Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Gjiknuri replikon me Berishën në parlament

Replika e Ministrit të Energjisë dhe Industrisë Z.Damian Gjiknuri me deputetin e Partisë Demokratike Z.Sali Berisha

Kjo është një replikë në lidhje me disa akuza që u hodhën këtu. Megjithëse jo çdokush këtu në sallë bie dakord me mua, unë atë të KLSH-së e quaj një paçavure të porositur nga Sali Berisha. Ti e dekonspirove nga ky podium në 10 Shtator kur the: “prit, prit, sa të mbarojnë punë disa institucione të tjera. E di unë dhe pastaj do ta shikoni”. Pra, e ke urdhëruar vet atë fletërrufe politike, kështu që mos e përmend për argument të qenësishëm.

Në lidhje me çështjen e DIA-s do të të lexoj një shkresë e cila të është dërguar ty. Nga mënyra se si i përzutë çekët, ju e morët vet përsipër këtë çështje. Përzënia e kompanisë, heqja e licencës presupozonte marrjen përsipër të të gjitha detyrimeve dhe i more ti përsipër. Ja çfarë të ka shkruajtur Avokatja e Shtetit ty në Korrikun e vitit 2013: “Zoti Kryeministër! Më vjen keq, se Ministria Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës ka muaj që nuk ka përgjigje në lidhje me të gjitha procedurat për shpronësimin, për vlerësimin e aseteve, gjë që ka ndikuar rëndë në çështjen e arbitrazhit ndërkombëtar. Z. Kryeministër! Ju e dini që mosbërja e vlerësimit ishte një detyrim ligjor për shpronësimin e kompanisë, dëmton rëndë pozitën e Shqipërisë në arbitrazhin ndërkombëtar. Edhe sot që flasim, në Korrik të vitit 2013, akoma nuk kanë zgjedhur kompanitë e vlerësimit të aseteve për të kryer shpronësimin”.

Është akuzë për ty kjo! Vazhdojmë se çfarë të thotë ajo në këtë letër ty. Ju e dini z.Kryeministër se për shkak të heqjes së licencës dhe vendosjes së administratorit të përkohshëm, kemi marrë përsipër të gjitha detyrimet që ka CEZ Shpërndarje, përfshirë edhe çështjen DIA dhe duhen të merren masa për mbrojtjen e interesave të shtetit shqiptar në këtë drejtim.

Ju e dini kush e përzgjodhi mbrojtjen për çështjen DIA. E përzgjodhi Sahit Dollapi. Nuk ishte çështja e çekëve sepse e hoqe ti nga çështja e çekëve. Ti je mjeshtër i këtyre gjërave! Ti përpara se sa të ikësh nga vendi i krimit, e djeg atë. Pra, bën një rrëmujë të madhe, i vë zjarrin në mënyrë që të mos lësh prova dhe ti lësh gropën të tjerëve. Ky është mentaliteti yt. Ata që të njohin e dinë shumë mirë këtë. Ti këtë punë ke bërë gjithmonë. Krijon një kaos të madh, siç e bërë në vitin 1997. Edhe me kaosin në sektorin energjetik që e shkaktove vet bërë të njëjtën gjë. Me privatizimin që bëre që në fillim, me mënyrën si e privatizove 200 milion dollarë i shkaktove shtetit dëm. Vetëm me 4 herë ndryshim deklaratash rregullatorë!!

Ti akuzoke qeverinë shqiptare por ajo është sovrane dhe ka të drejtën të bëjë zgjidhje të konflikteve ligjore duke mos vazhduar aventurat e tua. Ka gjithë të drejtën e Zotit që të zgjedhë luftën apo paqen, zgjidhjen e konfliktit apo arbitrazhin, kur kërcënohen interesa të mëdha kombëtare siç është çështja e sektorit të energjisë elektrike. Po kjo teoria e borxheve me 600 milion euro? Këto përrallat që hedh ti por ja ku ta thotë raporti i BDO-së që ta ka nxjerrë detyrimin ndaj KESH dhe OST, pa kamatë vonesa në 205 milion euro. Po paratë që ishin në qarkullim dhe ishin detyrime ndaj CEZ Shpërndarjes? Ishte hara-kiri yt në politikë sepse u thoje institucioneve të mos paguanin; çoje Ministrin e Brendshëm në Kukës që i kërkonte me polici kompanisë të mos mblidhte paratë. Ishin 500 milion euro pa kamatë të cilat ishin të arkëtueshme për CEZ Shpërndarjen. Këto para këtu janë. Kanë vajtur paratë në Çeki, 100 milion, 200 milion? Jo, paratë këtu janë, paratë po mblidhen. Në këto dy vite janë mbledhur 200 milion euro borxhe të prapambetura që i përkasin kësaj kategorie. Është e qartë se sektori energjetik po ngrihet në këmbë.

Po çfarë bëre ti?! Ne, në fund të fundit zgjodhëm të marrim një vendim politik, në bashkëpunim me Bankën Botërore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar. Sektori energjetik kërkonte financime të menjëhershme dhe ne nuk do të shkonim në kolaps energjetik e të rrëzoheshim nga pushteti se ti do thoje s’ka drita për shkak të interesave të tua. E kishe çuar vendin në greminë! Ne zgjodhëm që të bëjmë një marrëveshje, një kompromis për më të mirën e mundshme për vendin. Nëse ne me vendim qeverie kryem një negociatë, KLSH nuk ka arritur të gjejë asnjë shkelje ligji gjatë negociatave por ka ratifikuar si noter ato porositë e tua, thjesht e ka ulur pak shumën. Është ai varianti që ti e ngre njëçik topin, unë do ta ul pak tek 470 se dihet kjo skemë!

