Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Skema lehtësuese e OSHEE ndihmon ekonominë

Konfindustria ka vlerësuar skemën e paraqitur së fundmi nga OSHEE/Operatori Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike për lehtësimin e pagesave të prapambetura në vite të biznesit, si një hap të nevojshëm në kushtet e sotme, të vështira financiare të sipërmarrjes në përgjithësi dhe sektorit prodhues në veçanti. Sipas saj skema në fjalë është mbështetje dhe për zbatimin e detyrimeve ligjore të liberalizimit të tregut të shpërndarjes së energjisë elektrike.

Skema e paraqitur nga OSHEE jep mundësinë e faljes deri në gjysmën e gjithë vlerës së kamatëvonesave, si dhe zgjatjen e ndjeshme kohore të pagesave të detyrimeve, duke dhënë mundësinë e uljes së kostove financiare për bizneset.

Konfindustria, mbështetur në të dhënat e ardhura pranë saj, kishte kërkuar vazhdimisht ndërtimin dhe zbatimin e skemave lehtësuese të pagesave të energjisë.

Një numër i madh industrish debitore, në kushtet e vështira të sotme të tregjeve vendore, e kishin praktikisht të pamundur të përballonin pagesat e prapambetura të energjisë të grumbulluar në vite, rritjen e kostove financiare dhe rrezikonin falimentin.

Konfindustria, duke mbështetur skemën e fundit lehtësuese të pagesave nga OSHEE, kërkon nga institucionet qeveritare dhe kompanitë e tjera publike të gjejnë të gjitha mundësitë për ndërmarrjen e skemave të ngjashme në të gjithë sektorët e ekonomisë. Masa të tilla janë të domosdoshme në kushtet e sotme të rënies së vazhdueshme të konsumit, rritjes së kostove të prodhimit, uljes së konkurrencës së prodhimeve shqiptare, me rrezik të qartë humbjen e tregjeve kombëtare.

Revista Monitor,  19.10.2015