Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Bankers hedh në gjyq tatimet për 500 mln lekë

“Bankers” ka paditur Drejtorinë e Tatimeve në Gjykatën Administrative, duke kërkuar pezullimin e vendimeve të organeve tatimore për vlerësimin e taksave të viteve 2008-2013, ku detyrimet janë shtuar me afro 500 milionë lekë. Palët e paditura nga koncesionari kanadez i naftës janë Drejtoria Rajonale Tatimore e Tatimpaguesve të Mëdhenj Tiranë dhe Drejtoria e Apelimit Tatimor. Në çështjen e regjistruar nga Gjykata Administrative më 17 shtator 2015, “Bankers Petroleum Albania” LTD kërkon anulimin dhe shfuqizimin e akteve administrative “Njoftim Vlerësimin për detyrimet tatimore datë 01.11.2012”, “Njoftim vlerësimin për kamatëvonesat datë 21.11.2012” të Drejtorisë Rajonale Tatimore të Tatimpaguesve të Mëdhenj. Po ashtu, “Bankers” në padinë e dorëzuar kërkon edhe anulimin, shfuqizimin e vendimit datë 22.02.2013 të Drejtorisë së Apelimit Tatimor, si dhe rimbursimin e shumës së detyrimit dhe kamatëvonesave prej 49 591 763 lekë të paguar. Gazeta “Shqip” disponon aktet e kontrollit, ankimin e Bankers dhe vendimin e Drejtorisë së Apelimit, e cila ka rrëzuar pretendimet e kanadezëve. Ajo që bie në sy në dosjen e “Bankers”, që përbën edhe vijën e mbrojtjes së koncesionarit, është përplasja mes dy institucioneve shtetërore, Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore (AKBN) dhe Drejtoria e Tatimeve. Njëri jep autorizime që “Bankers” të mos paguajë taksa për disa shërbime e punime dhe tjetri nuk i njeh.

Kontrolli

Periudhat e kontrolluara nga Tatimet për tatim-fitimin janë vitet nga 2008 deri në 2012, për TVSH-në, gusht 2008 – korrik 2013, ndërsa për kontributet e sigurimeve përfshihen nga gusht 2008 deri në korrik 2013. Për të njëjtën periudhë është kontrolluar edhe për tatimin mbi të ardhurat. Nga kontrolli ka rezultuar se në vitin 2008, faturat e shitjeve që i përkasin një subjekti tjetër janë deklaruar si shitje të tatueshme, për të cilat është llogaritur dhe TVSH. Në vitin 2006, subjekti sipas kërkesës së tij është pajisur me një autorizim në vazhdimësi nga AKBN, i cili e përjashton atë shërbim si të tatueshëm. Në vazhdimësi, subjekti ka kërkuar që të bëjë pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore sistemimin e këtyre shitjeve duke i kaluar si të përjashtuara. Nga ana e Tatimeve, është bërë rivlerësimi i këtyre faturave, duke i klasifikuar si të përjashtuara për periudhën 01.08.2008 – 31.12.2012. Duke u nisur nga lloji i shërbimit të kryer nga shoqëria (analiza laboratorike si dhe peshëmatje malli), nga verifikimi në vend (pranë ambienteve të shoqërisë) grupi i kontrollit konstaton që këto shërbime nuk përfshihen në zhvillim dhe kërkim (për të cilat ligji përjashtonte TVSH-në) dhe si pasojë janë të tatueshme në shkallë tatimore 20%. Nga rivlerësimi, për periudhën gusht 2008 deri në dhjetor 2008, shitjet e trajtuara si të tilla janë në vlerën 3.099.754 lekë dhe me TVSH 619.951 lekë. Duke sistemuar llogarinë, sipas Tatimeve për këtë vit, shuma e tatueshme ishte 21.688.438 lekë, bëhet 24.788.188 lekë. Kështu është vepruar edhe për vlerësimet e viteve në vazhdim.

Kundërshtimi i “Bankers”

“Bankers” e kundërshton vlerësimin dhe shprehet se ka ndjekur procedurën në lidhje me përjashtimin nga TVSH për shërbimet e ofruara ndaj shoqërisë. Fillimisht, gjatë periudhës 2008-2010, për shërbimet e ofruara, tatimpaguesi ka lëshuar fatura tatimore për të cilat ka llogaritur, paguar dhe deklaruar TVSH në shkallën standarde tatimore në masën 20%. Më pas, sapo AKBN ka lëshuar vërtetimin se kjo shoqëri është e përjashtuar nga TVSH për shërbimet e ofruara ndaj subjektit tjetër, tatimpaguesi ka vijuar me sistemimin e TVSH-së, duke riklasifikuar furnizimet e bëra nga “të tatueshme” në “të përjashtuara” dhe si rrjedhojë duke bërë dhe korrigjimin e TVSH-së. “Bankers” deklaron se shërbimet që ajo i ka faturuar shoqërisë tjetër janë aprovuar dhe certifikuar nga AKBN si të lidhura me fazën e kërkim-zhvillimit të operacioneve hidrokarbure në kuadër të kontratës që kjo shoqëri ka nënshkruar me qeverinë shqiptare. Për këtë, AKBN i ka lëshuar shoqërisë vërtetime se kjo shoqëri është e përjashtuar nga TVSH për shërbimet e ofruara ndaj subjektit tjetër. Shoqëria parashtron se ligji për TVSH-në i jep kompetencë AKBN-së për të aprovuar listën e nënkontraktorëve që i ofrojnë shërbime “Bankers Petroleum” lidhur me realizimin e fazave të kërkim-zhvillimit të operacioneve hidrokarbure, rrjedhimisht i ngarkon dhe kompetencën ekskluzive për të përcaktuar dhe autorizuar përjashtimin nga TVSH të furnizimeve nga nënkontraktorët. Sipas tatimpaguesit, vendimi i autoriteteve tatimore për t’i konsideruar shërbimet e shoqërisë si jo të përjashtuara nga TVSH është në tejkalim të kompetencave të tyre.

