Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

OSHEE derdh 2.1 mld lekë më shumë

Financat: rënia me 54.3% e importit të energjisë dha një efekt negativ prej minus 1.38 miliardë lekë në të ardhura; Energjia: Vetëm OSHEE ka paguar 2.1 miliardë lekë më shumë taksa në buxhet….

Ministria e Financave nëpërmjet dokumenteve zyrtare të saj ka artikuluar si një nga shkaqet e rënies se të ardhurave në buxhet këtë vit edhe përgjysmimin e importeve të energjisë.

Ministri i Financave, Shkëlqim Cani duke raportuar në Kuvend për ndryshimet në buxhetin e këtij viti që shkoi argumentoi se, “rënia me 54.3% të sasisë së energjisë elektrike të importuar dha një efekt negativ prej minus 1.38 miliardë lekë në të ardhura, për periudhën janar-qershor”. Por llogaritja shihet të jetë e njëanshme. Pasi prej rritjes së prodhimit të energjisë me 59 % për gjashtëmujorin e parë (sipas bilancit të energjisë, INSTAT) dhe përmirësimit të arkëtimeve nga OSHEE mësohet se, buxheti i shtetit ka arkëtuar për periudhën 8 mujore 4.5 miliardë lekë në formën e tatim fitimit të paguar dhe TVSH nga kompania e shpërndarjes, nga 2.4 miliardë lekë një vit më parë, pra 2.1 miliardë lekë më shumë (ndonëse kjo shumë është paguar për 8 mujorin, ka qenë e mjaftueshme për të kompensuar humbjet nga TVSH e importit të energjisë, teksa pjesa më e madhe e taksave të paguara nga OSHEE i takon TVSH-së). Në zinxhirin e prodhimit dhe shpërndarjes së energjisë është OSHEE, si përdorues fundor, që paguan pjesën më të madhe të TVSH-së.

Në kahun tjetër, rënia e importeve ka ardhur në pjesën më të madhe si rrjedhojë e rritjes së prodhimit, me 60%, ndërkohë që konsumi nuk është ulur, teksa përdorimi nga konsumatorët (familjarë dhe jo familjarë) është rritur me 3.5% për 6 mujorin, sipas bilancit të energjisë të publikuar nga INSTAT. Energjia totale në dispozicion është ulur me 7%, si rrjedhojë e reduktimit të ndjeshëm të humbjeve.

Kontributin e OSSHE në buxhet e ka zbardhur Ministri i Energjetikës Damian Gjiknuri, sipas të cilit “Vetëm në 8-mujorin e parë të vitit 2015 janë paguar në Buxhet prej OSHEE-së 4.5 miliard lekë, ose katër herë më shumë se në vitin 2013”.

Ky është viti i parë pas më shumë se, katër vitesh ku sektori i energjisë kontribuon në buxhet në vend se, të thellojë gropën, pasi në të shkuarën për shkak të mungesës së aftësisë paguese buxheti e ka subvencionuar importin e energjisë në shuma vjetore gati 100 milionë USD.

Por përveç arkëtimit, 4.5 miliardë lekë ose 40 milionë dollarë nga OSHEE, buxheti i shtetit ka kursyer 3 miliardë lekë subvensione për importin e energjisë të parashikuara për këtë vit të cilat nuk do të përdoren. Këtë e konfirmoi edhe ministri Gjiknuri ku tha se “gjatë vitit 2015, kompanitë energjetike nuk kanë pasur nevojë për garancinë e Buxhetit të Shtetit ndërsa kanë nisur të kontribuojnë me detyrimet e tyre ndaj tatimeve”.

oshee financaKështu nëse Ministrisë së Financave do të duhej të zgjidhte për të mbushur arkën e shtetit nga importi ose nga prodhimi i energjisë, llogaritë e tregojnë qartë se, katastrofa në buxhet do të ndodhte pikërisht nga mungesa e prodhimit vendas.

Edhe KESH ka nisur të shlyejë detyriet e prapambetura, duke derdhur në buxhet 266 milionë lekë TVSh dhe tatim fitimi të prapambetur, sipas të dhënave nga Ministria e Energjisë (kliko tabelën).

Revista Monitor, 20.10.2015