Çfarë bëre ti në vitin 2012? Është bërë në zyrën tënde kjo që po të them. Ja ku e ke komunikimin se çekët kanë lënë ca materiale këtu. Shkresa thotë: “Zana Guxholli, për dijeni Sali Berisha. Po të shkruaj në referencë të grupit të punës që u kompozua nën kujdesin e z.Kryeministër Sali Berisha, në Maj, ku përfaqësuesit tuaj ranë dakord që ne ti zgjidhim të gjitha çështjet miqësisht”. Po flas për Majin e vitit 2012 dhe ti në këtë marrëveshje të fshehtë ke rënë dakord të rrisësh borxhin e keq dhe thua presim që ERE ta marrë këtë vendim. E ke marrë ti këtë vendim. Dhe vetëm me këtë vendim i ke shkaktuar 140 milion euro dëm.

ministri damian gjiknuri kuvend parlament foltoreE dyta, ke vendosur ti ulet çmimi i energjisë për KESH-in. E ke bërë ti bashkë me Zana Guxhollin, Ridvan Boden se janë dokumentet këtu që e tregojnë këtë. Ia keni çuar ERE-s thjesht për noterizim. Pra, Entit Regullator të Energjisë që ti vazhdimisht e quan si të pavarur, ja ke çuar për noterizim. E ke marrë vendimin në zyrën tënde dhe e ke noterizuar atje. Gjithë ky operacion është një marrëveshje por e ke bërë në kulisa, kjo është marrëveshje kulisash. Nuk ke asnjë dokument të shkruar zyrtar, ka vetëm dokumente që kanë ardhur nga pala çeke dhe disa që i kemi gjetur në Ministri. Pse e bëre këtë ti?! Kush të jep ty të drejtën pa ligj dhe pa e ratifikuar edhe në Kuvend që të marrësh përsipër që të heqësh detyrime, të ulësh çmimin e KESH-it, të rrisësh borxhin e keq megjithëse deklaratën rregullatore e ke pas miratuar në parlament.

E ke bërë sepse pazari nuk të ka shkuar mirë. Nuk po them se çfarë ndodhi në këtë periudhë. Ju e dini shumë mirë por po e sqaroj për shqiptarët se në periudhën që kjo marrëveshje e fshehtë e vitit 2012 negociohej, 6 kompani u licencuan për të mbledhur borxhin. Pra, janë veprime paralel pasi doli i pavlefshëm DIA dhe Kastriot Ismailaj u përzu sepse ishte i vlefshëm për vendimin e ERE-s të vitit 2011. Vendim që padashje ti e ke dekonspiruar veten me atë që ke thënë publikisht dhe shpresoj të mos ta mohosh këtu. Ke thënë se ke shkarkuar kryetarin e ERE-s dhe në fakt e detyrove të japë dorëheqjen. Pse i kërkove dorëheqjen ti Bujar Nepravishtës? Në qoftë se Bujar Nepranishta ka zbatuar ligjin, ti duhet të ishe i qetë. Por ti e dije që çmimi i KESH-it u ul për të favorizuar CEZ-in dhe the pastaj e shkarkove. Bujar Nepravishta e dinë të gjithë se ka qenë njeriu që për çdo gjë merrte leje në zyrën tënde. Ka ardhur në zyrën tënde, keni rënë dakord për këto veprime, por pasi i doli era bisedës u mundove t’ia faturoje aleatit tend. Aleati jot në atë kohë dhe tani kryetar i Kuvendit ka qenë kundër dhe veprimet e demonstrojnë. Mjafton të shikosh reagimin e aktorëve se çfarë impresioni pati, do të shikosh që pala e tij ka qenë në rregull dhe e ka kundërshtuar këtë vendim. I vetmi njeri që e kontrollonte ERE-n me dorë te hekurt ishe ti. Atëherë si shpjegohet që njeriu jot të ka tradhëtuar ty ndaj e shkarkove? Apo i doli era pazarit dhe ti duhet ta shkarkoje për të mos u zbuluar gjurmët? Këto janë përgjegjësi, ose ke pasur dijeni kur është kryer një krim që ka një çmim në mos gaboj tek 50 milion dollarë dëm vetëm për KESH-in ose atëherë ke qenë pjesë e lojës dhe e ke bërë këtë për të mbuluar gjurmët!!

Këto janë veprimet e tua dhe nuk ke fare të drejtë të akuzosh qeverinë shqiptare se çfarë do të bënte me konfliktet e tua të hapura. Me gropat, me humnerën tënde, nuk do të pyesim ty sepse u votuam për të gjetur zgjidhje, për ta kthyer sektorin energjetik në këmbë, për të çliruar kreditë. Vetëm prej asaj marrëveshje janë 290 milion të garantuara financime në sektor dhe për këtë jemi votuar. Ti duhet të japësh përgjigje për të gjithë këto pazare të fshehta që ke bërë dhe për kaosin në të cilin e le sektorin energjetik.

Unë ditë për ditë do të nxjerr të gjitha këtë çështje, afera, kaos të cilën e latë ju dhe mundoheni të na e faturoni ne tani.

Faleminderit!

energjia.al 06.11.2015