Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Nafta dhe të ardhurat e shtetit islamik

Të ardhurat e Shtetit Islamik që vijnë nga taksat, konfiskimi dhe zhvatjet në territoret që janë nën kontrollin e tyre, janë edhe më të mëdha se ato të marra përmes trafikut të naftës

Edhe nën sundimin e xhihadit, vdekja dhe taksat mbeten dy siguritë e mëdha në këtë jetë. Sipas një investigimi të “Financial Times”, ISIS fiton po aq sa nga nafta edhe nga taksat, konfiskimet dhe zhvatjet. Dukej se nafta siriane ishte burimi më i rëndësishëm i të ardhurave për organizatën terroriste.

Megjithatë, edhe pse avionët amerikanë, francezë dhe rusë po shkatërrojnë burimet e nxjerrjes së naftës, të ardhurat lokale si taksat, ndihmojnë Shtetin Islamik që të ruajnë ekonominë e tyre. Qytetarët që janë më mirë ekonomikisht duhet t’u japin 2.5% të të ardhurave të tyre (zakat) autoriteteve të të vetëshpallurit kalifat.

Kjo formë e detyrueshme e pagesës, pra zakati, daton që në periudhën e Profetit Muhamed. Ajo u kërkon myslimanëve me të ardhura të mjaftueshme të japin mbi 2.5% të kapitalit të tyre për ata që luftojnë për një kauzë të shenjtë. Në këtë mënyrë ISIS justifikon taksat që u merr qytetarëve. Në çdo krahinë që është nën kontrollin e ISIS, është ngritur një ushtri taksambledhësish që llogarit vlerën e mallit të konfiskuar dhe një të pestën e kësaj vlere ua jep militantëve që drejtojnë sulmet.

Për më tepër, mallrat jo-ushtarake shiten në tregje të veçanta ku terroristët mund të blejnë produkte me gjysmë çmimi. “Mund të blesh çdo gjë, dyer për shtëpi, frigoriferë, lavatriçe, makina, lopë, mobilie”, thotë një tregtar që punon në një fshat sirian në kufi me Irakun. “E gjithë kjo është përfitim i pastër”.

Tentakulat e ISIS kanë arritur pothuajse në çdo aspekt të ekonomisë, duke fituar qindra milionë dollarë në vit. Pas disa muajsh intervistash të zyrtarëve, analistëve dhe njerëzve në terren, FT zbuloi se ISIS fiton para nga tregtia, bujqësia, dhe remitancat, madje dhe nga pagat e paguara nga qeveritë që e luftojnë atë. Të gjitha këto shkojnë në arkën xhihadistëve.

Një nga burimet më të mëdha të të ardhurave të vitit të kaluar për Shtetin Islamik ishte në mënyrë të tërthortë, Qeveria e Irakut. Siç thuhet në artikull, Bagdadi u paguan rroga punonjësve irakianë që jetojnë në territoret e Shtetit Islamik, rreth 400 mijë. Komiteti i financave i Parlamentit të Irakut tregon se këto paga tejkalojnë shumën prej një miliard dollarësh dhe Shteti Islamik aplikon një taksë që shkon nga 10% deri në 50% të kësaj shume. Kështu, në bazë të njerëzve që jetojnë territoret e kontrolluara nga Shtetit Islamik, nuk ka gjasa që ekonomia e saj të bie, sepse “ndërsa njerëzit përpiqen të fitojnë para për të mbijetuar, grupi terrorist do të gjejë mënyra për tua marrë ato”, përfundon artikulli.

Gazeta Dita, 16.12.2015