndahet në ar të formave të ndryshme, sipas pastërtisë.

Sipas të dhënave, shufrat e arit të prodhuara më në masë janë ato londineze. Sipas rregullave të përcaktuara nga Shoqata e Londrës, tregu i shufrave të arit ose të përpunuara me argjend, LBMA, duhet të jetë të paktën 99,5% prej ari të kulluar, të peshojnë në mes 350 dhe 430 onz (9.922 kg deri në 12.190 kg) dhe të vulosen me një numër unik serial, sipas pastërtisë.

Ari si shenjë e statusit social

Ruajtja e traditës për blerje të një sasie të konsiderueshme të arit për martesë, përveçse kushton, lidhet edhe me prestigjin në shoqëri, pohojnë sociologët.

“Ari më tepër tregon prestigj social e ekonomik, sesa prirje dekorative”, tregon për “Monitor”, znj. Orjola Pampuri. Ajo shton se prestigji ose statusi social, te njerëz të shtresave të mesme shpeshherë kamuflohet me qëllim për të treguar një status pak më të lartë në shoqëri, lëvizje e cila bëhet mjaft mirë nëpërmjet posedimit të floririt dhe aksesorëve prej tyre.

INTERVISTA
Intervistë me administratorin e argjendari “Gjikondi”, z. Agron Gjikondi

“Vetëm 3% e klientëve u drejtohen blerjeve të floririt”

Si ka qenë ecuria e biznesit tuaj ndër vite?

“Gjikondi” në tregun shqiptar ka filluar në vitin 1994, e nxitur nga arsyeja se isha vetë argjendar që në vitin 1984. Ndër vite, ecuria ka qenë në ngritje dhe përmirësime. Hapat e parë kanë qenë me një dyqan të vogël, e më tej zgjerime në numër dyqanesh dhe në aktivitet. Pas vitit 2000, i shtuam dyqanit që kishte flori dhe aksesorë floriri të tjerë produkte si ora etj., në bazë të kërkesave që erdhën në rritje, por edhe në përputhje me tregun që argjendaritë ofronin një gamë të gjerë.
Si janë shitjet e floririt momentalisht?

Janë shumë mirë, unë i kam parë me rritje në aktivitetin tonë ndër vite.

Cilët janë klientët e floririt?

Rreth 3% e klientëve tanë janë ata që u qëndrojnë besnikë blerjeve të floririt dhe bëhet fjalë për kategori si: biznesmenë, juristë, mjekë etj.

A ka rritje çmimi në këtë kohë?

Sipas çmimit të bursës, e cila mesa di momentalisht është konstante, 32,800 euro/kg.

…………….

Intervistë me administratoren e “Kastrati Jewellery”, znj. Dorela Kastrati

“Tregu informal dhe mungesa e turistëve, dy vështirësitë e këtij biznesi”

Si ka qenë ecuria e biznesit ndër vite? A është ari fitimprurës?

Ne e nisëm si një ndërmarrje pasioni në fillim të vitit 1995, duke marrë shkas nga shqiptarët e Kosovës, të cilët hapën dyqanet e para në Tiranë. Iniciativa u shoqërua gjatë gjithë veprimtarisë sonë tregtare me frikën që ekzistonte gjatë nisjes së demokracisë. Ky lloj biznesi është i bukur si aksesorët në vetvete, por ka pasur ndër vite ulje-ngritjet e veta. Megjithatë, kategoria e klientëve besnikë përgjatë viteve janë çiftet në prag fejese ose martese. “Ari” përqafohet më tepër nga kjo kategori, kundrejt të tjerëve për dhurata. Duhet thënë se tregu i floririt targeton njerëz me mundësi. Ky treg ka evoluar ndër vite por jo atë që kemi pritur, ndaj dhe çështja e fitimit ne mendojmë se do të përmirësohet. Edhe kategoria e njerëzve që kanë mundësi ecën ende me mendësinë që më mirë ta blejmë jashtë, pa e ditur se thuajse të gjitha firmat janë në Shqipëri.

Cilat janë vështirësitë e këtij biznesi?

