Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Ç’po ndodh me naftën shqiptare

Një ndër të vërtetat më të hidhura ekonomike të historisë sonë të tranzicionit e përbën abuzimi kolosal me pasurinë numër një të truallit shqiptar, arin e zi(në vitin 2000 rezervat e naftës mendohej të ishin në nivelin e 10 miliardë eurove). Sipas denoncimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, ky abuzim shkon në 504.5 milionë dollarë. Pra mbi gjysmë miliardë dollarë të hequr padrejtësisht gjate pesë viteve 2009-2014 nga fondet për familjet në nevojë, për shëndetësinë dhe arsimin tonë publik, për pensionet e 600 mijë shqiptarëve! Është në nderin e kësaj qeverie që nuk iu bë urë kompanive private që abuzuan me arin tonë të zi deri tani.

Abuzimet janë të shumëllojshme, nga shpenzime të fryra qëllimisht, fshehje fitimi nëpërmjet transferimit të çmimit nga kompania mëmë në kompaninë bijë, e deri në sponsorizime të futura si shpenzime prodhimi(?!), për të nxjerrë raportin e të ardhurave me shpenzimet në dobi të këtyre të fundit. Po pse e gjitha kjo? Sepse në marrëveshjet koncesionare për shfrytëzimin e naftës, si në të gjitha vendet e botës, edhe te ne funksionon Faktori “R”. Ky faktor përcakton raportin e të ardhurave tërësore me shpenzimet tërësore të një kompanie koncesionare në një vit financiar 1 janar deri 31 dhjetor. Kur ky raport është më i madh se 1, pra të ardhurat janë më shumë se shpenzimet, shteti ynë merr 50 për qind të fitimit. Kur është më i vogël, merr disa herë më pak. E vërteta e hidhur është se Faktori “R” nuk është bërë kurrë më i madh se 1! Edhe pse gjatë kësaj periudhe me dhjetëra puse janë deklaruar si të shteruara, nga një nxjerrje e babëzitur nafte pa pikë kriteri, ky faktor ka qëndruar gjithnjë më i vogël se 1.

Edhe pse vitet 2009-2013 përkojnë me një çmim shumë të lartë të naftës në tregjet ndërkombëtare dhe me prodhim të rritur të arit të zi edhe te ne. Vetë kompanitë koncesionare janë mburrur me një prodhim një milion fuçi nafte në vit, nga një prodhim 40 mijë fuçi nafte në vitin 1997! Faktori R, që po të ishte ai reali në shumicën e viteve të fundit të shfrytëzimit intensiv të naftës te ne(pra, më i madh se 1, pse ashtu ka qenë realisht, pa shpenzimet e fryra qëllimisht), sipas përllogaritjeve të Kontrollit të Lartë të Shtetit, do t’i kishte dhënë buxhetit të të gjithë një shumë prej afro 504.5 milionë dollarë, përveç rentës minerare që deri tani shteti ynë ka marrë prej 199,4 milionë dollarë. Dhe çfarë ka bërë kjo qeveri e sotme me përgjegjësi? I ka kërkuar pagesën e detyrimeve të prapambetura tatimore, dhe duke qenë se koncesionari s’ka paguar, ka bllokuar llogaritë e tij në Shqipëri. Veprim më se i drejtë, edhe pse po sulmohet një nga kupolat e abuzimit dhe pozitave monopol në ekonominë tonë.

pus nafte drill petrolMjafton të themi se eksporti i naftës në Shqipëri zë një të pestat e totalit të eksporteve tona në një vit, ose mbi 280 milionë euro. Koncesionari kryesor në naftën shqiptare, në formë presioni mbi qeverinë tonë, këto ditë ka ulur me një të tretën prodhimin e naftës në vend, duke u justifikuar se s’ka para të paguajë nënkontraktorët. Ky përbën krim ekonomik dhe qeveria jonë bëri mirë që i ktheu përgjigje se është gati ose të shkojë në arbitrazhin ndërkombëtar po ta hedhë në gjyq ndërkombëtar koncesionari i huaj, ose të pranojë që ai të largohet nga vendi dhe shteti ynë të vazhdojë nxjerrjen e naftës dhe eksportin e saj. Dhe për këtë vërtet qeveria jonë duhet të përgatitet mirë, pse përgjegjësia është kolosale. Por mesazhi është shumë i qartë. Me pasuritë më të shenjta të kësaj toke nuk mund të luhet më!

Qeveritë e kaluara, si ato të PD-së dhe të PS-së, kanë mbyllur njërin sy e vesh, duke toleruar abuzimin dhe evazionin gjigant fiskal. Ca nga mosdija e strukturave tona tatimore, e më shumë nga kapja e shtetit prej kompanive koncesionare. Tani ky vend ka zot! Faktori “R” gjithnjë më i vogël se 1, na kujton bilancet e një kompanie të njohur botërisht të pijeve freskuese, që në Shqipëri në vitet 1993-1998, për gjashtë vite rresht, doli me humbje(?!). Edhe pse uji, shpenzimi kryesor për pijen freskuese, ishte me një çmim qesharak, pra sigurohej gati falas. Shteti ynë gjithnjë ka mbyllur sytë përpara masakrës me pasuritë tona kryesore publike, duke pasur struktura përgjegjëse ose të blera nga koncesionari, ose krejtësisht të paafta.

KLSH me shumë të drejtë, ndërsa denonconte, ka dhënë dhe një rekomandim, mundësi për të mbrojtur naftën tonë: rikrijimin e Institutit të Studimeve të Naftës, të mbyllur dhe bojkotuar qëllimisht për të mos i dhënë shtetit tonë një mjet vlerësimi konkret dhe mburojë të kësaj pasurie. Sikur të ishte ky institut ende në këmbë, ndoshta nafta shqiptare nuk do të kishte përfunduar e nëpërkëmbur, e abuzuar dhe e shfrytëzuar barbarisht sa deri më sot. Ka ende specialistë të zotë, të ndershëm dhe të pablerë nga kompanitë private, që mund të kontribuojnë në këtë strukturë. Pas bllokimit të llogarive bankare në Shqipëri koncesionarit jo korrekt me detyrimet ndaj Shtetit tonë dhe lidhjes me një kompani avokatie të njohur botërisht për të mbrojtur Shtetin në gjykimin ndërkombëtar të mundshëm, ndoshta veprimi i tretë krejtësisht i vlerësueshëm për opinionin publik do të ishte pikërisht ringritja e Institutit të Studimeve të Naftës.

Gazeta Shqip, 04.12.2015