Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Bullgaria, gati të bëhet vend tranzit gazi

Sot, Bullgaria i plotëson nevojat e saj në kurriz të gazit rus, tha zëvendëskryeministri bullgar, Tomisllav Donçev, në një intervistë me ‘Trendi’.

Donçev tha se diversifikimi i burimeve dhe rrugëve të furnizimit me gaz rus për Bullgarinë është jetike, dhe në këtë aspekt Azerbajxhani mund të bëhet një partner i rëndësishëm për Bullgarinë.

“Nga ana e saj, Bullgaria është e gatshme të bëhet një vend tranziti për furnizimet e gazit të Azerbajxhanit drejt Europës”, tha ai.

“Bullgaria gjithashtu vazhdon të bëjë çdo përpjekje për të ndërtuar Ndërlidhësin Greqi-Bullgari (IGB) për furnizimin me gaz nga Azerbajxhani”, tha ai.

“Kapaciteti i përafërt i IGB do të arrijë 20 miliardë metra kub gaz në vit”, tha Donçev.

“Duke marrë parasysh kapacitetin e parashikuar të interkonjeksionit me Greqinë dhe urat e projektuara që lidhin atë me sistemet e transportit të gazit të Rumanisë dhe Serbisë, mundësitë e shpërndarjes së gazit të Bullgarisë në të gjithë Europën po rriten në mënyrë të konsiderueshme. Kjo ndërsa Azerbajxhani mund të planifikojë të ofrojë shumë më shumë vëllime të gazit ndaj Bullgarisë dhe gjithë Europës”.

“Bullgaria ka një sërë projektesh bashkëpunimi me Azerbajxhanin në sferën e energjisë”, – tha ai. “Por së pari është i nevojshëm ndërtimi i interkonjeksionit për t’i zbatuar ato”.

“Bullgaria nuk e humbet shpresën se kjo çështje do të zgjidhet shumë shpejt”, – tha ai. “Bullgaria dhe Greqia do të kenë mundësi t’i bashkohen projekteve të Korridorit Jugor të Gazit dhe në këtë mënyrë të sigurojnë gazin e Azerbajxhanit përmes ndërtimit të IGB”.

IGB është gazsjellësi, i cili do të mundësojë që Bullgaria të sigurojë gazin e Azerbajxhanit, në veçanti, gazin e nxjerrë nga fusha e Shah Deniz.

IGB pritet të lidhet me gazsjellësin Trans-Adriatik nëpërmjet të cilit gazi nga fusha Shah Deniz do të transportohet drejt tregjeve europiane. Bullgaria synon të ndërtojë një tubacion, i cili do të lidhet me gazsjellësin Trans-Adriatik (TAP) në të ardhmen. Gazi i Azerbajxhanit do të transportohet drejt Europës nëpërmjet këtij tubacioni. Kështu, Bullgaria do të jetë në gjendje të marrë gaz nga Azerbajxhani.

Mes TAP dhe ICGB në janar të vitit 2014 është nënshkruar një Memorandum Mirëkuptimi dhe Bashkëpunimi.

Dokumenti ofron mundësi për bashkëpunim mes dy kompanive që do të punojnë së bashku për të lidhur tubacionet në afërsi të Komotinit (Greqi), i cili do të hapë rrugën për furnizime të reja të gazit në rrjetin e shpërndarjes së gazit në Bullgari, dhe më tej drejt Europës Juglindore.

Projekti i TAP është projektuar të transportojë gaz nga rajoni i Detit Kaspik në jug të Italisë përmes Greqisë, Shqipërisë dhe Detit Adriatik dhe më tej drejt Europës Perëndimore. Gjatësia totale e tubacionit do të jetë afro 870 kilometra.

Zëvendëskryeministri vazhdoi duke shtuar se kapaciteti i tubacionit ekzistues të gazit Rusi-Ukrainë-Moldavi-Rumani është 25 miliardë metra kub, por fati i tubacionit është në pikëpyetje, nuk është e qartë se çfarë do të ndodhë me të, teksa situata politike ndryshon shumë shpejt.

Bashkëpunimi ndërmjet Azerbajxhanit dhe BE-së në sektorin e energjisë hap mundësi të mira për ne, tha ai.

“Bashkëpunimi i energjisë me vendet e tjera të basenit Kaspik është gjithashtu me interes të madh për Bullgarinë”, – tha zëvendëskryeministri. “Turkmenistani dhe Irani posedojnë rezerva të mëdha të burimeve energjetike për t’u bërë burime alternative në garantimin e sigurisë energjetike të Europës”.

Sa për mundësinë e pjesëmarrjes së Bullgarisë në projektin Rrjedha Turke, Donçev tha se për momentin, është vështirë të thuhet diçka në lidhje me këtë çështje, koha do ta tregojë.

Revista Monitor, 05.10.2015