Dy janë vështirësitë më të mëdha. E para lidhet me mungesën e turistëve në Shqipëri. Ne nuk jemi metropol aq i madh si Parisi apo Londra, numri i turistëve tek të cilët arrijnë qindra në ditë. Turistët janë një ndër kategoritë që konsiderohet si potencial në fushën e bizhuterive. Madje, kur disa nga firmat më të mira në Itali pranuan të vinin si distributorë tanët kryesorë, pyetën edhe për numrin e turistëve në Tiranë.

Arsyeja e dytë, po aq e rëndësishme, është se në Shqipëri tregu informal është shumë i dëmshëm për biznese si tonat. Ulja e çmimeve që ata kanë, na dëmton. Kjo lidhet edhe me një arsye të tretë. Mungon ende edukimi në këtë fushë, shqiptarët nuk janë të edukuar që bizhuterinë që blejnë ta marrin në një ekspert që vlerëson cilësinë dhe bashkangjitur me certifikatën e sigurisë. Por, duhet pranuar se vështirësia ekonomike është mbi të gjitha problem. Kur nuk ke mundësi, nuk blen dot.

Si kanë qenë çmimet e tregut për floririt?

Ky çmim varet nga bursa, është e vërtetë që ka pasur rritje çmimi deri 30% krahasuar me një vit më parë. Rritja reflektohet përgjithësisht në argjendaritë e vogla, të cilat gjithsesi e ndryshojnë çmimin pak me vonesë, duke qenë se tregu informal nuk ua lejon, duke qenë se ata nuk i ndryshojnë çmimet. Megjithatë, flasim për çmime ari shumë më të kripura se vite më parë. Ne nuk kemi luhatje çmimi, duke qenë se i marrim produktet nga firmat italiane të cilat kanë çmim të unifikuar, si në katalog, web etj.

……………….

Intervistë me menaxheren e “Pirro Argjendari”, znj. Alba Ruço

“Rreth 60% e klientëve u drejtohen argjendarisë për blerje floriri dhe riciklim të tij”

Si ka qenë ecuria e biznesit tuaj? Cilat janë vështirësitë që hasni?
Biznesi ka ecur me ritme në rritje, pasi kemi sjellë ndër vite shumë produkte e risi. Floriri nuk është trajtuar në izolim, por përkundrazi, duke sjellë personalizimin e punimit të realizuar nga laboratori. Teknologjia është një ndër elementet që besoj çdo arpunues duhet të përqafojë, edhe në kushtet e vendit tonë dhe që është sfidë më vete në këtë biznes. Tjetër vështirësi është pamundësia ekonomike e masës, pasi për hir të së vërtetës argjendarisë u drejtohen njerëz të shtresës së mesme dhe lart.
A ka pasur rritje çmimi floriri?

Është e vërtetë, rritja ka ardhur gati 30% këto dy vite. Ne e ndiejmë më pak, sepse ne nuk blejmë direkt te furnitorët, por merremi kryesisht me riciklimin e floririt. Praktikisht, ne funksionojmë si burimi ku klienti vjen dhe lë aksesorët e përdorur, të parregullueshëm etj., dhe porosit një model të tijin kundrejt së njëjtës vlerë, që varet nga pesha që i korrespondon asaj cilësie/karati.
Cilët janë klientët tuaj dhe sa prej tyre u drejtohen floririt?

Blerësit e floririt i përkasin grup-moshave të ndryshme. Shqiptarët blejnë flori, si dhurata për të të sapolindur, për fëmijët apo më tej, çiftet e reja etj. Ata që blejnë flori përbëjnë 60% të klientelës sonë të përgjithshme, por duhet pasur parasysh se një pjesë e mirë vijnë për të ricikluar floririn. Pjesa tjetër janë institucione të ndryshme që porosisin medalje, kupa etj., flori ose jo.

A është tregu informal “kërcënim” për ju?

Po, patjetër. Zhbalancojnë tregun, ata shkojnë te klienti, duke penguar që klienti t’i drejtohet një argjendarie të rregullt, ku ka edhe siguri për cilësinë, edhe certifikim etj. Shqiptarët, nga pamundësia, “gënjehen” nga çmimet e ulëta që ofron ky treg. Vetëm kur vijnë këtu për të ricikluar floririn e tyre, ose edhe vende të tjera, mësojnë vlerën e vërtetë.

Revista Monitor,  09.01.2016