Përgjigjja e Apelimit

Drejtoria e Apelimit Tatimor rrëzoi vetëm gjobat e vendosura ndaj “Bankers”, ndërsa njoftimet e vlerësimit për detyrimet dhe kamatëvonesat i la në fuqi. Sipas Drejtorisë së Apelimit, tatimpaguesi fillimisht duhet të përcaktojë nëse furnizimi i tij është i përjashtuar nga TVSH apo është i tatueshëm, çka do të reflektohet në faturën tatimore që ai do të lëshojë për shitjen e kryer. Pra, momenti i lëshimit të faturës tatimore është dhe momenti i përcaktimit të tatueshmërisë së furnizimit të shërbimit apo mallit. Sipas Apelimit, autorizimet apo vërtetimet e lëshuara nga AKBN pas momentit të kryerjes së shërbimit nuk do të njihen nga Drejtoria Rajonale Tatimore. Lëshimi i autorizimit në një periudhë më të vonshme sesa momenti i lëshimit të faturës tatimore bie ndesh me parimin e “momentit të furnizimit” të përcaktuar nga ligji.

Drejtoria e Apelimit Tatimor thekson se kompetenca që ligjvënësi i ka dhënë AKBN-së është vërtetimi i kontraktorëve apo nënkontraktorëve, ndërsa tatueshmëria e furnizimeve është objekt kontrolli dhe vlerësimi nga administrata tatimore.

AKBN nuk i njeh “Bankers”-it 300 milionë dollarë shpenzime

Në vitin 2014, “Bankers Petroleum”, njoftoi qarkullim vjetor 67.3 miliardë lekë. Kompania ka paguar 9 miliardë lekë rentë minerare, nga 9.8 miliardë lekë në vitin 2013. “Bankers” ka raportuar humbje fiskale prej 12.5 miliardë lekësh në 2014-n, nga rreth 19.4 miliardë lekë që ishte humbja fiskale e një viti më parë. Që prej fillimit të aktivitetit, kompania nuk ka dalë asnjëherë me fitim. Sipas marrëveshjes hidrokarbure, fitimet tatohen me 50%. “Bankers” pranoi se ka marrë një raport nga AKBN me gjetje që mund të rezultojnë me një shumë prej 303 milionë dollarë zbritje të situacionit të mbulimit të kostove për vitin 2014. “Bankers” deklaroi se auditime të tjera rutinë nga AKBN e kanë pranuar koston për të njëjtat shpenzime të kompanisë në situacionin e mbulimit të kostove duke i aprovuar në vitet e mëparshme. “Bankers” është aktualisht duke mbrojtur të gjitha kostot dhe ka përgatitur të gjithë dokumentacionin e kërkuar mbështetës. Bazuar në auditin e fundit të AKBN-së, tatimet kanë bërë vlerësimin për balancën e taksës prej 57 milionë dollarësh, që kompania duhet të paguajë.

“Bankers” dhe qeveria do të marrin auditues ndërkombëtarë për taksat

Kompania “Bankers” njoftoi më 14 shtator se Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore (AKBN) ka pranuar të angazhojë një kompani auditimi ndërkombëtare, palë e tretë, në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mbi një auditim të hapur në lidhje me shpenzimet operative dhe kapitale të pranuara si kosto të rikuperueshme siç është deklaruar më parë edhe në bilancin financiar të kompanisë. Sipas njoftimit, audituesi ndërkombëtar do të zgjidhet me pëlqimin e të dyja palëve. “Në javët e ardhshme, palët do të zgjedhin një auditues ndërkombëtar dhe shpresojnë të arrijnë një përfundim mbi këtë çështje në muajt në vazhdim. Kjo nismë pritet gjithashtu që të zgjidhë edhe vlerësimin për balancën e taksës prej 57 milionë USD të marrë së fundmi e bazuar mbi auditimin e kryer”, njoftoi “Bankers”. “Kjo nismë përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt rritjes së transparencës në administrimin dhe rregullimin e aktivitetit të naftës dhe gazit në Shqipëri. “Bankers” e shikon këtë angazhim të autoriteteve si një moment të rëndësishëm në përmirësimin e vazhdueshëm të operacioneve tona”, komentoi David French, president dhe drejtor ekzekutiv i “Bankers Petroleum”.

Gazeta Shqip,  05.10.2015