Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Kopac: Dy orë pas marrëveshjes Çekia hoqi veton

Kreu i sekretariatit të Komitetit Europian të Energjisë, Janez Kopac, zbardh tratativat që u bënë deri në nënshkrimin e marrëveshjes së qeverisë me CEZ-in. Gjatë raportimit vjetor në Komisionin për Veprimtarinë Prodhuese, Kopac deklaroi se “kjo ishte një çështje shumë e komplikuar dhe kemi pasur 10 raunde negociata në zyrat e sekretariatit në Vjenë”. Sipas tij, marrëveshja ishte kusht që Çekia të mos vendoste veton për dhënien e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë. “Marrëveshja përfundimtare mes CEZ-it dhe qeverisë shqiptare është nënshkruar në zyrën time dhe ishte kusht që të hiqej vetoja nga ana e Republikës Çeke në kohën e bisedimeve për dhënien e statusit të vendit kandidat. Dy orë pasi është nënshkruar marrëveshja në zyrën time, Çekia hoqi veton”, deklaroi Kopac. “Siç e kam thënë dhe më parë, u shpreh Kopac, sekretariati i komunitetit të energjisë ishte shumë i gëzuar që kjo çështje u zgjidh. Sepse, i gjithë vendi ishte peng i kësaj mosmarrëveshjeje të pazgjidhur. Ishin penguar të gjitha reformat dhe çdo investim potencial nga jashtë. Të gjitha këto do të ishin akoma të bllokuara deri në zgjidhjen e kësaj çështjeje”. Kopac shpjegoi para deputetëve se, procedura e arbitrazhit zgjat 10 vjet. “Kështu që them se i gjithë vendi do të kishte mbetur peng 10 vjet. Kështu që, falë Zotit, ju e zgjidhët këtë çështje”, përsëriti kreu i sekretariatit të energjisë dhe shtoi se sekretariati ishte shumë i përfshirë në këtë çështje. Ndërkaq, Kopac shprehu pakënaqësinë për qëndrimin e opozitës. “Mendoj se marrëveshja nuk është kurrë perfekte për të dyja palët, sepse marrëveshja është një kompromis që duhet të ketë diçka për të dyja palët. Kjo çështje u zgjidh në një mënyrë të kënaqshme për të dyja palët dhe në atë kohë isha shumë i lumtur që iu dha zgjidhja dhe tani jam i pakënaqur që kjo çështje u hap përsëri”. “Ju, vazhdoi Kopac, duhet të jeni të kënaqur që kjo çështje u mbyll, iu dha një zgjidhje. Në politikë njëra palë duhet të vendosë shumë kurajë në përcaktimin e diçkaje dhe në këtë rast jam mjaft i kënaqur që qeveria pati kurajën dhe e mbylli këtë”. Duke mbështetur veprimin e qeverisë ndaj CEZ-it, Kopac u shpreh se “ndonjëherë është më e rehatshme të mos bësh asgjë dhe për pasojë nuk fajësohesh, por pastaj do të jesh fajtor që nuk ke parë drejt perspektivës dhe besoj se e ardhmja e Shqipërisë është e shkëlqyer”. Në ndërhyrjen e tij, deputeti i PD-së, Genc Ruli, tha se kjo kontratë i kapërcen kufijtë konstitucionalë, duke ndaluar hetimin penal për shkeljet e bëra. Gjithashtu, Ruli u shpreh se shteti çek nuk ka shprehur asnjëherë, të paktën zyrtarisht, se do të vendoste veton ndaj marrjes së statusit kandidat nga Shqipëria. Ruli u shpreh i sigurt se Çekia, si partnere e Shqipërisë, nuk do të vepronte kurrë në këtë mënyrë. Duke marrë fjalën më pas, Kopac solli një shembull nga rajoni që ngjan me rastin shqiptar, konfliktin mes Sllovenisë dhe Kroacisë, i cili përfundoi në Arbitrazh. “Kur kam qenë ministër i Energjisë në vitin 2000 – 2004, edhe ne kemi pasur një konflikt me Kroacinë për një impiant bërthamor të përbashkët. Kroacia nisi arbitrazhin kundër Sllovenisë për një shumë rreth 50 milionë euro. I sugjerova ministrit kroat që të gjejmë një marrëveshje, por ai tha se nuk mund të bëj asgjë, sepse Kroacia do ta kalojë në Arbitrazh. Ai ishte i bindur se do të fitonin. Kjo ndodhi 11 vjet më parë. Arbitrazhi i kësaj çështjeje po shkon drejt fundit. Sllovenia ka shpenzuar më shumë se 10 milionë euro për avokatët, ndërsa Kroacia rreth 10-11 milionë euro. Arbitrazhi sugjeroi që Sllovenia të paguajë atë shumë për të cilën ajo ishte e gatshme ta paguante në 2004-n dhe tani çështja mbetet se cila do të mbulojë shpenzimet për avokatët. Ka mundësi që Kroacia do të jetë e detyruar të paguajë dhe shpenzimet e Sllovenisë. Edhe nëse do të ndodhë kjo, gjithsesi besoj se të dyja palët humbën shumë këto 11 vite”, tha Kopac. “Në disa raste është më mirë të arrijmë një kompromis që ndoshta nuk është perfekt, por është më mirë sesa t’u japësh mundësi avokatëve ndërkombëtarë të fitojnë shumë për asgjë. Shpresoj që me këtë u shpjegova”, deklaroi Kopac. Ai kundërshtoi edhe pretendimin se ardhja e tij në Tiranë lidhej me mbrojtjen e marrëveshjes qeveri – CEZ. “Unë vij në Tiranë çdo vit në vjeshtë, për raportin. Ekspertët tanë takohen disa herë në vit me palën shqiptare”, tha Kopac. I pyetur nga deputetë të komisionit mbi një qëndrim rreth skandalit me mbledhjen e borxheve të CEZ-it, Kopac tha se DIA nuk ka të bëjë me marrëveshjen mes palës çeke dhe Shqipërisë. “Ne merremi vetëm me çështjet e energjisë dhe jo të biznesit. S’ka të bëjë asgjë me marrëveshjen e Komitetit të Energjisë”, deklaroi Kopac. Sa i takon hetimit, Kopac u shpreh se, nëse nuk ka besim në vend, mund të kërkosh hetim jashtë vendit.

Gazeta Shqip,  29.09.2015