Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

CEZ, kërkesa e Bashës, ndryshe nga e Berishës

Shqyrtimi i projektligjit të sjellë nga Partia Demokratike për hetimin ndërkombëtar të çështjes “CEZ” është shoqëruar me debate në mbledhjen me dyer të mbyllura të Konferencës së Kryetarëve.

Kreu i Kuvendit, Ilir Meta ka kërkuar sqarime nga PD-ja, nëse drafti ligjor i propozuar prej saj, kishte apo jo dakordësinë e Sali Berishës, duke konstatuar se mes dy qëndrimeve ka diferenca. “Të më falni, si përmbajtje ju i mbeteni këtij projektligji që keni sjellë apo variantit të zotit Berisha, pasi janë dy gjëra krejt të ndryshme?” –ka pyetur Ilir Meta.

Eduard Halimi i ka dhënë përgjigje në mungesë të Edi Palokës, duke thënë se PD nuk ka asnjë merak se kush hetohet.“Zoti Meta, projektligji ka bashkangjitur emrat e të gjithë deputetëve dhe ne kërkojmë hetim e atyre akuzave publike të cilat janë ngritur sot. Nuk kemi asnjë merak dhe asnjë shqetësim për të hetuar kush të dojë, kur të dojë dhe çfarë të dojë”,- është shprehur Halimi.

Por duket se kjo përgjigje nuk i ka mjaftuar kreut të kuvendit. “Ju çfarë keni kërkuar? Keni kërkuar nga privatizimi deri në fund, deri te mbyllja e llogarive me CEZ-in apo i mbeteni vetëm çështjeve që keni sjellë?”-ka pyetur Meta. Kësaj radhe Eduard Halimi ka dhënë një “provë bindëse”. “Zoti Meta, edhe një herë, ne kemi për shqyrtim një projektligj të firmosur nga zoti Berisha. Ja e keni të firmosur, shikojeni”.

Përsëri Meta ka këmbëngulur duke thënë “Do të pyesim Atë nëse i qëndron këtij apo variantit që ka thënë?”, por përgjigjja e Halimit i ka dhënë një tjetër argument kreut të kuvendit, për të insistuar në pyetjen e tij. “I qëndrojmë tërësisht qëndrimit të zotit Berisha”,-tha Halimi. “Dakord, atëherë jeni të hapur për pasurimin e objektit. Jeni të bindur që nuk ka konsensus për procedurë të përshpejtuar?”- është shprehur Ilir Meta.

Për të ndihmuar kolegun e tij Halimi, debatit i është shtuar numri dy i PD-së, Edmond Spaho. “Ka më shumë se një muaj që po diskutojmë këtë çështje, jo vetëm ne, por i gjithë opinioni. Për ta ritheksuar dhe një herë atë që tha zoti Halimi nuk ka asnjë ndryshim të objektit të hetimit apo qëndrimit ndërmjet asaj që ka paraqitur Partia Demokratike dhe zoti Berisha. Ne jemi për hetim ndërkombëtar sipas asaj që kemi paraqitur”,-është shprehur Spaho. Ilir Meta ka sqaruar edhe një herë diferencën, sipas tij, mes dy drafteve.

“Midis projektligjit që ka sjellë zoti Berisha dhe variantit tuaj ka dallim, ka dallim të madh”,-është shprehur Meta. Spaho ka këmbëngulur se dy dallim nuk ekziston. “Jo nuk ka asnjë lloj dallimi, sikurse jemi tërësisht të hapur për çdo plotësim të objektit nga kushdo grup politik apo çdo parti dhe individ, për çdo periudhë dhe për çdo çështje pa kufizim.

Për këtë do të japim mbështetjen tonë kur të votohet ligji”,-është shprehur Spaho. Meta në mungesë të konsensusit, ka mbyllur mbledhjen duke vendosur  që projektligji i PD-së për hetimin ndërkombëtar të CEZ do ndjekë rrugën normale të shqyrtimit, sipas Rregullores së Parlamentit.

Shqiptarja.com  26.10.2015